Maqedonia voton | Ballkani | DW | 30.09.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia voton

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote janë ftuar t'i përgjigjen pyetjes: "A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqisë".

Votimi zhvillohet në 3.480 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit ndërsa do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) kumtoi se deri në orën 11:00, në votime kanë dal 8.12 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Nga KSHZ-ja thanë se deri në orën 11:00 kanë pranuar shtatë ankesa, tri prej të cilave janë refuzuar ndërsa të tjerat janë duke u shqyrtuar.

Shënohen incidentet e para

Nga hapja e vendvotimeve deri tani janë regjistruar gjithsej katër incidente, ndërsa autorët janë dërguar në stacion policor, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Toni Angellovski.

"I ftoj qytetarët të respektojnë ligjet dhe të përmbahen nga çfarëdo prishje e rendit publik dhe qetësisë dhe fshehtësisë në votim. Çdo sjellje në kundërshtim me ligjet, MPB nuk do të tolerojë me qëllim të sigurojë votim të papenguar dhe të qetë", ka apeluar Angellovski

Organizata joqeveritare për ndjekje të procesit të votimit CIVIL ka dalë në konferencë për shtyp lidhur me procesin e votimit duke potencuar disa parregullsi, kryesisht për mungesë të votuesve nëpër listat e votimit. Nga CIVIL thonë, se ankesat janë përgjithësisht rreth organizimit brenda vendvotimeve

"Apelojmë deri tek komisionet zgjedhore që të krijojnë kushte për të votuar. Nuk punojnë UV llambat në disa vendvotime. Në disa komuna të Shkupit u shënua vonesë e hapjes së vendvotimeve. Disa grafiti janë edhe në muret e ndërtesave ku zhvillohet votimi, siç është rasti në Jegunovcë dhe Petrovec", ka deklaruar kryetari i OJQ Civil Xhabir Deralla.

Lideri i opozitës maqedonase bojkoton referendumin

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski deri më tani nuk kishte qëndrim, nëse do të dalë të votojë ose jo. Nga VMRO sot është konfirmuar se kryetari Mickovski nuk do të votojë. Qëndrimi i tij i sotëm është në kundërshtim me atë të faktorit të jashtëm, pasi ata vazhdimisht kanë bërë thirrje të mos bojkotohet referendumi. Pos tij referendumin po e bojkoton edhe presidenti Gjorge Ivanov.

Zaev: Shpresoj në masivitetin e daljes në votim

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas votimit në referendumin e së dielës, ka shprehur besimin e plotë se votimi do të jetë i suksesshëm dhe se me këtë do të plotësohet dëshira e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. "Sot është festë e vërtetë. Unë pres që përmes masivitetit në votime, me pjesëmarrjen e madhe, edhe një herë të konfirmohet uniteti multietnik i qytetarëve tanë dhe uniteti i përgjithshëm politik i qytetarëve pa dallim përkartësinë politik. Unë besoj se një shumicë e madhe e qytetarëve do të jenë pro pasi më shumë se 80 përqind e qytetarëve janë për NATO-në dhe BE-në. Kjo shumicë dërrmuese si në çdo demokraci, do të jetë një udhërrëfyes i saktë, për ne politikanët dhe për kuvendin që t'i ndjek dëshirat e qytetarëve dhe në fund Kuvendi do të votojë për këtë dëshirë të tyre, pasi atje konfirmohet e ardhmja jonë", ka deklaruar Zaev.

Ahmeti: Pas 1 tetorit do të jemi më afër NATO-s dhe BE-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti votimin e të dielës e ka vlerësuar si historik për të ardhmen e vendit, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e qytetarëve. Ahmeti ka thënë, se pret që nga 1 tetori Maqedonia të jetë më pranë BE-së dhe NATO-së. "Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj se këtij procesi të rëndësishëm qytetarët me qetësinë më të madhe edhe do t'i përgjigjen. Unë pres që qytetarët në këtë referendum të vendosin për të ardhmen e tyre", ka deklaruar Ahmeti.

Për të qenë i suksesshëm referendumi duhet që të dalin në votim 50%+1 votues nga lista zgjedhore, apo rreth 903 mijë qytetarë. Për të vendosur qytetarët për njërin nga dy opsionet, Pro apo Kundër duhet që njëra palë të ketë 50%+1 votë më shumë se opsioni tjetër.

Të gjithë partitë shqiptare së bashku me bllokun e partive të koalicionit me LSDM-në e Zoran Zaevit janë deklaruar Pro dhe kanë bërë fushatë.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka vendosur që mos të ketë qëndrim, duke ju thënë mbështetësve që të veprojnë vetë, "duke dëgjuar dhe respektuar arsyen individuale".

 

Reklamë