Masa ndëshkuese kundër Rusisë: SHBA sanksionojnë rrethin e afërt të Putinit | Bota | DW | 03.08.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Masa ndëshkuese kundër Rusisë: SHBA sanksionojnë rrethin e afërt të Putinit

SHBA kanë vendosur sanksione të reja ndaj personave nga Rusia, përfshirë mikeshën e supozuar të Presidentit Putin. Leja për të hyrë në SHBA e Kabaevas është pezulluar. Janë ndëshkuar edhe të tjerë të afërt me Putinin.

Pas Britanisë dhe BE, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione edhe ndaj të dashurës së supozuar të presidentit rus Vladimir Putin. Departamenti Amerikan i Thesarit thotë se ka shtuar në listën e sanksioneve ish-gjimnasten Alina Kabaeva. Leja e saj për të hyrë në SHBA është pezulluar. Gjithashtu, janë vendosur sanksione ndaj pasurisë së saj.

39-vjeçarja - ish-deputete e Dumës së Rusisë - ka një "marrëdhënie të ngushtë me Putinin" dhe është drejtuese aktuale e Grupit Mediatik Kombëtar të Kremlinit. BE gjithashtu e sheh atë si "të lidhur ngushtë" me Putinin. BE dhe Britania kishin vendosur tashmë sanksione në maj ndaj ish-kampiones olimpike, e cila besohet se është e lidhur me Putinin.

Sanksione kundër oligarkëve

Departamenti Amerikan i Financave njoftoi gjithashtu sanksione kundër një sërë personash, kompanish dhe institucionesh të tjera ruse. Midis tyre është miliarderi Andrei Gouriev, shefi i gjigantit PhosAgro dhe djali i tij.

Në Britani, Guriev zotëron pronën Witanhurst - sipas Thesarit të SHBA, prona e dytë më e madhe në Londër pas Pallatit Buckingham. Ai është gjithashtu pronar i jahtit luksoz "Alfa Nero”, më shumë se 80 metra i gjatë, i cili sapo është futur në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Financave.

Yellen: Aleatët e Putinit janë pasuruar

"Ndërsa njerëzit e pafajshëm po vuajnë nga lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë, aleatët e Putinit janë pasuruar”, tha Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen.

Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Në objektiv janë edhe oligarkët afër Putinit. Në prill, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër vajzave të rritura të Putinit, Katerina Vladimirovna Tikhonova dhe Maria Vladimirovna Vorontsova.

dlf, tgsch