Mbledhja e parë e Komisionit të ri Evropian | Evropa | DW | 20.08.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mbledhja e parë e Komisionit të ri Evropian

Në rend të ditës kodi i sjelljes

José Manuel Barroso

José Manuel Barroso

Disa prej tyre e njohin njëri-tjetrin, janë takuar në parketin politik të Evropës. Disa të tjerë shihen sot për herë të parë. Fjala është për 24 komisionerët evropianë dhe për shefin e tyre, kryetarin e Komisionit José Manuel Barroso. Ekipi do të fillojë zyrtarisht nga puna më 1 nëntor.

Por që kalimi nga Komisioni i Romano Prodit te Komisioni Barroso të funksionojë pa vështirësi, duhet përgatitur më parë terreni. Zëdhënësi i Komisionit Stephaan de Rynck tha, se do të diskutohet mbi kodin e sjelljes për komisionerët, për zgjedhjen e anëtarëve të kabinetit dhe të zëdhënësve për shtyp si dhe për formën e punës së Komisionit. Po ashtu në rend të ditës qëndron organizimi i proceseve të vendimmarrjes në të ardhmen.

Rëndësi të veçantë për Komisionin Evropian ka i ashtuquajturi "Code of Conduct", kodi i sjelljes. Për të parën herë një kod i tillë u hartua në 1999-ën nga kryetari i atëhershëm i Komisionit Romano Prodi. Ky ishte reagimi i tij ndaj dorëheqjes së krejt Komisionit paraardhës nën drejtimin e Jacques Santer-it. Në ekipin e tij ishte përhapur nepotizmi. Parlamenti Evropian i detyroi komisionerët të largoheshin kolektivisht. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë edhe një herë tjetër, prandaj që atëherë vlejnë rregulla të qarta sjelljeje për komisionerët.

Punë të dyta për shembull, qofshin edhe pa shpërblim, janë që atëherë të ndaluara. Kur komisionerët ftohen të mbajnë një fjalim, ata nuk lejohen të marrin honorare për këtë. Kur paguhen për shitjen e librave, atëherë duhet t'ua dhurojnë të hollat organizatave bamirëse. Po ashtu komisionerët nuk lejohen të ushtrojnë gjatë kohës në post një detyrë tjetër publike.

Këtyre u shtohet detyrimi për komisionerët që ata të zbulojnë pasurinë, si edhe lidhjet e biznesit të bashkëshortëve të tyre. Zëdhënësi i Komisionit Stephaan de Rynck.

"Ky kod sjelljeje duhet të krijojë transparencë të plotë. Ai është miratuar për të garantuar pavarësi të plotë të komisionerëve gjatë ushtrimit të detyrës. Këta duhet të veprojnë të pavarur nga interesat e vendeve të tyre, të ndonjë sipërmarrjeje, apo edhe nga ato vetjake."

Grupi i 25 anëtarëve mund të kryej sot ndryshime në këtë kod, sepse çdo Komision i përcakton vetë rregullat e tij të sjelljes.

Me kureshtje duhet pritur nëse José Manuel Barroso do ta mbështesë komisioneren e tij për bujqësinë. Mariann Fischer-Boel, ministrja e deritashme daneze e bujqësisë, u vu në shënjestër të disa politikanëve opozitarë danezë, sepse zotëron një fermë të madhe, e cila përfiton subvencione nga arkat evropiane. Ajo vetë mohoi që kjo çon në përplasje interesash, me argumentin se është vetëm pronare e tokës dhe se mbarështimin e ka marë përsipër vetëm i shoqi. Ekspertët ligjorë i lëshuan asaj pak kohë më parë një vërtetim parrezikshmërie, por vendimin përfundimtar e merr kryetari i Komisionit, Barroso.

Komisionerët do të merren vesh po ashtu, për rregullat e zgjedhjes së bashkëpunëtorëve të tyre personalë. Ky i ashtuquajtur kabinet i përgatit punën komisionerit përkatës, pavarësisht nga nëpunësit e komisionit që janë nën urdhërat e komisionerëve. Edhe në këtë pikë të rinjtë do të orientohen prej rregullave të përcaktuara nga Romano Prodi për Komisionin e tij.

Një zëdhënës i Komisionit njoftoi se rregullat janë këto: Në çdo kabinet duhet të jenë të përfaqësuara tre kombe të ndryshme. Shefi i kabinetit nuk duhet të jetë nga vendi i komisionerit. Çdo komisioner mund të emërojë gjashtë vetë në kabinetin e tij, madje kryetari i Komisionit nëntë. Ka edhe një rregull tjetër, sipas të cilit në çdo kabinet tre punonjës duhet të jenë nga institucionet evropiane.

Vetëm në vendet që mbeten mund të caktohen persona nga vetë komisioneri. Në këtë mënyrë do të shmanget kthimi i kabinetit në vend sistemimi për miqtë e vjetër.

Përzierja e kombësive duhet të garantojë edhe mosshfrytëzimin e plotë të fondeve nga vendi anëtar nga i cili vjen komisioneri. Edhe në Komisionin e Brukselit vlen motoja: Besimi është i mirë, por kontrolli edhe më i mirë.

  • Data 20.08.2004
  • Autor Peter Kapern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGc
  • Data 20.08.2004
  • Autor Peter Kapern
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGc