1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Arrestohen të akuzuarit për mësymjen në parlament

28 Nëntor 2017

Prokuroria Publike e Maqedonisë në valën e hetimeve për dhunën më 27 prill në parlamentin e Shkupit arrestoi 36 të akuzuar, ndër ta edhe deputetë e ish-funksionarë. Oppzita bë thirrje për protestë kundër arrestimeve.

https://p.dw.com/p/2oPAn
Staatsanwaltschaft in Skopje
Fotografi: DW/Katerina Blazevska

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka nisur hetime ndaj 36 personave për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerje të veprës penale sipas nenit 313 "kërcënim terrorist i rendit dhe sigurisë kushtetuese”, që kanë të bëjnë me ngjarjet e 27 prillit në parlamentin e Maqedonisë, kur një grup i protestuesve u futën me dhunë në parlament dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve. Ndër të arrestuarit  mëngjesin e së martës (28.11.2017) është ish-ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov, i cili njëkohësisht ishte edhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike, deputetët e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoslit, Luben Arnaudovskit, Sasho Vasilevskit, Zhaklina Peshevska si dhe disa organizatorë të protestave "Për Maqedoni të bashkuar”. Sipas nenit 313 të Kodit Penal për këtë vepër parashihet dënimi minimal prej më së paku 10 vjet burg. Në Gjykatën Penale të arrestuarit po japin dëshmi në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit.

Gruevski: Pushteti po hakmeret ndaj opozitës

Lideri i opozitës Nikolla Gruevski tha, se veprimet e sotme nga qeveria e LSDM-së, janë akti i fundit i ballafaqimit me maqedonasit e lirë dhe të gjithë ata që e duan shtetin. "Në pyetje është shteti, tani më ligji dhe kushtetuta nuk vlejnë. Ky është një shtet i robëruar. Nuk është temë se ka vrasje gati çdo natë, temë janë njerëzit që ishin në anën e shtetit. Kjo bëhet për të hapur rrugë ndryshimit të emrit, kushtetutës, dygjuhësisë. Në të njëjtën kohë që bisedohet për ligj për amnisti për mbi 1000 të arrestuar për krime, për terrorizëm akuzohen aktorë, regjisorë, mjekë, arkitektë e kështu me radhë”, ka deklaruar Gruevski. Sipas tij, VMRO-DPMNE do ta udhëheq këtë betejë për drejtësi dhe për atdheun. Kjo betejë do të jetë e rëndë dhe e gjatë, por do të fitohet. Lideri i opozitës maqedonase ka kërkuar ndalim të të gjithë këtyre proceseve dhe lirim urgjent të të gjithë personave që janë përfshirë në këtë përndjekje.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së i janë përgjigjur thirrjes së kësaj partie për të dalë në protesta kundër arrestimit të 36 personave, që akuzohen lidhur me ngjarjet e dhunshme në parlament. Protestuesit janë tubuar para Gjykatës Penale e atyre u është bashkangjitur edhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski. 
Pjesëtarë të shumtë të forcave policore janë duke e siguruar objektin e Gjykatës Themelore në Shkup, ku po mbahen personat e arrestuar. Forcimi i masave të sigurisë është bërë pas paralajmërimit të protestave para objektit nga ana e përkrahësve të VMRO-së.

Xhaferi: Të respektohen procedurat për arrestimin e deputetëve

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi ka thënë se nuk dëshiron të komentojë vendimet e Prokurorisë Publike, por kërkon që të respektohen procedurat rreth arrestimit të deputetëve. "Duke mos i pasur të gjitha informatat e kompletuara deri në këtë moment, për faktin që ngjarja është në vazhdim, mendoj se kompetencat e Prokurorisë janë të padiskutueshme në kuptimin e asaj çka është ndarja e pushteteve sipas kushtetutës, mirëpo mendoj se në kontekst të nenit 64 të kushtetutës dhe në lidhje me nenin 53 deri më 59 të rregullores së punës së parlamentit, mendoj se ka pengesë në zbatimin e procedurave të duhura në kuptimin i aspektit procedural të informimit të ndërsjellë të institucioneve përkatëse", ka theksuar Xhaferi.

Gjykata duhet t'i drejtohet parlamenti për imunitetin e deputetit

Eksperti për çështje juridike Naser Ziberi, duke komentuar arrestimin e deputetëve thotë, se ata gëzojnë imunitet dhe për caktimin e çfarëdo mase ndaj tyre, gjykata duhet të njoftojë dhe të kërkojë lejen e parlamentit. "Deputetët janë në arrest dhe jo paraburgim, deri këtu procedura nuk është shkelur. Gjykatësi hetues mund të caktoj masën paraburgim dhe nëse vendos për këtë hap atëhere Gjykata i drejtohet parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit për tre deputetët e arrestuar”, sargumenton Naser Zyberi.

Profesorja Biljana Vankovska vlerëson, se arrestimet janë në rregull dhe se kjo duhej të ndodhte më herët, por njëkohësisht ajo shpreh edhe një dozë skepticizmi lidhur me arrestimet: "Meqë nuk kam detaje të mjaftueshme rreth arrestimeve të sotme, dua të theksoj se po ndodh diçka  spektakolare, a nuk është pak si e tepërt që të arrestohet një muzikant, mjek, artist nën dyshimin për vepër teroriste”, shprehet Vankovska.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut