1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Madrid: Dënime te arsyeshme, larg histerisë së terrorizmit

Vilma Filaj Ballvora27 Shtator 2005

Në politikën e brendëshme shtypi vazhdon të merret me pokerin politik për krijimin e koalicionit qeverisës në Berlin. Në politikën e jashtme shtohet analiza për procesin kundër antarëve të El Kaidës në Madrid.

https://p.dw.com/p/Artc
El Kaida para gjyqit
El Kaida para gjyqitFotografi: AP

Lidhur me mundësinë e krijimit të një koalicioni të madh mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve në Berlin e përditshmja "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Edhe një koalicion i madh, mund të vërë shumë më tepër gjëra në lëvizje nga ç´mendojnë disa. Tek e fundit, një aleancë e madhe mes socialdmeokratëve dhe kristiandemokratëve do të institucionalizonte kompetencat e pushtetit që mbahet qysh prej pesë vjetësh nga të njëjtat forca politike në Bundestag dhe në Bundesrat. Proceset e vendimeve politike do të nxirreshin prej dhomës së errët të komisioneve hetimore, duke i kaluar kabinetit qeveritar e parlamentit. Pavarësisht se kush do të jetë kancelar, një aleancë e tillë mund të bazohet në shumë aspekte të përbashkëta dhe e mbështetur nga një shumicë e gjerë, ajo mund të çojë përpara politikën e reformave, që revista të huaja si ajo "The Economist" e kanë vlerësuar prej kohësh", thekson "Süddeutsche Zeitung".

Komentatori i "Nordbayerischer Kurier" i kushton vëmendje pokerit midis dy forcave të mëdha politike,për postin e kancelarit: "Në luftën e nervave për zyrën e kancelarisë, kundërshtarët arrijnë deri aty sa të marrin në sy edhe rrezikun e zgjedhjeve të reja, pas dështimit të zgjedhjes së kancelarit në Bundestag. Lufta për pushtet po del jashtë çdo kuadri, sikur të ishte personi në zyrën e kancelarisë masa vlerësuese për gjithçka. E në vorbullën e inatit që i ka pllakosur, dy protagonistët po humbasin nga vëmendja më thelbësoren. Qytetarët duan të dinë sa më shpejt, se si mund të hapen vendet e reja të punës, cilat taksa do të ulen dhe cilat do të rriten, si do të jetë e ardhmja e sistemeve sociale. Në vend të sherrit për postet koalicioni i ardhshëm duhet të kujdeset urgjentisht për problemet e vendit, për të mos e dëmtuar edhe më imazhin pa filluar ende nga puna", tërheq vëmendjen "Nordbayerischer Kurier".


Ndërsa "Nürnberger Nachrichten" nënvizon: "Partia socialdemokrate duhet t´i thërrasë arësyes, se është traditë demokratike që fraksioni më i fortë përcakton kancelarin dhe në këtë rast ai është unioni kristiandemokrat. Nga ana tjetër, ky i fundit duhet ta pranojë, që ka të bëjë me një parti socialdemokrate të fortë, e cila me të drejtë tërheq vëmendjen, se koncepti zi e verdhë (kristiandemokrat-liberal) nuk pati shumicën. Por shumicë nuk pati as për konceptin kuq e gjelbër. Ndaj, që të dyja palët duhet të sqarojnë me themel pozicionet e tyre. Mesazhi që sjell rezultati i zgjedhjeve është: në plan të parë duhet të jetë vazhdimi i një programi reformash me ekuilibër social. E paskëtaj vjen debati për çështjet e personelit. Në vend të grindjeve spektakolare duhet të sqarohen çështjet përmbajtësore", komenton "Nürnberger Nachrichten".

Top temë në shtypin e sotëm është edhe lidhja e koncerneve gjermane të automobilëve Porsche dhe Folksvagen (VW). Porsche ka blerë 20 për qind të aksioneve të Folksvagenit. Ja se si e komenton këtë "Lübecker Nachrichten": "Pjesëmarrja e pordhuesit të automobilëve më luksozë dhe me përfitim të lartë nga Shtutgarit (Porsche) në aksionet e prodhuesit të automobilëve në masë, nuk ka të bëjë thjeshtë me patriotizmin dhe forcimin e Gjermanisë si zonë ekonomike, apo sigurimin e vendeve të punës. Porsche dëshiron që të sigurojë partneritetin me Folksvagenin dhe të mbrohet prej influencave të padëshiruara. Ndërsa Folksvageni, ashtu si edhe të tjerë investitorë do të ketë përqindje të arësyeshme për kapitalin e investuar. Ndonëse angazhimi i Porsche-s nuk ndryshon gjë në kursin urgjentisht të nevojshëm për reformë të Folksvaagenit. E pikërisht se gjigandi i rënduar i automobilëve po fillon sërish të lëvizë për të qenë i aftë kundrejt konkurrencës, ishte i madh edhe rreziku i gllabërimit të tij prej ndonjë koncerni tjetër. Sado të trishtuar të jenë aksionerët e Porsche-s, ata duhet ta kuptojnë se paraja është investuar si duhet: për forcimin e Folkvagenit, për sigurimin e vendeve të punës si dhe për Gjermaninë si zonë ekonomike", konkludon komentatori i "Lübecker Nachrichten".

"Stuttgarter Zeitung" komenton procesin që përfundoi të hënën në Madrid me shpalljen e vendimit kundër antarëve të El Kaidës: "Në Madrid një trup gjykues u përpoq të japë një gjykim të drejtë kundër funksionarëve të El Kaidës. Prokuroria në pretencën e saj, kërkoi për të tre të akuzuarit së bashku dënime deri në 74 vjet. Trupi gjykues e uli ndjeshëm masën e kërkuar të dënimit. Duket se baza e dëshmive nuk ishte aq e fortë, sepse i akuzuari kryesor u dënua me 27 vje theqje lirie, duke u çliruar prej akuzës për vrasje në kontekstin e 11 shtatorit. Një tjetër i akuzuar që kish fotografuar World Trade Center në vitin 1997, u la i lirë. Një vendim i guximshëm dhe i arësyeshëm ky larg histerisë së terrorizmit", nënvizon "Stuttgarter Zeitung".