1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut pret me optimizëm fillimin e negociatave

3 Korrik 2020

Pas përfundimit të tekstit të kornizës negociuese me BE-në Maqedonia e Veriut është optimiste për presidencën gjermane, e cila është mbështetëse e madhe e rrugës evropiane të vendit.

https://p.dw.com/p/3ehWA
Hissen der EU-Flagge am Europa Tag in Nordmazedonien
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Komisioni Evropian ka prezantuar kornizën negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në BE. Me këtë kornizë caktohen udhëzimet për procesin negociator i cili nëse do të ketë pajtim nga të gjitha shtetet anëtare do të mund të fillojë para fundit të këtij viti. Komisioneri i BE-së për Fqinjësi, Oliver Verhelyi ka thënë se ky është edhe një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre evropiane. Kjo gjë dëshmon edhe përkushtimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit, ka thënë Verhelyi.

"Pres që diskutimet me shtetet anëtare të nisin sa më shpejt, sikurse konferenca e parë ndërqeveritare me dy shtetet kandidate. E ardhmja e tyre është qartë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i bindur se ato do të vazhdojnë të kenë sukses në reformat në rrugën e tyre evropiane, ashtu siç kanë bërë edhe deri tani” ka thënë komisionari Verhelyi.

Osmani: Gjermania mbështetëse e madhe e rrugës tonë evropiane

KE-ja ka përfunduar tekstin e kornizës negociuese dhe ia ka dorëzuar Këshillit të BE-së. Ky është vetëm një projekt-version dhe pritja ime është që teksti përfundimtar të pranohet deri në tetor, thotë zëvendëskryeministri Bujar Osmani. Gjermania ka paralajmëruar se gjatë kryesimit të saj në Bashkimin Evropian do të propozojë nisjen e negociatave me këto dy shtete për të dëshmuar përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor. "Është mirë që kjo po ndodh gjatë presidencës gjermane, e cila është një mbështetëse e madhe e rrugës sonë evropiane”, shprehet Bujar Osmani.

Olivér Várhely (R) EU-Erweiterungskommissar und Bujar Osmani stellvertretender Premierminister für europäische Angelegenheiten in Nord-Mazedonien
Olivér Várhely dhe Bujar OsmaniFotografi: EU/Lukasz Kobus

Osmani sqaroi se me mekanizmat e rinj të procesit të negociatave, shpejtësia dhe progresi do të varen nga vetë ne, por edhe se KE-ja do të ketë mekanizëm për të njohur dhe zvogëluar qasjen në fondet e BE-së nëse ekziston një ngërç në procesin negociues.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane në Maqedonin e Veriut Bujar Osmani ka thënë se dinamika e negociatave me BE-në do të ndikohet nga zgjedhjet e ndershme dhe konkurruese më 15 korrik dhe formimi i institucioneve politike menjëherë pas zgjedhjeve.

"Tani, dy javë para zgjedhjeve, duhet të priten rezultatet e zgjedhjeve dhe menjëherë pas kësaj duhet të mbahet mbledhje e liderëve. Unë mendoj se dinamika e negociatave do të ndikohet nga dy gjëra. Së pari këtyre 15 ditëve, pjekuria jonë politiko-demokratike për të organizuar zgjedhje të ndershme, konkurruese dhe së dyti nëse menjëherë me 16 korrik, prioriteti ynë do të jetë formimi i institucioneve politike dhe konsensusi me qëllim që të na gjejë të gatshëm për fillimin e negociatave. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse çdo ditë humbje pas zgjedhjeve në formimin e institucioneve politike do të ndikojë në dinamikën e fillimit të negociatave sepse afatet janë të tilla,” tha Bujar Osmani.

Zaev: Opozita duhet ta ndihmojë procesin e negociatave

Ish-kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, e vlerëson si tejet të rëndësishëm faktin se në propozim kornizën për negociatat me BE-në thuhet se në gjuhën maqedonase duhet të përkthehet legjislacioni evropian që për Zaevin është edhe një konfirmim dhe njohje për gjuhën maqedonase.

"Ne flasim gjuhë maqedonase e cila dalëngadalë po bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane bashkë me gjuhët tjera evropiane. Ky është patriotizëm, ky është kujdes për atdheun, për identitetin maqedonas”, ka thënë Zaev.

Zoran Zaev, Parteivorsitzdender der SDSM  Nord-Mazedonien
Zoran ZaevFotografi: DW/P. Stojanovski

Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare që ta përshëndesë këtë akt, si dhe të ndalojnë të gjitha gënjeshtrat se e kemi humbur gjuhën. "Ishin kundër integrimit në NATO dhe BE, kundër Marrëveshjes së Prespës, ishin kundër Ligjit për Prokurorinë Publike, Mickovski nuk duartrokiti kur këtu në Kuvend e miratuam Protokollin për anëtarësim në NATO. Sot le ta përshëndesin këtë hap të rëndësishëm të integrimit tonë evropian, le ta përshëndesin gjuhën maqedonase”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Komisioni Evropian ka rikujtuar se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të zhvillohen sipas metodologjisë së re të zgjerimit.