Malta dhe gjuha e saj - urë lidhëse mes Evropës dhe Afrikës | Evropa | DW | 25.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Malta dhe gjuha e saj - urë lidhëse mes Evropës dhe Afrikës

Gjuha malteze është e vetmja gjuhë e familjes semite që nuk shkruhet me alfabetin arab, por me shkronja latine. Ky kombinim është unikal dhe një pasuri që Malta mund t'ia ofrojë kontinentit evropian pas anëtarësimit në BE duke shërbyer si një urë lidhëse mes Afrikës dhe Evropës.

Pamje nga kryeqyteti i Maltës

Pamje nga kryeqyteti i Maltës

Që prej vitit 1974 Malta është shtet i pavarur. Deri në këtë vit ishulli për 200 vjet me radhë ishte nën pushtetin e britanikëve. Madje rreth vitit 1800 në Maltë u shpall gjuhë zyrtare anglishtja. Për vite me radhë gjuha malteze përdorej vetëm në familje. Por në vitin 1934 maltezët ia dolën mbanë që gjuha e tyre të njihej prej britanikëve si gjuhë zyrtare. Rregullat e drejtëshkrimit të gjuhës malteze u vendosën në fund të viteve 20-të. Gjuha malteze ka një ndikim të madh prej arabishtes, ndikim i cili ishte mjaft i fortë deri në shekullin e 13-të. Në Mesjetë gjuha mori shumë huazime prej gjuhëve romane, për shkak të Urdhërit katolik të Maltës që u vendos në këtë ishull. Më pas gjuha malteze iu nënshtrua ndikimit të anglishtes. Sot gjuha që flitet në Maltë është një gjuhë që i takon familjes semito-hamite, por që ndryshe nga gjuhët e tjera të kësaj familjeje nuk shkruhet me alfabet arab, por latin.

Edhe pse sot në Maltë përdoren paralelisht si gjuha malteze edhe anglishtja, shumëkush mendon se me anëtarësimin e Maltës në BE, anglishtja do të dalë sërish fituese mbi gjuhën e vendit.

I këtij mendimi është edhe Luçiano, rojtar i një parkimi makinash përpara një hoteli. Në komunikim me baristin, ai përdor gjuhën malteze, kurse me ne flet anglisht. "Gjuha malteze, thotë ai në një anglishte të rrjedhshme, është gjuha e gjyshërve dhe e prindërve, gjuha e halleve tona të përditshme, apo gjuha në të cilën unë ëndërroj. Dua që edhe fëmijët e mi të mos e harrojnë. Ne jemi të vegjël, dhe unë ndjehem mirë dhe jam krenar, kur flas gjuhën malteze. As amerikanët që janë popull i madh s'kanë gjuhë të vetën, por flasin anglisht" - shton ai duke qeshur.

Malta ka rreth 380.000 banorë. Po ashtu në të gjithë botën jetojnë të shpërndarë rreth një gjysmë milioni maltezë të tjerë. Të gjithë këta i bashkon gjuha malteze. Por për shkak të anëtarësimit të Maltës më 1. maj në BE, shumë prindër flasin me fëmijët e tyre në shtëpi anglisht dhe jo në gjuhën e vendit. Maria, pronare e një bari të vogël në Valeta, mendon se këtë ata e bëjnë vetëm për shkak të turistëve.

Poeti dhe profesori i letersisë Oliver Frixheri pasi na lexon diçka nga një prej poezive të tij të shkruara në gjuhën malteze, thotë se në leksione dhe seminare përdor anglishten, por është i sigurt se gjuha malteze, e cila është një thesar i rrallë nuk do të lihet në harresë prej banorëve të Maltës. Gjithsesi ai mendon se për shkak të fenomenit të dygjuhësisë që është i pranishëm në Maltë, në vend do të krijohet, shpejt a vonë, një lloj gjuhe e re, e përzier me anglishten. Frixheri kërkon që jo vetëm poetët, por edhe mësuesit, gazetarët apo politikanët të kujdesen për ruajtjen e gjuhës së Maltës.

"Gjuha malteze është e vetmja gjuhë e familjes semite që shkruhet me shkronja latine. Ky kombinim është unikal dhe diçka që Malta mund t'ia ofrojë kontinentit evropian si një urë mes Afrikës dhe Evropës." - thotë Frixheri.


  • Data 25.02.2004
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArID
  • Data 25.02.2004
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArID