1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas: Shans historik për zgjidhjen e çështjes së emrit

18 Shtator 2018

Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas në Shkup përgëzoi hapin historik mes Maqedonisë dhe Greqisë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, me të cilën do të mund të mbyllet çështja e emrit.

https://p.dw.com/p/356k9
Heiko Maas mit mazedonischem Amtskollegen Nikola Dimitrov
Fotografi: DW/B. Georgievski

Shpresoj se të gjithë maqedonasit më 30 shtator do ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë në referendum. E keni në dorë shansin historik për ta zgjidhur çështjen e emrit dhe të hapet perspektiva evropiane për Maqedoninë. Vendimi është në duart e qyetarëve të Maqedonisë , theksoi ministri gjerman i Punëve të Jashtme Heiko Maas. Sipas tij zgjidhja e çështjes së emrit është hap i rëndësishëm në drejtim të Evropës. "Maqedonia vitin e ardhshëm mund t'i fillojë bisedimet me BE-në. Unë jam i sigurtë se personat përgjegjës në Shkup do ta hapin këtë rrugë. Ne jemi për perspektivën evropiane të vendve të Ballkanit perendimor. Kjo është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit, ndaj ky nuk është vetëm interes i juaj por edhe i yni evropian. Anëtarësimi në BE nënkupton edhe plotësimin e kritereve të tjera: funksionimi i shtetit juridik dhe lufta kundër krimit të organizuar", deklaroi Maas. Me zgjidhjen e çështjes së emrit u tregua se autoritetet në Shkup kanë vizion për të ardhmen e Maqedonisë, vlerëson Maas

Dimitrov: Gjermania është shtylla e Evropës, ndaj përkrahja e saj ka rëndësi të veçant

Vizita e kancelares Merkel në Shkup dhe tani e homologut tim Mas, janë sinjale të qarta dhe miqësore për përkrahjen e Maqedonisë nga ana e Gjermanisë. Këto sinjale na ndihmojnë të qëndrojmë në këmbë dhe të ecim para, ka thënë ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov. "Jetojmë në Evropë, e cila përballet me shumë probleme të sajat. Gjermania është shtylla e kësaj Evrope, e kësaj Evrope që ne dëshirojmë të bëhemi pjesë e saj, ndaj për mua është tejet me rëndësi mbështetja e parezervë nga Gjermania në drejtim të realizimit të qëllimeve tona strategjike", deklaroi Nikolla Dimitrov.

Njohja reciproke e patentave të shoferit

Gjermania do të njohë patentat e shoferëve të Maqedonisë, kësisoj që të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Gjermanisë nuk kanë nevojë për patentë shoferi ndërkombëtare. Ndërsa ata që kanë qëndrim dhe punojnë në Gjermani me kërkesë të tyre mund të bëjnë ndryshimin e patentës së shoferit, duke u pajisur me atë gjermane. Kjo mundësi parashihet në Deklaratën për njohjen dhe ndërrimin e patentave të shoferave që u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski dhe ambasadori gjerman në Shkup Tomas Gerberih. "Dita e sotme është shumë me rëndësi pasi nënshkruajmë marrëveshje të shumëpritur, marrëveshje ku gjetëm mënyrën të përfundojmë negociatat dhe ta nënshkruajmë atë. E dini se ky proces i bisedimeve zgjat një kohë të gjatë dhe jam i lumtur që arritëm për një vit të shmangim pengesa që të kyçet një marrëveshje e tillë", theksoi Spasovski

Në aspektin praktik kjo nënkupton se në territorin e dy vendeve qytetarët që i përmbushin kushtet sipas deklaratës, ligjërisht qëndrojnë më gjatë 180-185 ditë në shtetin tjetër gjatë vitit, kanë leje të vozitjes së vlefshme dhe të cilët kanë mbushur 18 vjeç do të mund të bëjnë ndërrimin e lejeve nacionale nga vendi ku qëndrojnë. Ata më pas nuk do t'i nënshtrohen shpenzimeve shtesë për testim të sërishëm apo vërtetim mjekësor. Ministri Spasovski ka theksuar se deklarata është vetëm një pjesë e aktiviteteve bilaterale dhe partneritetit që nga pavarësimi i Maqedonisë e që në kontinuitet i realizojmë  me Gjermaninë.