″Më shumë se një milion izraelitë jetojnë në bunkerë″ | Bota | DW | 24.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Më shumë se një milion izraelitë jetojnë në bunkerë"

Shkëmbime të ashpra zjarri me Hisbollahun në jug të Libanit

Pamje nga luftimet në brezin kufitar Izrael/Liban

Pamje nga luftimet në brezin kufitar Izrael/Liban

Me vizitën e ministres së jashtme amerikane Condoleezza Rice në Lindjen e Afërme përpjekjet për dhënien fund luftimeve në Liban mendohet se hyjnë në fazën vendimtare. Rice shprehu gjatë fluturimit në Izral interesin e SHBA për përfundim të shpejtë të veprimeve luftarake. Por ajo nuk bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Ndërkohë Izraeli e zgjeroi sot ofensivën tokësore kundër milicisë Hisbollah në Liban dhe rifilloi sulmet ajrore pas ndërprerjes natën.

Me mbërritjen në mbrëmje për bisedime në Izrael të ministres së jashtme amerikane lidhen shpresa. Por, siç tha Rice, për këtë duhet të ekzistojnë edhe parakushtet për një armëpushim të qëndrueshëm. Të paktën kjo është një vijë e re në politikën e jashtme amerikane. Deri tani SHBA e kishin refuzuar armëpushimin, sepse ky nuk do t'i jepte fund kërcënimit të Izraelit nga Hisbollahu.

Ngjashëm u shpreh edhe ministrja e jashtme izralite Tzippi Livni dhe e kishte fjalën veçanërisht tek gjendja në Liban:

"Duhet të kuptojmë që kur flasim për zgjidhje afatgjatë duam të shohim një qeveri të përgjegjshme për atë që ndodh terren. Një qeveri sovrane dhe që e ushtron sovranitetin e vet. Një gjendje me kaos dhe me një ushtri apo milici përkrah qeverisë, kjo do të ishte e padurueshme - dhe një shtet pa kurrfarë rendi."

Ndërkaq sipas të dhënave të veta ushtria izraelite i ka zgjeruar sulmet në jug të Libanit. Në shkëmbime të ashpra zjarri janë plagosur të paktën nëntë ushtarë izraelitë. Ushtarët që luftonin në tokë u mbështetën nga ajri prej avionëve luftarakë dhe helikopterëve. Udhëheqësit të Hisbollahut Nasrallah kjo duket se nuk i ka bërë përshtypje. Në një intervistë ai tha se përparimi i trupave izraelite nuk do ti ndalë raketat e Hisbollahut.

Ushtarakët izraelitë mendojnë se ofensiva në jug të Libanit do të zgjasë edhe të paktën 10 ditë, para se të mund të lidhet armëpushimi.

Kryeministri Ehud Olmert u shpreh parimisht pro dërgimit të një trupe evropiane të sigurisë në jug të Libanit. Por parakusht është një mandat robust - në rast nevoje trupa duhet të ndërhyjë me forcën e armëve. Ndër të tjera kjo trupë duhet të kontrollojë sipas Olmertit kufirin, por edhe livrimet e armëve tek Hisbollahu.

Gjendjen e tanishme në Izrael, kryeministri e përshkroi kundrejt ministrit të jashtëm francez Philippe Douste-Blazy:

"Më shumë se një milion izraelitë jetojnë në bunkerë për tu mbrojtur prej sulmeve vrastare të raketave të Hisbollahut që sulmon nga Libani. Në kushtet e Francës kjo do të thoshte që 7 milion francezë të jetonin prej 11 ditësh në bunkerë dhe që qytete si Toulouse dhe Lyon të sulmoheshin me raketa."

Në Izrael u zgjerua ndërkohë gjendja e gatishmërisë edhe në qendrën e vendit dhe kështu edhe në qytetin milionësh Tel Aviv. Sipas shërbimit të fshehtë izraelit milicët hisbollahë zotërojnë raketa me një rreze veprimi prej rreth 200 km, që mund të arrinin edhe metropolet e Izraelit.

  • Data 24.07.2006
  • Autor Carsten Vick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKu
  • Data 24.07.2006
  • Autor Carsten Vick
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKu
Reklamë