1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi 500 milionë dollarë për viktimat e tërmetit

K. Heinzle27 Tetor 2005

Donatorët miratuan ndihmat pasi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan i i drejtoi një apel të qartë bashkësisë ndërkombëtare

https://p.dw.com/p/ArNZ
Nënë pakistaneze me foshnjën e saj pranë gërmadhave të tërmetit në Pakistan
Nënë pakistaneze me foshnjën e saj pranë gërmadhave të tërmetit në PakistanFotografi: AP

Natyrisht- më shumë se një gjysmë miliardi dollarë janë shumë para. Kemi të bëjmë me një sinjal inkurajues me domethënie shumë më të madhe se premtimet e konferencës së donatorëve. Por një pjesë e madhe e ndihmës nuk do t'i arrijë shumë viktima. Qindra, ndoshta mijëra vetë do të kenë vdekur përpara se të mbërrijë ndihma ndërkombëtare.

Shkaku kryesor: në konferencën e donatorëve në Gjenevë u premtua shumë, por sipas gjendjes aktuale të punëve, para së gjithash për rindërtimin. Vetëm një pjesë shumë e vogël do të jepet si ndihmë emergjente. Kombet e Bashkuara, por edhe organizata të tjera ndihmëse do të kenë kështu edhe më tej shumë pak para për cadra, medikamente, ujë të pastër dhe ushqim për tri milionë të prekurit në veri të Pakistanit.

Bashkësia ndërkombëtare është e vonuar, dhe ndihmat ende janë të pamjaftueshme. Kjo është edhe më tepër tragjike, meqenëse koha pas kësaj katastrofe luan një rol kaq të rëndësishëm për të mbijetuarit. Dimri do të vijë për tri javë me gjithë furinë e tij në Himalaja- me të ftohtin e akullt dhe masa bore, kundër të cilave cadrat ofrojnë vetëm mbrojtje të kufizuar. Dhjetëra mijëra të plagosur janë ende të patrajtuar- plagët e tyre kanë mbledhur prej kohësh. Ai që tani merr ndihma, shumicën e herëve siguron mbetjen gjallë, por krahët dhe këmbët shpesh mbetet vetëm të prihen. Vec kësaj kërcënon përhapja e sëmundjeve, sepse njerëzit nuk kanë mjaftueshëm as ujë të pijshëm edhe as nevojtore.

Ka shumë shkaqe, shkaqe të forta, se pse këtë herë vijnë shumë më pak para se sa erdhën pas tsunamit dhjetë muaj më parë në Azinë Juglindore: buxhetet shtetërore dhe portofolet janë bosh, ky vit ka qenë i mbushur me katastrofa, tërmeti në Pakistan nuk e ka tronditur botën nga ana emocionale në atë masë sa tsunami. Pakistani është shumë larg dhe i huaj, plazhet përrallore të Sri Lankës dhe Tajlandës ishin shumë më të njohura për botën.

Por këtë herë kërkohen shumë gjëra. Në radhë të parë nuk bëhet fjalë për shtëpi të reja për të mbijetuarit, nuk është fjala për rindërtimin e shkollave. Këto punë nuk do të mund të fillojnë para pranverës. Për tri milionë njerëz në radhë të parë është në diskutim mbijetesa- sot, nesër, javën tjetër. Suksesi i një konference donatorësh, rezonanca ndaj një thirrjeje për donacione për njerëzit në zonat e katastrofës mund të jetë e barabartë me dallimin midis jetës dhe vdekjes.