1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbetet e pazgjidhur çështja e programit bërthamor të Iranit

Peter Filip23 Shtator 2005

Pas qëndrimit kokëfortë të presidentit të ri iranian, Ahmadineshad, BE do ta paraqesë çështjen e Iranit përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

https://p.dw.com/p/AqtI

Sipas opinionit publik, as SHBA-s dhe as BE, nuk arritën një kompromis të kënaqshëm me Iranin. Qeveria e Teheranit ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga programi i saj bërthamor. Tani BE, i nxitur edhe nga SHBA-s, shpreson që zyra ndërkombëtare për energjinë bërthamore IAEA, ta shtrojë këtë çështje përpara Këshillit të Sigurimit. Por Rusia dhe Kina kanë deklaruar se janë kundër këtij hapi. BE-3, siç quhet grupi i ministrave të jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët kanë dy vjet që mundohen të ndërmjetësojnë me qeverinë e Teheranit, pranuan tani që IAEA të hartojë një protokoll mbi çështjen e Iranit gjatë këtij viti, dhe më pas të vendoset bashkarisht nëse në të do të involvohet edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Përpara mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, presidenti amerikan Xhorxh Bush u tregua i kënaqur që kishte mbështetjen e kolegut të tij, Vladimir Putin. Por Bush nuk e kuptoi se Putini pranoi vetëm domosdoshmërinë e veprimit diplomatik në rastin e Iranit. Moska nuk e kupton diplomacinë me kritika dhe sanskione, u shpreh Putin.

Putin reagon kështu, sepse Moska ka vite tashmë që ka lidhje shumë të ngushta me Teheranin dhe është kthyer në një ndër furnizuesit e saj kryesorë me teknologji bërthamore. Sanksionet e OKB-së ndaj Iranit do të dëmtonin edhe këtë biznes kaq lukrativ për Rusinë, ndonëse edhe aty të gjithë janë të bindur se Irani kërkon të ndërtojë armë bërthamore.

Që kur filloi fushata kundër Iranit, dihet se Rusia nuk do ta jepte votën e saj pro sanskioneve nga ana e OKB-së. Tani edhe qeveria e Pekinit, e cila ka gjithashtu interesa të larta ekonomike me Iranin, e mbështet qëndrimin e Rusisë. Pra nuk pritej asnjëherë vërtet ndonjë sanskion nga OKB-ja.

Por Teherani nuk ka shkelur deri tani asnjë marrëveshje apo ligj lidhur me politikën bërthamore. Qeveria iraniane ka deklaruar se nuk ka asnjë qëllim për të ndërtuar armë bërthamore dhe se ndjek vetëm qëllime paqësore me politikën e saj bërthamore. Por sidomos SHBA-s janë të bindura se Irani po luan një lojë të dyfishtë. Ndryshe nga superfuqitë e tjera atomare si India, Pakistani dhe Izraeli, me të cilat SHBA-s kanë marrëdhënie shumë të mira, Irani ka nënshkruar marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe megjithatë, ky shtet trajtohet nga SHBA-s si një shtet i rrezikshëm.

Në fillim evropianët nuk ishin të bindur nga strategjia e SHBA-s dhe donin t´u dëshmonin atyre se rruga e diplomacisë është më e frytshme se ajo e dhunës. Por tani ata filluan ta kërcënojnë qeverinë në Teheran me sanskione nga Kombet e Bashkuara. Por këto këcënime nuk vlejnë, sepse Rusia dhe Kina nuk e pranojnë një gjë të tillë. Madje tani këtyre dy shteteve do t´u bashkangjitet edhe Korea e Veriut, e cila sheh tek çdo armik i SHBA-s një mik të vërtetë.