″Ma mbushën plagën me gjethe dhe degë″ | Bota | DW | 26.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Ma mbushën plagën me gjethe dhe degë"

Në Kongo format e përdhunimit janë veçanërisht brutale: Gratë i sakatojnë aq shumë, saqë familjet e tyre nuk i pranojnë më: me rastin e 26 qershorit, ditës ndërkombëtare kundër torturave

Fëmijë dhe gra në Kongo

Fëmijë dhe gra në Kongo

Një kishë në Goma, në lindje të Kongos. Për të përballuar dhunën ndihmojnë këngët dhe lutjet. Që prej tre vjetësh në Kongo zyrtarisht sundon paqja, në korrik do të zhvillohen zgjedhjet e lira, nën mbrojtjen e ushtarëve gjermanë. Por lufta kundër civilëve vazhdon.

25 vjeçarja Youlai jeton që prej disa muajsh në një klinikë në Goma. Pesë rebelë Mai-Mai e kanë përdhunuar. Mbas të pestit ajo humbi vetëdijen. Kur u zgjua ishte tërësisht e masakruar. Pjesa e poshtme trupit është shqyer, ajo nuk është në gjendje të kontrollojë urinën dhe jashtëqitjen.

"Ma mbushën plagën me gjethe dhe degë," - rrëfen më tej e reja. I shoqi e ka nxjerrë nga shtëpia. Askush nuk donte të banonte në një kasolle me të, era ishte e padurueshme. Youlai duhet të bëjë tani disa operacione.

Ajo nuk është e vetmja. Mijëra gra në vit përjetojnë gjëra të ngjashme në lindje të Kongos, i presin me thika dhe shishe, siç tregon shefja e klinikës, Lyn Lusi. Kush është fajtori? "Të gjitha grupet e armatosura janë fajtorë. Të gjithë njësoj janë," thotë Lusi.

Edhe ushtarët e rregullt përdhunojnë. Pagat e tyre janë të ulta, në ushtri mungon disiplina, në vend që t'i mbrojnë njerëzit, ata i kërcënojnë. Organizata të tilla si Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara në Ndihmë të Fëmijëve, UNICEF, përkujdesen për viktimat.

Johanes Vedenig është shefi i UNICEF-it për Kongon Lindore. "Kemi të bëjmë me një ofendim të vetëdijshëm ndaj grave dhe shoqërisë. Përdhunimet bëhen hapur, para fëmijëve para burrave. Janë shndërruar në armë asgjësimi." Armë që përdoret edhe kundër fëmijëve. "Mendojmë që afro 15 përqind e përdhunimeve bëhen ndaj vajzave të vogla, një pjesë e tyre në moshën 4-5 vjeçare," – sqaron Vedening.

Terrori i vazhdueshëm bën që shumë njerëz në lindje të Kongos të mos kenë më mbështetje, çdo ditë vdesin mbi 1.000 vetë, pjesa më e madhe nga sëmundje që janë të lehta për t'u kuruar. Mbi 10.000 ushtarë të OKB-së janë stacionuar në Kongo për të çarmatosur bandat. Kjo detyrë i tejkalon kapacitetet e tyre. Shtatë ushtarë për momentin janë zhdukur, 74 janë vrarë.

Detyrë e ushtarëve gjermanë në Kongo është që të lehtësojnë punën e këtyre në kryqytetin Kinshasa, në mënyrë që të ketë më shumë helmetablu në pjesën lindore.

"Gjendja e sigurisë është e tmerrshme", thotë Youali dhe çalon më tej në drejtim të kishës për t'u lutur për shërimin e saj dhe për paqen në Kongo.

  • Data 26.06.2006
  • Autor Shtefan Ehlert, Nairobi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLA
  • Data 26.06.2006
  • Autor Shtefan Ehlert, Nairobi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLA
Reklamë