1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni:Ivanov refuzon dekretimin e marrëveshjes për emrin

26 Qershor 2018

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov ka vendosur të mos e dekretojë Marrëveshjen për emrin “Maqedonia e Veriut” të arritur mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë.

https://p.dw.com/p/30JXf
Mazedonien - Gjorge Ivanov - Albanisch zweite Amtssprache
Fotografi: picture alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Në kryerje të funksionit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë gjithmonë veproj me përgjegjësi dhe të drejtat e mia dhe detyrimet i kryej brenda kornizave të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Maqedonisë, thuhet në njoftimin me shkrim të presidencës dërguar kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferri. Në njoftimin e Presidencës numërohen pesë arsye përse presidenti Ivanov refuzon ta nënshkruajë ratifikimin e Ligjit për Marrëveshjen me Greqinë. Në arsyetimin e presidentit thuhet se marrëveshja është antikushtetuese dhe se çdo zyrtarizim, sipas kreut të shtetit, paraqet vepër penale.

"Nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin nacional maqedon, veçoritë e kombit maqedon, gjuhën maqedone dhe modelin maqedonas për bashkëjetesë”, thuhet në komunikatën e presidentit Gjorge Ivanov. Sipas tij, Marrëveshja për emrin është në kundërshtim edhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi në to, sipas Ivanovit, flitet për "dallime rreth emrit të shtetit dhe jo për dallime siç flitet në këtë marrëveshje”.

Presidenti Ivanov vlerëson se marveshja e sjell Maqedoninë në pozitën e shtetit të nënshtruar dhe të varur nga një shtet tjetër, përkatësisht nga Republika e Greqisë.

"Sipas nenit 308 të Kodit Penal, qytetari që e sjell vendin në pozitën e të nënshtruarit apo të varësisë ndaj ndonjë shteti tjetër, do të dënohet me së paku 5 vjet burg. Zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje krijon pasoja juridike që janë bazë për vepër penale”, vlerëson kreu i shtetit.

Boshnjakovski:Vendimi i Presidentit nuk pengon zbatimin e marrëveshjes

Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski pas refuzimit të Presidentit Ivanov për ta dekretuar marrëveshjen ka thënë, se një veprim i tillë nga presidenti është pritur duke pasur parasysh paraqitjet e tij në publik. Por, sipas Boshnjakovskit, vendimi i Presidentit nuk do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes. 

" Ishte një vendim i pritur nga Presidenti, por ky vendim nuk do të ndikojë në hapat që duhet të ndërmeren konkretisht në implementimin e marrëveshjes. Qeveria e Greqisë tashmë ka dërguar letër deri tek BE-ja dhe NATO-ja”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski.

Nga Qeveria rikujtojnë edhe një herë, se fjalën e fundit për marrëveshjen për emrin do ta japin qytetarët përmes referendumit, dhe se kjo shprehje e bindjes do të jetë obliguese për të gjitha subjektet dhe institucionet politike në Maqedoni.

Ligji përsëri kthehet në Kuvend

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, në rast të vetos nga presidenti i vendit, ligji sërish shkon në procedurë kuvendore, por atëherë do të duhet të votohet me shumicë absolute të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Ligji në këtë rast përsëri dërgohet tek presidenti, i cili sipas Kushtetutës, e ka detyrim që ta nënshkruajë.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në afat prej 30 ditësh nga votimi i ligjit për ratifikimin e marrëveshjes duhet ta vendosë atë përsëri në votim në seancë plenare. Pasi Xhaferi ta shqyrtojë vendimin që e ka dorëzuar Ivanovi dhe sipas aktiviteteve të planifikuara në Kuvend edhe të deputetëve do të duhet të caktojë seancën. Megjithatë, paralajmërohet se ajo do të ndodhë deri në fund të javës së ardhshme dhe se kryetari i Kuvendit nuk do ta presë afatin e fundit apo 20 korrikun.

Deputetët më 20 qershor me 69 vota "pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim e ratifikuan marrëveshjen me Greqinë, që e nënshkruan më 17 qershor në Prespë  shefat e diplomacive të të dy vendeve Nikolla Dimtirov dhe Nikos Koxias.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut