1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni e Veriut: Flamuri i NATO ngrihet para parlamentit

12 Shkurt 2020

Me 114 vota për dhe asnjë kundër Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Protokollin për anëtarësim të vendit në NATO.

https://p.dw.com/p/3XdRa
Nordmazedonien Skopje Parlament ratifiziert NATO Beitritts Protokoll
Fotografi: picture-alliance/AA/A. Ademi

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski tha, se vendi ka kaluar nëpër shumë kriza politike, por përcaktimet për NATO dhe BE, nuk kanë ndryshuar asnjëherë. "Qytetarët mbështesin këtë proces. Bëhet fjalë për aleancë të shteteve të ndryshme për siguri dhe mbrojtje prej terrorizmit ndërkombëtar. Me anëtarësimin e plotë rriten përgjegjësitë tona dhe kemi të drejtë të barabartë për votë. Anëtarësimi nuk do të kishte ndodhur pa ndryshimet e thella politike të viteve të fundit. Vendimi i sotëm për ratifikim është shumë i rëndësishëm për shtetëformimin. Na mbetet neve qytetarëve të shtetit të 3-të të aleancës të tregojmë se jemi të denjë për këtë.”, tha Pendarovski.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi nënvizoi momentin historik, të cilin e ndan bashkë edhe me kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s. Sipas tij Maqedonia e Veriut është veterane në aderimin në NATO, dhe rrumbullakësimi i agjendës reformuese pothuajse tridekadëshe të NATO-s, do të thotë edhe fillim i një ere të re në Aleancë, bashkë me 29 vendet-anëtare të tjera. "Maqedonia e Veriut është e përgatitur t'i ndajë vlerat e saj themelore dhe të kontribuojë në mënyrë aktive për paqen dhe sigurinë botërore”, u shpreh Xhaferi.

Nordmazedonien Skopje Parlament ratifiziert NATO Beitritts Protokoll
Fotografi: AFP/R. Atanasovski

Spasovski: Morëm vendime të rënda për ardhmërinë e vendit

Kryeministri Oliver Spasovski foli për rëndësinë e anëtarësimit të vendit në NATO, duke nënvizuar hapat dhe vendimet e rëndësishme që ka ndërmarrë kjo përbërje parlamentare. "NATO siguron garanci për ne dhe brezat e rinj. Anëtarësimi ynë në NATO ishte përcaktimi ynë strategjik. Kur të gjithë thonin, se nuk ka zgjidhje, u ndërmorën hapa konkret që na hapën rrugën drejt NATO-s. Deputetët e kësaj përbërje parlamentare sollën vendime të rënda, por thelbësore për ardhmërinë tonë, për rrugën tonë euro-atlantike. Me Greqinë e rrëzuam murin që na ndante dhe hapëm rrugën drejt NATO-s”, tha Spasovski.

Nord-Mazedonien | Präsident Stevo Pendarovski
Presidenti Stevo PendarovskiFotografi: picture-alliance/dpa/AP Photo/B. Grdanoski

Kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-së  ka qenë i pranishëm në aktin solemn të miratimit të Ligjit për Tatifikimin e Marrëveshjes Veriatlantike. Mesterhazi e vlerësoi këtë ditë si historike për vendin, që paraqet trashëgimi ,por edhe fat për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ahmeti: Dëshira për anëtarësim në NATO asnjëherë nuk u zbeh 

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti vlerësoi se ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO është historik për të gjithë qytetarët. "Shteti ynë po bëhet i rëndësishëm, njëjtë sikur vendet e tjera anëtare të NATO-s. Vendi ynë një vend i vogël, tani po bëhet anëtari i 30-të i NATO-s. Ne asnjëherë nuk patëm dilema për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe kjo është ajo rreth së cilës jemi bashkuar gjithmonë”, tha Ahmeti.

Protokolli për anëtarësim në NATO është teksti i marrëveshjes, i hartuar më 4 prill të vitit 1949 dhe për herë të parë është nënshkruar në Uashington. Në Marrëveshjen e cila ka 14 nene, mes të tjerash thuhet se nënshkruesit detyrohen të zgjidhin çfarëdo kontesti ndërkombëtar, në të cilët ata mund të jenë të përfshirë, me mjete paqësore, në mënyrë që të mos rrezikohet paqja ndërkombëtare, siguria dhe drejtësia dhe në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare do të përmbahen nga kërcënimet ose nga përdorimi i forcës, në çfarëdo mënyre qoftë, që nuk është në pajtueshmëri me Kombet e Bashkuara.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duke iu referuar përvojës së Malit të Zi, realizoi idenë për ratifikimin e parakohshëm të protokollit për anëtarësim në NATO, për shkak të zvarritjes së krijimit të institucioneve të reja në Spanjë, shtet i cili është i vetmi, që ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për aderim të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit në Maqedoninë e Veriut. Pas ratifikimit në ceremoninë e rastit u realizua ngritja e flamurit të NATO-s para godinës së Parlamentit.