1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080110 Kroatien Korruption

11 Janar 2010

Megjithëse BE i ka bërë thirrje shpeshherë Zagrebit që të luftojë nipoterinë, ky anëtar i ardhshëm i BE-së vuan nga një korrupsion i thellë. Por kohët e fundit gjërat kanë nisur të ndryshojnë gradualisht.

https://p.dw.com/p/LQLK
Ilica, rrugë në qendër të Zagrebit.Fotografi: DW

Qysh prej 18 vjetësh ish-republika jugosllave, Kroacia, është e pavarur. Më së voni pas dy vjetësh vendi, që shtrihet në brigjet e Adriatikut, sa gjysma e Bullgarisë për nga madhësia, vendi më i ri anëtar i BE-së, do të anëtarësohet në këtë union. 4,5 milionë banorët e Kroacisë kanë mbi kurriz një barrë gjigante borxhesh. Kroatët kanë borxhe jashtë vendit në vlerën e mbi 40 miliardë eurove. Ndonëse Komisioni i BE-së i bën thirrje Zagrebit, që të luftojë me vendosmëri ekonominë e tarafeve, ky vend i Ballkanit duket se ka arritur në emergjencë financiare edhe për shkak të korrupsionit galopant.

Zorislav Antun Petrovic
Zorislav Antun Petrovic, shef i Transparency International në KroaciFotografi: Zorislav Antun Petrovic

Ka abuzime në ndërtimin e rrugëve

Kroacia është vendi i atyre, që udhëtojnë me makina. Rrjeti i autostradave rreth 280 km për një milionë banorë ka një dendësi të barabartë me mesataren e BE-së. Zgjerimi i rrugëve u ka kushtuar kroatëve vetëm në këto 15 vitet e fundit tre miliardë euro. Shumë shtrenjtë, mendon gazetari nga Zagrebi, Zorislav Antun Petroviç. Ekspreti me përvojë shumëvjeçare lidhur me çështjen e korrupsionit drejton seksionin e Transparency International, organizatë joqeveritare kjo, që në mbarë botën lufton kundër korrupsionit.

"Mesatarisht një km autostradë në vitin 2003 ka kushtuar 3 milionë euro. Sot kushton 17 milionë. Këto të dhëna i publikoi ish-ministri i Zhvillimit Qaqiç. P.sh. autostrada Zagreb-Sisak: Ajo është 40 km e gjatë dhe kalon përmes një territori fushor. Megjithatë ajo kushton gjithsej po aq shumë sa një e katërta e autostradës 350 km të gjatë të Dalmacisë, nga Zagrebi në Split, gjatë së cilës ka shumë ura dhe tunele."

OLAF verifikon rastet e korrupsionit në Kroaci

Volksmusikfest in der Innenstadt von Zagreb
Muzikë popullore me rastin e festës së Shën Martinit në qendër të Zagrebit Nëntor 2009Fotografi: DW

Aksi më i shkurtër dhe më i thjeshtë është në krahasim shumë më i shtrenjtë, çka të lë të nënkuptohet se ka abuzime. Mos vallë ndërmarrja shtetërore HAC (Autostradat e Kroacisë)ka shpenzuar qëllimisht shumë, në mënyrë që të pasurohen pjesëmarrësit në këto biznese miliardash? Dëshmi për këtë nuk ka ende. Krahas drejtësisë dëshmi mbledh qysh prej muajsh edhe OLAF. Enti Evropian për luftën kundër mashtrimeve është duke verifikuar në Kroaci disa raste të mundshme korrupsioni, ndër to edhe në fushën e ndërtimit të rrugëve.

Nga fondet e BE-së me shuma trishifrore milionëshe është financuar një pjesë e autostradave të Kroacisë, siç është edhe aksi nga kryeqyteti Zagreb deri në qytetin port Rijeka me vlerën 300 milionë euro. Tani po verfikohet, nëse edhe këtu kostoja ka qenë e lartë përtej normave dhe nëse euroja është konvertuar në mënyrë disproporcionale me monedhën vendase, kuna. Përfituese mendohet të jenë p.sh. ndërmarrja e ndërtimit të rrugëve "Skladgradnja", deklaron gazetari në Rijeka Darko Pajiç, i cili punon për gazetën ndërrajonale "Novi list".

Kontrata pa shpallje tenderi

"Kjo firmë mendohet se bën biznese joshëse me autostradën Zagreb-Rijeka, ajo mori pjesën më të madhe të investimit të përgjithshëm, ndonëse nuk ka marrë pjesë në asnjërin prej tenderave: Ajo është paraqitur si një subndërmarrje. Kjo firmë p.sh. u lejua të ndërtojë tunelin e një autostrade, pa ndërtuar ndonjëherë më parë tunele."

Flash - Galerie Präsidentschaftskandidat Ivo Josipovic
Fotografi: DW

Kjo ndoshta është mundësuar edhe nga fakti që Skladgradnja i përket njërit prej kushërinjve të ish-ministrit të Jashtëm Miomir Zhuzhul. Vëllezërit Neven dhe Jozo Zhuzhul qysh prej një muaji ndodhen në arrest hetimor. Një shenjë kjo që shteti i së drejtës do të jetë i sukseshëm kundër ekonomisë së tarafeve? Darko Pajiç, i cili i ka hulumtuar me themel këto raste ka dyshime:

"Sepse në këto raste veprohet me shumë kujdes. Qysh në fillim, pra me shpalljen e tenderit, kushtet u përcaktuan në mënyrë të tillë, që porosinë ta merrte firma, së cilës dëshirohej t' i mundësohej ky biznes. Megjithatë jam i sigurtë se autoritetet e luftës kundër korrupsionit kanë mjaft për të zbardhur."

Shpresa tek presidenti i ri

Qeveria nacional-konservatore, e cila është në pushtet prej gati dy dekadash, duket se tani po i merr seriozisht kërkesat në këtë drejtim nga ana e BE-së dhe e popullsisë vendase. Ky problem ishte edhe tema kryesore e fushatës elektorale për zgjedhjen e presidentit. Socialdemokrati Ivo Josipoviç, i cili fitoi bindshëm balotazhin presidencial të dielën (10.01) luftën kundër korrupsionit galopant në Kroaci e ka shpallur si prioritetin e punës së tij.

Autor: Filip Slavković/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica