1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe Kosova do të bashkëpunojnë kundër kriminalitetit në kufi

14 Maj 2010

Ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska dhe homologu i saj kosovar, Bajram Rexhepi zhvilluan një takim në Shkup. Tema: bashkëpunimi i të dyja vendeve në luftë kundër kriminalitetit.

https://p.dw.com/p/NOVX
Armë në kufirin midis Maqedonisë e Kosovës
Armë në kufirin midis Maqedonisë e KosovësFotografi: MIA

Aksionet e policisë së Maqedonisë në dy vendbanime në afërsi të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës , situata e tensionuar në këtë rajon si dhe menaxhimi më i suksesshëm me vijën kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës , kanë qenë tema kyç për të cilat kanë biseduar Ministrja e punëve të brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska dhe homologu i saj kosovar Bajram Rexhepi.

Bashkëpunimi i shërbimeve policore të të dyja vendeve në veçanti në shkëmbimin e informatave më relevant do të mundësonte pengimin e shtrirjes së aktivitetit të grupeve që meren me trafikim ilegal të armëve në të dyja anët e kufirit , ka thënë ministrja e punëve të brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Synohet të shkatërrohet logjistika që mbështet krimin

“Konstatimi ynë i përbashkët ishte se vetëm me bashkëpunim të ndërsjellë dhe koordinim të mirë mund ta luftojmë në mënyrë efikase kriminalitetin ndërkufitar,” ka deklaruar Jankullovska. Ajo homologut të saj kosovar i ka dorëzuar një listë me emrat të personave, që dyshohet se janë të involvuar në trafikimin e armëve nga teritori i Kosovës në Maqedoni. Shkatërrimi i logjistikës, që ndihmon kriminelët do të jetë angazhim kryesor i shërbimeve policore të Maqedonisë dhe Kosovës, ka thënë Jankullovska.

“Grupet e armatosura dhe armatimi i konfiskuar nuk duhet të nënçmohen, sepse ato mund të shkaktojnë tensione me përmasa më të gjera në rajon,” ka thënë Jankullovska.

Gjithnjë sipas saj, policia maqedonase dhe kosovare do të ndërmarrin të gjitha masat për të ndaluar destabilizimin eventual të sigurisë në rajon.

Kosova nuk duhet të shihet në asnjë mënyrë si vend që gjeneron krizë dhe strehon kryerësit e aktiviteteve kriminale, ka thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Kosova është e përcaktuar të instalojë vlera evropiane në shërbimet policore ka thënë Rexhepi. Në rajone të caktuara malore lëvizja për fat të keq mund të bëhet e pakontrolluar, me koordinim të përbashkët ne mund të menaxhojmë më me efikasitet vijën kufitare.

“Një informim i ndërsjelltë do të na mundësojë që kjo lëvizje e lirë e grupeve kriminale ose trafiqeve me armë ta rritë efikasitetin në të dyja anët e kufirit,” ka deklaruar Bajram Rexhepi.

Tensionimi ose incidentet në njërin shtet reflektohen në mënyrë indirekte në shtetin tjetër, prandaj është më se e nevojshme një bashkëpunim më konkret i shërbimeve policore në të dyja anët e kufirit, ka thënë ministri kosovar Bajram Rexhepi. Policia e maqedonisë mbrëmë ka ndërmarrë një aksion të ri në fshatrat e Tetovës, në të cilin u arrestuan katër persona tek shtëpitë e të cilëve është gjetur një sasi e konsiderueshme e armëve ilegale.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi