1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut së shpejti me qeveri të re

11 Janar 2022

Mandatari për kryeministër të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, lideri i Socialdemokratëve Dimitar Kovaçevski dorëzoi në Parlament përbërjen dhe programin e punës së qeverisë së re.

https://p.dw.com/p/45OP9
Nordmazedonien Politiker Dimitar Kovacevski
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Përbërja e qeverisë ka emrat e ministrave nga LSDM, BDI, PLD dhe Alternativa. Dikasteret janë në përputhje me përgjegjësitë e marra në qeveri dhe në përputhje me Programin e Qeverisë. Programi është vazhdimësi e legjitimitetit zgjedhor të fituar në zgjedhjet e vitit 2020, duke inkorporuar angazhimet ekonomike të partnerit të ri të koalicionit Alternativa, si dhe synimet e reja programore që dolën nga sfidat e reja me të cilat do të përballet kjo qeveri”, ka deklaruar mandatari për formimin e qeverisë Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, prioriteti kyç dhe i parë i qeverisë do të jetë ballafaqimi me krizën energjetike në vend, e cila është njëherazi edhe krizë energjetike evropiane.

"Prioriteti i dytë është ruajtja e standardit të jetesës së qytetarëve dhe kompanive në kushtet e krizës ekonomike që vjen nga kriza energjetike dhe i treti është përmbushja e objektivave, për sa i përket projekteve madhore infrastrukturore”, u shpreh Kovaçevski.

Zgjidhja e kontestit me Bullgarinë mbetet prioritet

Kovaçevski theksoi se hapja e negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i plotë mbeten alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut. Andaj marrëveshja me Bullgarinë për zgjidhjen e kontestit për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe heqjen e vetos për procesin e integrimit evropian, do të jenë prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

"Një nga prioritetet e Qeverisë që do të drejtoj është zgjidhja e pranueshme e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke ruajtur vlerat evropiane, si dhe dinjitetin e të dyja vendeve, për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian, respektivisht heqjen e vetos për mbajtjen e konferencën ndërqeveritare me BE pas së cilës Republika e Maqedonisë së Veriut do të shënojë edhe zyrtarisht nisjen e negociatave të integrimit evropian”, deklaroi Kovaçevski.

Stevo Pendarovski dhe Dimitar Kovacevski
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Opozita pesimiste për premtimet e mandatarit

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski për përbërjen e re qeveritare  thotë se ajo përmban të njëjtat personazhe, politikat e të cilëve u mposhtën në zgjedhjet e fundit lokale, por edhe personazhe që nuk janë aspak mbresëlënëse, duke vlersuar se ata në këto pozita vijnë si roje të zaevizmit.

"Në këtë qeveri janë të njëjtët personazhe, e kemi Lupço Nikollovskin, që ishte në krye të antikorrupsionit në kohën kur kjo qeveri është në vendin e parë në të gjitha shkallët për korrupsion. Sërish ministër është Mariçiq, i cili njihet për padrejtësitë dhe kaosin në drejtësi. Në Qeveri do të jetë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili është mbrojtësi kryesor i mafies dhe gjatë mamdatit të tij kanë ndodhur skandalet më të mëdha lidhur me kontrabandat e ndryshme, pasaportat dhe vrasjet e pazbardhura”, u shpreh kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë 17 ministri dhe katër zëvendëskryeministra. Bashkimi Demokratik për Integrim do të ketë gjashtë ministri, ndërsa Alternativa do të drejtojë dy ministri. Kjo parti do të ketë edhe një ministër pa portofol, i angazhuar për diasporën. Debati mbi programin e qeverisë dhe përbërjen e saj do të zhvillohet në fundjavë.

Dimitar Kovaçevski do të zëvendësojë në krye të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen për shkak të humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale, që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.