1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Makutëri apo dukuri e pashmangshme?

Ulla Herrmann (HR) / Jutta Wasserrab28 Shkurt 2008

Koncerni i automobilëve në Gjermani, BMW, publikoi të mërkurën (27.2.) shifrat e shkurtimit të vendeve të punës. Kjo është pasoja e një zinxhiri të gjatë të procesesh të ngjashme në koncernet gjermane.

https://p.dw.com/p/DF31
Fabrika e BMW-së në Lajpcig
Fabrika e BMW-së në LajpcigFotografi: AP
Ndonëse në seri koncernet e mëdha gjermane kohët e fundit njoftojnë për fitime rekord, paralelisht ato publikojnë edhe planet për shkrutim të vendeve të punës. Janë të shumtë ata që e vlerësojnë këtë si një paradoks dhe nga ana tjetër si një dëshmi për makutërinë e gardës së menaxherëve. Por jo të gjithë ndajnë të njëjtin mendim. Qysh përpara Krishtlindjeve u bënë të njohura planet e koncernit bavarez të automobilëve, BMW, por shifrat konkrete mungonin. Të mërkurën (27.2.) koncerni i publikoi ato: Mbi 8.000 vende pune do të shkurtohen, e nëse kursi i euros do të mbetet mbi 1.50 dollarë ndoshta do të ketë edhe më shumë shkurtime. Fitime rekord nga njëra anë dhe shkurtim i vendeve të punës nga ana tjetër, një dukuri e tillë nuk është kontradiktore as për prodhuesin e solucioneve larëse dhe lëndëve ngjitëse, Henkel nga Dyseldorfi. Shefi i koncernit, që së shpejti do të largohet nga posti, Ulrich Lehner ka një shpjegim për këtë: "Ne përgatitemi për zhvillimet e ardhshme dhe duke u nisur nga pozicioni i të fortit duam të sigurojmë aftësinë e sipërmarrjes edhe për të ardhmen."
Fabrika e Siemensit në Mynih njofton shkurtimin e vendeve të punës
Fabrika e Siemensit në Mynih njofton shkurtimin e vendeve të punësFotografi: AP
Të martën (26.2.) koncerni i elektroteknikës Siemens, deklaroi, se do të shkurtojë në mbarë botën gati 7.000 vende pune, rreth 3.200 vetëm në Gjermani. Prodhuesi i makinerive dhe automjeteve të transportit MAN gjatë 15 viteve të ardhëshme do t´i transferojë qendrat e prodhimit nga Gjermania në vendet me nivel më të ulët page. Koncerni amë i Dresdner-Bank, Allianz ndërkohë ka njoftuar shkurtimin e 450 vendeve të punës në filialin investues Dresdner. Edhe furnizuesi i pjesëve të këmbimit për industrinë e prodhimit të automobilëve Continental, që është i pesti në botë, do të shkurtojë 2.000 vende pune. Pa harruar këtu Nokia-n, ku deri tani kanë humbur mijëra vende pune.
Protestë kundër shkurtimit të vendeve të punës tek Deutsche Bank, 2005
Protestë kundër shkurtimit të vendeve të punës tek Deutsche Bank, 2005Fotografi: AP
Koncernet shkurtojnë e shkurtojnë vendet e punës, ndonëse fitojnë gjithnjë e më shumë. Por Norbert Walter, shef i në sektorin ekonomik të Deutschen Bank ka një shpjegim për këtë dukuri: "Shkurtimi i vendeve të punës është mëse e qartë që nuk bëhet për shkak të fitimeve të mëdha, por sepse kanë ndryshuar proceset teknologjike, sepse ndarja e punës në nivelin ndërkombëtar është e ndryshueshme dhe nga ana tjetër është e nevojshme që të ndryshohet. Unë besoj, se ne në të kaluarën nuk kemi qenë të përgatitur për t´iu përshtatur shpejt ndryshimeve në një sërë sektorësh. Tani ndryshimet janë urgjentisht të nevojshme, sepse brutalisht kanë ndryshuar edhe kushtet e kursit të këmbimit."
Mercedes shkurton vendet e punës, 2005
Mercedes shkurton vendet e punës, 2005Fotografi: Montage/dpa/DW
Gjermania aktualisht prodhon me kosto shumë të lartë në raport me kursin e këmbimit, por sipas ekspertit Walter: "Ky nuk është një fenom specifik gjerman. Ky është një fenomen i zonës së euros."