Maqedoni e Veriut: Qeveria e opozita ende në kërkim të marrëveshjes | Ballkani | DW | 12.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Maqedoni e Veriut: Qeveria e opozita ende në kërkim të marrëveshjes

Ka dështuar takimi mes Zoran Zaevit dhe liderit të opozitës maqedonase Hristijan Mickovski për të arritur një marrëveshje për ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin do zgjidhej edhe fati i Prokurorisë Speciale.

Kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje para mediave pas takimit që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë ka akuzuar kreun e opozitës që ka tentuar t'i mbrojë ish-zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së të akuzuar për shpërdorim detyre në periudhën e qeverisjes.

"Sinqerisht, jam i dëshpëruar nga epilogu i takimit të liderëve dhe sjelljen e opozitës. Kisha shpresë se do të arrijmë një zgjidhje dhe të ecim përpara, por kërkesa e opozitës është kundër çdo logjike, është kundër BE-së, NATO-s, kundër vlerave e parimeve të shtetit ligjor. Besoja se më në fund do të heqin dorë nga paraardhësit e tyre, do të lënë anash Gruevizmin dhe do të punojnë për të ardhmen e vendit, por kjo nuk ndodhi. VMRO-DPMNE-ja kërkon që lëndët e Prokurorisë Speciale të jenë nën kontrollin e tyre, të mbyllet procedimi i tyre, të gjitha procedurat para-hetimore dhe hetimore, që të heshtim krimin që është bërë. Këtë nuk guxojmë ta lejojmë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Në interes të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit pozita ka ofruar formimin e një prokurorie të re, ka thënë kryeministri. Kjo prokurori do të ndjekë korrupsionin e lartë dhe prokurori i parë do të zgjidhet me propozim të opozitës. Ai është shprehur i gatshëm për vazhdimin e negociatave apo siç ka thënë është në pritje të opozitës, nëse do të ndërrojë mendjen dhe të pranojë kompromisin e qeverisë.

Nord-Mazedonien Hristijan Mickoski Vorsitzender VMRO DPMNE (DW/P. Stojanovski)

Hristijan Mickoski

VMRO-DPMNE akuzon Zaevin për dështimin e negociatave

Kurse nga VMRO-DPMNE-ja i hedhin poshtë pretendimet e kryeministrit Zaev duke theksuar se është pikërisht ai që nuk dëshiron marrëveshje. Lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hrisitian Mickoski ka akuzuar kryeministrin Zoran Zaev se në takim ka ardhur me plan të mos arrihet marrëveshje dhe t'i mbrojë krimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipas Mickoskit, është më se e qartë se Zaevi ka ardhur në takim me plan jo vetëm B, por edhe plan C.

"Zaev propozoi formim të prokurorisë për korrupsion të lartë në  nivel të njëjtë si prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, prokurorin ta propozojë partia më e madhe opozitare, dhe këto dhjetëra ndihmës të ndihmësve të Janevës së bashku me rastet e PSP-së të inkorporohen në kuadër të prokurorisë të re, pa u respektuar. Ligjin e prokurorëve praktikisht duhet ta propozojë Këshilli për prokurorë, pra se cilët prokurorë duhet të punojnë atje”, është shprehur Mickoski.

Osmani: BDI nuk është pjesë e problemit

Në takimin Zaev-Mickovski nuk ka marrë pjesë asnjë nga partitë politike shqiptare. Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani ka treguar arsyet  pse BDI nuk mori pjesë në takimin e liderëve. "Si parti nuk ishim në takim pasi nuk jemi pjesë e problemit. Ne si qeveri kemi qëndrime të harmonizuara dhe bashkërisht kemi hartuar draft-ligjin duke përfshirë në të edhe vërejtjet e BDI-së”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Kryeministri Zoran Zaev është i prerë, se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të negociatave për arritjen e marrëveshjes midis pozitës dhe opozitës për Ligjin e ri të prokurorisë speciale

Më 15 shtator përfundon mandati i prokurores speciale publike Katica Janeva e cila për momentin është në paraburgim si e dyshuar për rastin "Zhvatja”. Prokuroria publike ka kërkuar nga Prokuroria speciale marrjen e  të gjitha lëndëve që kanë qenë nën këtë prokurori. Prokurorët që do të veprojnë me këto lëndë do të caktohen nga prokurori publik Lubomir Joveski.