Maqedonia është pjesë e Evropës dhe Evropa duhet ta pranojë si anëtare të BE-së | Ballkani | DW | 12.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia është pjesë e Evropës dhe Evropa duhet ta pranojë si anëtare të BE-së

Intervistë me Gabriela Schubert, profesore në Institutin e Slavistikës në unversitetin gjerman të Jenës

Shkupi

Shkupi

DW: Në vitin 1991 Maqedonia u shkëput prej ish-Jugosllavisë pikërisht në një moment kur Evropa i ishte drejtuar globalizimit. A ishte ky momenti i favorshëm për Maqedoninë dhe vendet e tjera që të ndaheshin prej bashkësisë jugosllave?

Schubert: Në këtë mes kemi dy lëvizje me kahe të kundërta, nga njëra anë bashkimi i Evropës dhe nga ana tjetër proceset e ndarjes në Evropën Juglindore. Gjithsesi unë mendoj se ky proces i ndarjes ishte i nevojshëm, sepse problemet që ishin grumbuluar deri në këtë kohë në Evropën Juglindore nuk do të mund të zgjidheshin me rrugë tjetër. Besoj se shumica e maqedonasve e vlerësojnë sot pozitivisht këtë hap dhe që zhvillimi i Maqedonisë pas pavarësisë ka qenë pozitiv. Megjithë problemet e fillimit mes maqedonasve dhe shqiptarëve, që morën edhe trajtën e përleshjeve të armatosura, sot bashkëjetesa mes tyre është relativisht paqësore. Po ashtu unë besoj se në rrjedhën e kohës do të kemi edhe një proces të bashkimit të vendeve të Evropës Juglindore dhe shuarjen e animoziteteve, që vazhdojnë të ekzistojnë deri në ditët e sotme.

DW: A ishte politika perendimore në mënyrë të mjaftueshme fleksibël për t'u përballur me konfliktet dhe dhunën në Ballkan dhe për zbutjen e tyre?

Schubert: Pjesërisht. Në Maqedoni u arrit që ngjarjet të rregulloheshin në paqe. Në pjesë të tjera të Evropës Juglindore (EJL), ky proces ishte tepër i vështirë dhe me pasoja negative. Unë mendoj se Evropa Perëndimore nuk reagoi me kohë as në Bosnjë, as në Kosovë. Për këtë unë mendoj se Evropa Perendimore ka luajtur një rol jo të qartë në Evropën Juglindore. Një gjë e tillë ka filluar të kuptohet vitet e fundit edhe në radhët e politikanëve evropianoperëndimore dhe unë shpresoj, se ata do të luajnë një rol tjetër në EJL. Duhet thënë se perceptimi i EJL në Evropën perëndimore vazhdon të mos jetë i kënaqshëm. Njohja e këtij rajoni në Perëndim është e tepër e pamjaftueshme dhe edhe interesimi për këtë zonë është i pamjaftueshëm.

DW: A mund të thuhet se pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe zhvillimeve ne në Ballkan sot dialogu mund të zhvillohet në mënyrë më të arsyeshme?

Schubert: Në Maqedoni mendoj se zhvillohet një dialog i arsyeshëm. Kurse në Kosovë kemi një gjendje të rrezikshme, sidomos në prag të zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës. Kështu p.sh. aty nuk është treguar kujdes për të sqaruar se si do të zhvillohet më tej dialogu në rast se Kosova do të bëhet e pavarur. Në Maqedoni mendoj se dialogu do të vazhdojë në formë pozitive, kurse në pjesët e tjera në EJL, psh. në Kosovë apo Bosnje, ky dialog nuk është zgjidhur në mënyrë ideale.

DW: Në Evropë po diskutohet kohët e fundit shumë në lidhje me bashkëjetesën mes feve të ndryshme, sidomos mes të krishterëve dhe myslimanëve. Edhe Maqedonia është një vend ku jetojnë si të kriterë, pra ortodoksë edhe myslimanë. A ka dallime në këtë drejtim?

Schubert: Në një farë mënyre po, por unë mendoj se myslimanët e Maqedonisë janë shumë më të përshtatur me mënyrën evropiane të jetesës, sesa myslimanët e tjerë në Evropë. Unë mendoj se, megjithë ndryshimet mes myslimanëve dhe ortodoksëve në Maqedoni, myslimanët aty praktikojnë një formë më të moderuar të islamizimit në krahasim me myslimanët e tjerë. Shekujt e tërë të bashkëjetesës në kuadër të Perandorisë Bizantine dhe më pas të asaj osmane në Ballkan kanë luajtur rolin e tyre. Ka shumë kronika nga periudha osmane në lidhje me festimet e përbashkëta të kremteve fetare si të ortodokse edhe të myslimanëve. Të gjitha këto kanë ndikuar në bashkëjetesën mes feve të ndryshme në EJL. Të gjitha këto janë gjëra me të cilat Evropa Perendimore nuk kishte ndonjë përvojë dhe nuk i njihte dhe që duhet t'i mësojë. Për këtë, kjo përvojë e Ballkanit duhet bërë e njohur në Evropën Perendimore. Unë mendoj se jo vetëm shkencëtarët duhet t'i dinë këto gjëra. Nuk ka kuptim që këtu njerëzit të jenë më të informuar për Afganistanin apo Irakun, se sa për vendet që gjenden në prag të dyerve të Evropës. Pra duhet bërë më tepër që njerëzit në perëdim të njihen me mënyrën se si mendojnë, jetojnë apo ndjejnë njerëzit në Evropën Juglindore. Këto janë edhe parakushtet për një Evropë të përbashkët.

DW: Për shkaqe historike vendet e Ballkanit nuk kanë pasur mundësi të marrin shumë përgjegjësi mbi vete dhe të mësojnë se si ushtrohet një gjë e tillë. Mos vallë edhe ndërhyrja e tanishme e Perëndimit mund të çojë në ndonjë stepje për të marrë përsipër iniciativë individuale?

Schubert: Këtë nuk e besoj. Eshtë e vërtetë që vendet e Ballkanit për shkak të historisë së tyre kishin pak mundësi për të marrë përgjegjësi mbi vete. Por unë besoj se jo ndërhyrja, por më mirë të themi prania e evropianoperëndimorëve në Ballkan do të çojë në përhapjen e traditave demokratike dhe të institucioneve demokratike sipas modelit perendimor në vendet e Ballkanit dhe se në këtë mënyrë do të zhvillohet edhe përgjegjësia individuale. Natyrisht që një gjë e tillë nuk mund të bëhet nga sot nesër, sepse edhe demokracia duhet mësuar. Dhe pikërisht në këtë drejtim unë mendoj se Evropa Perendimore ka përgjegjësinë e saj dhe se ajo duhet ta ushtrojë atë. Evropa duhet të kujdeset që në Ballkan të krijohen struktura që mund të çimentojnë demokracinë dhe të zhvillojnë iniciativën individuale të këtyre vendeve.

DW: Si i vlerësoni ju shanset e Maqedonisë për t'u anëtarësuar në BE duke u nisur nga fakti se Maqedonia ka një sërë problemesh edhe me fqinjët e saj?

Schubert: Maqedonia ka qenë gjithmonë mollë sherri në Ballkan. Ajo shtrihet në zemër të Ballkanit dhe është strategjikisht tepër e rëndësishme në të gjitha drejtimet. Në rrjedhën e historisë Maqedonia ka bërë pjesë në perandori të ndryshme deri sa fitoi në vitin 1990 pavarësinë. Për këtë pretendimet ndaj Maqedonisë ngrihen nga palë të ndryshme. Këtyre u shtohet edhe fakti që Maqedonia është nga pikëpamja etnike dhe gjuhësore një vend i përzier, si asnjë territor tjetër i Ballkanit dhe kjo e shtyn njërin apo tjetrin të ngrerë pretendime mbi këtë vend. Por Maqedonia tani ka pavarësinë e saj dhe shpresoj që BE-ja e vë re që Maqedonia po përpiqet së tepërmi për të përmbushur kërkesat që i shtrohen asaj prej BE-së dhe që Maqedonia sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të pranohet në BE. Unë besoj se Evropa Perendimore do të përpiqet për ta përfshirë edhe Maqedoninë në Evropë. Për ta përfshirë në Evropë, - edhe vetë ky formulim është i çuditshëm, sepse Maqedonia është pjesë e Evropës, pra më saktë është të thuhet jo që ta pranojë në Evropë, por ta pranojë zyrtarisht si anëtare të BE-së.

  • Data 12.09.2006
  • Autor Nada Steinmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arch
  • Data 12.09.2006
  • Autor Nada Steinmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arch
Reklamë