1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në pritje të raportit të BE

Fatos Musliu31 Tetor 2015

Një javë para publikimit të raport progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, në vend ka debat nëse do ta ruajë Maqedonia statusin e kandidatit ose do ta humbë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për në BE.

https://p.dw.com/p/1GxWE
Mazedonien EU Flaggen
Fotografi: AP

Komisioni Evropian më datën 5 nëntor do të publikojë raport progresin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Maqedonia në këtë rrugëtim, duke pasur parasysh krizën aktuale politike, do të mund të merrte rekomandim të kushtëzuar për anëtarësim në BE, raportojnë mediat proqeveritare në Maqedoni. Por që të marrë një rekomandim të kushtëzuar, Maqedonia do të ketë si kusht zbatimin e marrëveshjes së Përzhinës. Diplomatët nga Brukseli kanë konsideruar se tërheqja e rekomandimit mund të ketë pasoja negative për vendin dhe ekonominë e saj. Përmbyllja e raportit të progresit për Maqedoninë disa herë është anuluar për shkak të ngecjeve të bisedimeve të katër partive politike në Maqedoni e që kanë të bëjnë me tejkalimin e krizës politike.

Humbja e rekomandimit kthen Maqedoninë mbrapa

Humbja eventuale e rekomandimit do të thotë thellim i krizës politike dhe radikalizim i konfrontimit politik, por në këtë situatë nuk do të mungojë edhe presioni i qytetarëve për humbjen e ardhmërisë evropiane të vendit , vlerëson Malinka Ristovska-Jordanova nga instituti për Politikë Evropiane. “ Gjasat për humbjen e rekomandimit janë 50-50, sepse të sillet një vendim i këtillë nuk është i lehtë edhe për Komisionin Evropian”, thotë Malinka Ristovska Jordanova nga Instituti për Politikë evropiane.

Eksperti Nano Ruzhin vlerëson se Maqedonia nuk mund të presë ndonjë progres pozitiv duke patur parasysh dështimin e partive politike në tryezën e negociatave për tejkalimin e krizës politike. “ Raporti negativ është forma më beninje për ndëshkimin e Maqedonisë për pushtetin e papërgjegjshëm. Por më e keqe se raporti negativ, është fakti se elita e qeverisë në Maqedoni nuk shqetësohet për humbjen e rekomandimit për anëtarësim në BE”, shprehet Nano Ruzhin.

Mazedonien Krisengespräch in Skopje
Komisioneri i BE-së, Hahn (në qendër) me politikanët maqedonas të qeverisë e opozitës për zgjidhjen e krizës që goditi këtë vit MaqedoninëFotografi: MIA

Sela :Politikanët vendas po tregohen të papërgjegjshëm

Nëse Maqedonia humb rekomandimin apo në variantin më të mirë do të marrë rekomandim të kushtëzuar, do të mund të pasojë izolimi i vendit nga faktori ndërkombëtar, një situatë e tillë do të sjellë pasoja të mëdha dhe kaos në shtet, thotë profesori universitar Ylber Sela. “Në Bruksel për Maqedoninë kohëve të fundit nuk mund të dëgjohen fjalë të mira. Për Maqedoninë flitet për korrupsion, për kriminalizim, për mosrespektim të obligimeve. Mos implementimi i marrëveshjes së Përzhinës tregon për papjekurinë e elitës politike në vend”, shprehet Ylber Sela.

Politkologu Muhamed Jashari thotë se humbja eventuale e rekomandimit do të vendosë anëtarësimin e Maqedonisë në BE në themelet e lëkundshme, meqë do të rrezikohej procesi eurointegrues i vendit. “Pas kësaj Maqedonia mund të ballafaqohet me një izolim ndërkombëtar, një gjë e tillë u paralajmërua nga përfaqësues të BE-së”, shprehet Jashari.

A ka nevojë Maqedonia për presion shtesë?

Profesori universitar Bekim Kadriu thotë se për herë të parë mund të ndodhë që Maqedoia të marrë raport negativ, jo për çështjen e emrit por për papërgjegjshmërinë e elitës politike dhe joseriozitetin e tyre të treguar gjatë bisedimeve për tejkalimin e krizës politike. “Gjatë negociatave për krizën politike që po mbahen me ndërmjetësim të BE-së, institucionet e vendit dhe politikanët po tregojnë se nuk kanë kapacitet dhe nuk i respektojnë vlerat demokratike që janë shtylla kryesore të BE-së. Nëse nuk respektohen këto kritere atëhere si mund Maqedonia të shpreson në një raport pozitiv”, shprehet profesori Bekim Kadriu.

Bojan Mariçiç nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian vlerëson se BE respektivisht Komisioni Evropian duhet që përmes raortit të progresit të bëjë presion ndaj zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni. “Nëse KE e tërheq rekomandimin, ajo mund të jetë shenjë se BE-ja po largon duart nga Maqedonia. KE nga ana tjetër e ka të vështirë të dalë me një raport pozitiv kur në Maqedoni ekziston një situatë status- quo për zgjidhjen e krizës politike”, shprehet Mariçiç.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian ka thënë se drafti i raportit të progresit për Maqedoninë akoma është i hapur. Gjithnjë sipas saj situata në Maqedoni po ndiqet me vëmendje nga Brukseli duke refuzuar të komentojë përmbajtjen e raportit. Maqedonia ishte vendi i parë nga Ballkani Perëndimor kur në vitin 2001 nënshkroi Marëveshjen për Stabilizim dhe Asociim , ndërsa statusin e kandidatit e fitoi në vitin 2005. Nga ky vit, Maqedonia ka marrë gjashtë rekomandime pozitive për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, por problem kyç ka qenë çështja e mos zgjidhjes së kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë.