Matias Placek dhe dobësitë e sistemit shkollor gjerman | Studimi në Gjermani | DW | 03.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Matias Placek dhe dobësitë e sistemit shkollor gjerman

Zhvillimet në skenën e brendëshme politike gjermane dhe negociatat për koalicionin qeveritar edhe sot janë ndër temat kryesore të gazetave gjermane. "Frankfurter Allgemeine Zeitung" i referohet zhvillimeve në partinë socialdemokrate dhe vendimit që Matias Placek të kandidojë për postin e kryetarit të partisë.

default

"Kandidati për kryetar të SPD-së nuk i përgjigjet aspak klisheve të një politikani lindor, gjë që u pa edhe në fjalimin e tij të fundit, me rastin e festës së bashkimit të vendit. Ai nuk është një politikan që nuk ankohet dhe të lë përshtypjen se mund t'i realizojë qëllimet. Për një kohe të gjatë kërkon të jetë avangardist. Ai nuk është si shumë politikanë tjerë nga lindja. Me plot guxim thotë se ka shumë gjëra t'u tregojë edhe politikanëve nga perëndimi, sepse ndërkohë i njeh të dyja palët: Gjermaninë e sotme dhe Gjermaninë e dikurshme lindore. Ai e njeh shkëlqimin dhe anët negative të të dyja sistemeve. Njëherë ai tha se ëndërron të fluturojë në gjithësi, për të ditur sa më shumë dhe për të qenë shumë lartë", komenton gazeta "Franfkurter Allgemeine Zeitung".

Zhvillimeve në partinë socialdemokrate vëmendje të posaçme i kushton edhe "Franfurter Rundshau":
"Pas zhvillimeve të fundit për partinë socialdemokrate është e rëndësisë së dorës së parë zhvillimi i debatit për ardhmërinë. Ky ishte edhe shkaku i vërtetë për errupcionin e emocioneve, sepse një parti e madhe e ka të qartë se sa janë cënuar pozicionet e saja. Jo vetëm për shkaqet e jashtme dhe globalizimit, për shkak të konkurrencës mes partive politike dhe frika nga ardhmëria. Por edhe për shkak të dobësive për realizimin e premtimeve të dhëna".

Me të njëjtën temë merret sot edhe gazeta "Münchner Merkur", e cila konstaton:
"Placek e ka për detyrë që të ribashkojë krahët e partisë së tronditur pas erës së Gerhard Shrëderit. Ai jo vetëm që duhet të bëjë ndryshime në parti, ta bëjë rinovimin e saj, por njëkohësisht është i detyruar ta udhëheqë partinë në kohën e një koalicioni të madh me kundërshtarin kryesor politik. I detyruar? Po pra, sepse në momentin e tanishëm pa Shrëderin dhe Mynteferingun, partia socialdemokrate nuk mund të llogaritë me fitoren e zgjedhjeve të reja. Kjo detyrë e cila në shikim të parë duket e pazgjidhëshme, për Placekun është edhe një shans. Për një kohë të gjatë ai të paktën mund ta disciplinojë partinë e vet. Gjatë kësaj periudhe partisë duhet t'i jep një ngjyrë tjetër dhe t'i ribashkojë krahët e përçarë politik".

Lidhur me rolin e ardhëshëm të Matias Placek shkruan sot edhe "Saarbrücker Zeitung":
"Matias Placek ia doli ta krijojë një ekip të cilit mund t'ia besojë detyrën që për një kohë të shkurtër të tejkalojë fiaskon social - demokratik. Mirëpo mbetet të shihet se si Myntefering do të legjitimohet si zëvendëskancelar. Ekziston mundësia që ai të mos ketë besim ndaj kryesisë së re politike. Nëqoftëse SPD sërish do të futet në ujëra të qeta, atëherë me siguri që duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes Mynteferingut dhe Placekut. Në të kundërtën kërcënon rreziku e përçarjes në dy grupe. Në këtë rast me siguri që as koalicioni i madh nuk do të mbijetonte një mandat të plotë".

Ndërrojmë temë dhe kalojmë tek studimi më i ri i Pizës për nivelin e arsimit, ku Gjermania sërish nuk shënon rezultate të mira. "Stutgarter Zeitung" shkruan:
"Një mesazh alarmues është fakti se fëmijët relativisht mirë mund t'i zgjidhin problemet, por nuk janë të aftë për lexim dhe llogari të mira. Këtu duhet shtuar edhe dallimet shumë të mëdha mes shkollave. Duket se nxënësit kanë nevojë për më shumë mbështetje."

Ndërsa "Kölner Stadt-Anzeiger" komenton:
"Nxënësit e rrezikuar nuk është ndonjë fjalë e mirë. Mirëpo fakti që në landin Nordrajn Vestfalen dy të tretat e nxënësve ndërkohë meritojnë këtë titull, paraqet një katastrofë të vërtetë. Është merita e studimeve Piza që dëshmon këto të dhëna. Rruga në të cilën duhet të shkojmë drejt përmirësimit të gjendjes së nxënësve nga shtresat më të ulta sociale, është nxitja e fëmijëve për mësim dhe kurset e gjuhës për fëmijët e të huajve. E gjitha kjo kushton. Mirëpo në qoftë se shteti nuk ndanë më shumë mjete për këto qëllime, do të thotë se ka hequr dorë nga një pjesë e ardhmërisë së tij".

  • Data 03.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art2
  • Data 03.11.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Art2