Mblidhen në Bruksel ministrat evropianë të jashtëm dhe ata të mbrojtjes | Evropa | DW | 15.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mblidhen në Bruksel ministrat evropianë të jashtëm dhe ata të mbrojtjes

Ministrat evropianë të jashtëm dhe ata të mbrojtjes janë mbledhur sot në Bruksel, për të zhvilluar takimin e rradhës së Këshillit Evropian. Temat kryesore të bisedimeve do të jenë misioni në Kongo, mbështetja financiare e popullit palestinez dhe zgjidhja e debatit mbi programin bërthamor të Iranit.

Takim i ministrave të mbrojtjes së BE

Takim i ministrave të mbrojtjes së BE

Ndonëse presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad po reagon gjithnjë e më kokëfortë, BE-ja ka vendosur të prezantojë një propozim të ri në lidhje me zgjidhjen e debatit bërthamor.

Frank-Valter Steinmeier, ministri i jashtëm gjerman, e kritikoi hapur presidentitn iranian:"Ne do t´i vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona dhe jam i bindur se edhe qeveria iraniane do të bindet së shpejti dhe se këtë rradhë do ta konsiderojë propozimin tonë. Jam i sigurtë se ka shumë njerëz të tjerë në Iran, që nuk reagojnë si Ahmadinexhad."

Tri shtetet e BE-së, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania po hartojnë një paketë me propozime dhe oferta, të cilat do ta ndihmojnë Iranin për të prodhuar energji bërthamore në mënyrë civile. Irani nga ana e tij duhet të heqë dorë nga përdorimi i lëndës së uranit, gjë që presidenti Ahmadinexhad nuk e pranon. Edhe 5 shtetet me vende të përhershme pranë Këshillit Botëror të Sigurimit si edhe Gjermania, do të mblidhen gjatë kësaj jave, për të diskutuar mbi iniciativën e re.

I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtme, Javier Solana, i bëri thirrje qeverisë në Teheran që të bashkëpunojë në zgjidhjen diplomatike të këtij konflikti:"Ne kemi thënë gjithmonë se një zgjidhje diplomatike do të ishte optimale. Dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Jemi duke përgatitur një paketë, të cilën nuk mund ta refuzojnë, në rast se duan vërtet të prodhojnë energji. Në rast se ata nuk do ta pranojnë këtë propozim, atëherë e dimë se çfarë kërkojnë në të vërtetë."

Edhe 25 ministrat e mbrojtes së BE-së, janë mbledhur sot për të diskutuar mbi trupat ushtarake që nevojiten për misionin e Kongos. Në korrik aty do të zhvillohen zgjedhje parlamentare. Gjermania do të krijojë qendrën e misionit në Evropë. Franca do të marrë përsipër kryeqytetin e Kongos, Kinshasa. BE-ja do të vërë në dispozicion 1.500 ushtarë.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung, tha se shpreson që shtetet e tjera të BE-së të kontribuojnë në mbledhjen e helikopterëve dhe aeroplanëve ushtarakë, të cilët nevojiten për misionin e BE-së në Kongo: "Mendoj se ky është një mision evropian. Dhe kjo do të thotë se jo vetëm Franca dhe Gjermania por të gjitha shtetet e BE-së duhet të zhvillojnë aktivitete në këtë drejtim. Shpresoj që këtu do të vendosim së bashku."

Ndërkohë Solana tha se BE-ja po punon për krijimin e një sistemi të ri financiar, për të ndihmuar palestinezët, pa bashkëpunuar me Hamasin. BE do të krijojë një fond të veçantë për të financuar sptiale dhe shkolla në rajonet autonome palestineze.

  • Data 15.05.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArB5
  • Data 15.05.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArB5