Më shumë polici në vend të më shumë shkollave në Francë? | FOKUS | DW | 10.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Më shumë polici në vend të më shumë shkollave në Francë?

Ndalimqarkullimi, gjendje e jashtëzakonshme dhe më tej ushtria. A janë këto masat e duhura?

default

Të martën në darkë, kryeministri i Francës, Dominik dë Vilpë shpalli një program veprimesh për rrugëdalje nga kriza në periferitë e qyteteve: numri i forcave të policisë do të shtohet, ndalim-qarkullimet sipas ligjit të gjendjes së jashtëzakonshme të vitit 1955 bëhen të mundura, edhe ndërhyrja e ushtrisë nuk përjashtohet. Nga ana tjetër, të rinjtë që ndërpresin shkollën do të lejohet që në të ardhmen ta vazhdojnë shkollën profesionale edhe në moshën 16 vjeçare, jo vetëm 14 vjeçare si deri tani. Janë këto masat e duhura?

Ndalimqarkullimi, gjendje e jashtëzakonshme dhe më tej ushtria- këto fjalë janë të njohura prej vendeve, të cilat Franca i ka përdorur si koloni. Por në vendin mëmë tani kanë hyrë në fuqi ato masa të jashtëzakonshme, me të cilat 50 vjet më parë u synua të vihej në kontroll gjendja në Algjeri. Përpjekja e Francës për të mposhtur me ligje gjendjeje të jashtëzakonshme përpjekjet për pavarësi të Algjerisë, çuan në një luftë të gjatë me viktima që mbahen mend sot si në Algjeri, ashtu edhe në Francë.

Lagje të shkatërruara qyteti, plackitje, polici e mbingarkuar dhe era e trazirave racore- këto gjëra francezët nuk patën besuar se do të ndodhin në vendin e tyre. Vetëm pak javë kanë kaluar kur francezët fryheshin me ndjenjën e epërsisë morale kur shihnin pamjet e Nju Orlinsit, që tregonin këtë gjendje të jashtëzakonshme. Tani është qyteti i vjetër francez Orleans, i cili është i pari që ka vendosur ndalim-qarkullimin natën.

Franca po dështon tek vetvetja

Amerika ka qenë viktimë e një katastrofe natyrore, por Franca dështon tek vetvetja. Ajo po përjeton kolapsin e një politike integrimi dhe shkatërrimin e modelit të saj republikan. Katastrofa i ka burimet në Francë. As që diskutohet, ajo që ndodhte atje netët e fundit nuk mund të tolerohej më. Urrejtja, dhuna dhe tërbimi për të shkatërruar janë jashtë kontrollit. Shteti duhet të veprojë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij. Në situata të jashtëzakonshme lejohen edhe masat e jashtëzakonshme.

Megjithatë, mbetet një shije e hidhur. Nga njëra anë, krijohet dyshimi se kryeministri Domenik de Vilpë e ndjek vijën e ashpër të ministrit të tij të brendshëm Nikolas Sarkozy, sepse kërkon t'i hedhë hije përballë zgjedhjeve presidenciale për dy vjet të ministrit të tij të brendshëm dhe konkurentit të tij. Dhe nga ana tjetër të bën përshtypje mungesa e barazpeshës, me të cilën reagon qeveria ndaj krizës në periferitë e qyteteve. Kur të rinjtë atje nuk gjejnë punë dhe diskriminohen që në shkolla, si mund të besojë kryeministri se shkurtimi i detyrimit shkollor me dy vjet mund të përmirësojë diçka?

Në vend që të marrin ndihmë, në të ardhmen 14 vjeçarët lirohen nga sistemi shtetëror shkollor drejt një mungese perspektive.

Gjendja sociale e rëndë dhe siguria në rrezik

Po presidenti? Zhak Shiraku i referohet me dëshirë Sharl dë Gol-it. Më 1968 kryetari i atëhershëm i shtetit u surprizua nga trazirat dhe u gjet i papërgatiru. Dy herë është zgjedhur Shiraku: më 1995 me premtimin për të shëruar ndarjen sociale, dhe më 2002 me një fushatë, në qendër të së cilës ishte siguria e brendshme. Sot, gjendja sociale është më e rëndë se kurrë më parë dhe siguria është në rrezik. Por Shirakut i kanë ikur fjalët, vetëm 10 ditë pas shpërthimit të trazirave ai u pozicionua ndaj tyre.

De Goli dha shpejt dorëheqjen pas vitit 1968. Shiraku do të bëntë mirë të tregohej ngjashëm konsekuent pas nëntorit 2005.

Me ligje të jashtëzakonshme mund të vendoset rendi, por Franca ka nevojë për një fillim të ri. Vazhdimi në këtë mënyrë është i pamundur.

  • Data 10.11.2005
  • Autor Andreas Teska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhp
  • Data 10.11.2005
  • Autor Andreas Teska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhp