Mauring: Kombet e Bashkuara përkushtohen për një Kosovë multietnike | Ballkani | DW | 31.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mauring: Kombet e Bashkuara përkushtohen për një Kosovë multietnike

Kombet e Bashkuara shënuan disa ditë më parë edhe në Kosovë ashtu si në tërë botën ditën e tyre të themelimit. Me këtë rast Frode Mauring, koordinator i agjensioneve të OKB-së në Kosovë dhe përfaqësues i përhershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – UNDP.

Frode Mauring

Frode Mauring

Zoti Mauring, sa i kënaqur jeni me arritjet e deritanishme të agjensive të OKB-së në Kosovë?

Frode Mauring: Agjencitë e OKB-së ndodhen në Kosovë jo si pjesë e UNMIK-ut apo e rezolutës 1244. Ne këtu ndodhemi me një qëllim tjetër, që të ndihmojmë zhvillimin, dhe për këtë do të jemi këtu edhe në të ardhmen. Besoj se, deri tani ka pasur shumë aktivitete që kanë përkrahur zhvillimin e Kosovës përderisa Kosova është duke shkuar drejtë qartësimit të statusit. Natyrisht në të ardhmen sfidat do të mbesin dhe do të rriten për agjencitë e zhvillimit. Disa agjenci janë më të specializuara se të tjerat. Për shembull UNICEF-i punon më shumë në çështjen e fëmijëve, ndërsa UNFPA apo UNHCR-ja për të zhvendosurtit, dhe UNIFEM për çështje të grave. Të gjitha këto agjensi kanë përkrahur në këto çështje specifike zhvillimin e Kosovës. UNDP-ja dhe Banka Botërore, si agjenci me mandat më të gjerë kanë përkrahur çështje si ngritja e kapaciteve në përgjithësi. UNDP përkrah edhe axhendën e kthimit dhe është organizata që ka ndihmuar numrin më të madh të të zhvendosurve në Kosovë, që nga viti 1999. Zhvillimi ekonomik është gjithashtu një fushë e madhe për të dy institucionet, pasi Kosova duhet të jetojë nga diçka dhe papunësia në Kosovë është çështja më e rëndësishme për uljen e varfërisë. Së voni sektori i sigurisë është bërë një gjë e rëndësishme ashtu si edhe çështja e decentralizimit. Edhe kjo është një gjë që do ta përkrahim në të ardhmen, pasi kjo është një çështje me prioritet në tranzicion.

Agjensitë e OKB-së në përgjithësi dhe UNDP në veçanti, i kushtojnë rëndësi të madhe multietnicitetit. Cilat janë fushat konkrete të veprimit?

Frode Mauring: Jemi të përkushtuar për një Kosovë multietnike, por jo vetëm për një Kosovë të tillë. Më parë unë kam qenë në Maqedoni edhe atje kam qenë promotor i multietnicitetit. Në një botë të globalizuar nuk mund të mendohet për një komb që jeton në kuadër të disa kufijve dhe që 100 përqind të banorëve janë të një kombi. Kjo do të thotë që në secilin vend modern evropian duhet të çmohet dhe të ruhet diversiteti. Atë që UNDP bën më konkretisht është sigurimi i të drejtës për kthim të të zhvendosurve. Kjo e drejtë është një mënyrë për të siguruar multietnicitetin. Ka shumë vende në Kosovë ku shumica e banorëve të një zone kanë qenë serbë, e diku kanë qenë shqiptarë. Ne kemi punuar që njerëzit të kthehen në vendet prej nga janë dhe aty ku janë pakicë. Për këtë kemi qenë të suksesshëm. Kemi ndihmuar kthimin e serbëve në komunën e Klinës dhe Ferizajt dhe gjithashtu kthimin e shqiptarëve në Leposaviq në veri dhe romët në vende si Suhareka dhe Istogu, ku ka edhe kthim të serbëve. Këto janë vetëm shembuj se si operojmë në këtë fushë. Në bazë të të gjitha anketimeve që bëjmë në UNDP kemi parë se, njerëzit e etniciteteve të ndryshme pajtohen që të punojnë së bashku dhe të bëjnë biznes së bashku, kështu që kjo është një mënyrë për të përkrahur multietnicitetin. Më konkretisht në Mitrovicë kemi dashur së fundi të ndihmojmë në pastrimin e lumit Ibër. Kështu kemi përfshirë 120 njerëz nga etnicitetet e ndryshme që kanë punuar në ekipe multietnike. Dhe kjo gjë pati rezultate fantastike. Pas konfliktit në vitin 1999 shumë njerëz nuk i kanë parë fqinjët e tyre, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë serb nuk janë takuar apo zbavitur me moshatarët e tyre shqiptarë dhe anasjelltas. Kjo ka kruijuar një imazh në kokat e tyre se që ka shkaktuar moskuptim. Tashti ata punojnë së bashku për interesat e përbashkëta. Disa prej tyre kanë vazhduar të mblidhen së bashku të luajnë futboll apo për aktivitete të tjera sociale. Pra bashkimi i njerëzve nëpërmes punës është një mënyrë e mirë për të siguruar multietnicitetin.

Cila është rruga më e shpejtë për arritjen e një paqe të qëndrueshme, prania ushtarake apo programet zhvillimore?

Frode Mauring: Absolutisht mendoj se pas vitit 1999 është dashur të futet elementi i sigurisë për të siguruar stabilitet. Mirëpo përderisa urrejtja që ka ekzistuar më 1999 tashmë është duke rënë, konflikti është duke i takuar shumë e më shumë të kaluarës dhe urrejtja nuk është ashtu siç ka qenë. Ka qenë një situatë e ngjashme, normal në një nivel më të ultë edhe në Maqedoni, ku kam shkuar pas konfliktit më 2001, kur njerëzit nuk donin të bënin asgjë së bashku. Por me kalimin e viteve ky përceptim negativ midis grupeve ka qenë në rënie ndërsa tashti është duke u normalizuar. Gjithashtu edhe këtu ka lëvizje pozitive dhe kështu do të vazhdojë. Një gjë që UNDP ka filluar të punojë në decentralizimin e ofrimit të shërbimeve në nivel lokal dhe duke i angazhuar njerëzit në nivelin lokal në komunat multietnike ata shohin se, kanë më shumë gjëra të përbashkëta se sa gjëra që i ndajnë. Pa marrë parasysh a je serb, goran, boshnjak apo shqiptar je i brengosur për kualitetin e shkollës në të cilën shkojnë fëmijët, për shëndetin për ujin në shtëpi, për elektricitetin, rrugë të mira ndoshta edhe një vend për fëmijët që të luajnë në lagje, kur mendohet për këto zhvillohet një ndjenjë që këto gjëra në nivelin lokal janë të përbashkëta.

Zoti Mauring, i kthehemi edhe njëherë projekteve për kthimin e të zhvendosurve në vatrat e tyre. Ju jeni akuzuar së fundi nga Ministria për Kthim dhe Komunitete për keqmenaxhim të fondeve. Sa qëndrojnë këto akuza?

Frode Mauring: Së pari nuk mendoj se ka pasur akuza për keqmenaxhim të fondeve, ato më shumë kanë qenë shprehje e frustrimeve se gjërat vonohen në procesin e kthimit dhe është një dëshirë e shprehur nga Ministri (Petkovic) që të shpejtohet procesi i kthimit. Për këtë do të thoja që kthimi nuk është vetëm rindërtimi i shtëpive. Duhet të ketë një qasje më të gjërë, për këtë koncepti ynë ka qenë kthim i integruar. Rindërtimi i shtëpive që janë shkatërruar është një nga elementet, mirëpo njerëzit nuk do t’i sjellin familjet e tyre në Kosovë nëse nuk ka shkolla, nuk do të kthehen nëse infrastruktura nuk është regulluar dhe natyrisht nuk do të kthehen nëse nuk kanë ka të punojnë dhe nuk mund të sigurojnë jetën e tyre. Pra të gjitha këto duhet të mirren në konsideratë. Dhe natyrisht të drejtat pronësore kohë pas kohe paraqesin sfida. Pasi u tha kjo të gjitha aktivitetet e bëra në pajtim me Ministrinë në dhjetor të vitit të kaluar do të përfundohen para përfundimit të sezonit të ndërtimit. Kështu që ne jemi duke punuar me plan dhe projektet kanë kushtuar më pak kështu që tashti jemi në gjendje të shtojme aktivitetete tjera të kthimit me paratë që na kanë tepruar.

Dhe në fund një pyetje hipotetike. A besoni që pas pesë vitesh në Kosovë do të funksionojë bashkëjetesa edhe pa praninë ushtarake, por vetëm me praninë e agjensioneve të OKB-së?

Frode Mauring: Stabiliteti është një gjë, zhvillimi është një gjë tjetër. Kështu që ne na duhet KFOR-i dhe ne i duhemi KFOR-it.

  • Data 31.10.2006
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbX
  • Data 31.10.2006
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArbX
Reklamë