1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi aktivitetet e Shërbimeve Sekrete Gjermane në luftën e Irakut

Marcel Fürstenau23 Shkurt 2006

Qeveria gjermane publikon pjesë të raportit të saj në lidhje me aktivitetet e Shërbimeve Sekrete Gjermane në luftën e Irakut. Shqyrtimi i kësaj dosjeje u shoqërua me reagime të ndryshme të partive politike. Ende mbetet e hapur çështja nëse veprimtaria e Shërbimeve Sekrete Gjermane do të bëhet objekt i një komisioni hetimor parlamentar.

https://p.dw.com/p/Ar1G
Fotografi: AP

A u kanë ndihmuar agjentët e BND-së amerikanëve për të identifikuar objektivat e goditjeve të tyre në Irak? A është e pranushme që hetuesit gjermanë të marrin në pyetje të burgosur në Guantanamo? Çfarë dinte qeveria e mëparshme e social-demokratëve dhe ekologjistëve për rrëmbimin e shtetasve gjermane prej CIA-s?

Liberalët dhe deputetët e Partisë së Majtë mendojnë se këto çështje duhen sqaruar prej një komisioni parlamentar. Kryetari i komisionit parlamentar për kontrrollin e veprimtarisë së shërbimeve sekrete, Norbert Rëttgen, mendon se kjo nuk është e nevojshme, sepse këto çështje u sqaruan brenda këtij komisioni. "Ne jemi të mendimit se çështjet për të cilat bëhet fjalë si dhe akuzat e bëra publik mundën të sqaroheshin. Sa u takon akuzave për veprime konkrete, sidomos çështjes së bombardimit të një restoranti në Bagdad, këto mund të konsiderohen si të hedhura poshtë." - tha ai

Përfaqësuesi i SPD-së në komisionin parlamentar për kontrrollin e veprimtarisë së shërbimeve sekrete, Olaf Scholz, ishte i mendimit se punonjësit e shërbimeve sekrete gjermane duhet të kenë edhe në të ardhmen të drejtë që të marrin në pyetje të burgosur edhe në vende të tilla, të cilat nuk i respektojnë të drejtat e njeriut. Gjithsesi me një kufizim: "Duhet të jetë e qartë që kjo të mos ndodhë në kushte torture. Në rast se kemi një rast të tillë atëhere marrja në hetuesi duhet të ndërpritet. Po ashtu duhet të jetë e qartë se informacionet që jep i arrestuari, i jep vullnetarisht."

Deputeti i Partisë së Majtë në këtë komision, Wolfgang Neskovic, i braktisi punimet e komisionit dhe e akuzoi qeverinë se po e manipulon këtë komision, që çështja të mos kalojë përpara një komisioni të kontrrollit parlamentar.

Politikani i partisë ekologjike Hans-Christian Strëbele tha se është i bindur se dy agjentët e BND-së që qëndruan në Bagdad edhe pas shpërthimit të luftës, kanë dërguar në Gjermani informacione për objekte të caktuara, me qëllim të këto t'u përcilleshin autoriteteve amerikane. Kjo sipas tij ishte një mbështetje për bombardimet amerikane.

Ekologjistët dhe liberalët do të vendosin brenda grupeve të tyre parlamentare nëse do të kërkojnë bashkarisht krijimin e një komisioni të kontrrollit parlamentar për këtë çështje. Një komision i tillë ka kompetenca më të gjëra për të hetuar nga ato të komisionit parlamentar për kontrrollin e veprimtarisë së shërbimeve sekrete.