1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më me vendosmëri kundër ekstremizmit të djathtë

Wolfgang Dick
22 Tetor 2016

Deficitet në formimin demokratik dhe frika ndaj të huajve ndikojnë për shtimin e ekstremizmit në Gjermani, mendon studiuesi Elmar Brähler.

https://p.dw.com/p/2RXnP
Deutschland Pegida gegen Moscheen Plakat in Dresden
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Michael

Intensifikimi i ideologjive të djathta në opioninin publik, p.sh. përmes lëvizjes Pegida apo partisë "Alternativa për Gjermaninë" si dhe përhapja e gjerë e rrjeteve sociale si mjet për transmetimin e mesazheve, kanë bërë që në Gjermani të shtohet ekstremizmi i djathtë. Po ashtu vepra të dhunshme penale në protesta dhe demonstrata nuk dënohen ashpër dhe kjo e ul nivelin e frikës, thotë në intervistë me DW-në profesor Elmar Brähler, i cili është bashkëthemelues i Qendrës për Studimin e Ekstremizmit të Djathtë dhe të Demokracisë pranë Universitetit të Lajpcigut.

Deutschland PK zu Studie Die enthemmte Mitte
Elmar BrählerFotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Deficite në formimin demokratik

Rritja e numrit të refugjatëve e ka shtuar së tepërmi armiqësinë ndaj të huajve në Gjermani, tregon studimi i fundit i kësaj qendre për ekstremizmin e djathtë në Gjermani. Faktor tjetër është se në Gjermani ka gjithnjë e më shumë njerëz që kanë probleme sociale, që megjithë zhvillimin pozitiv ekonomik paguhen keq dhe nuk përfitojnë prej këtij zhvillimi. Këtyre u shtohen edhe deficitet në formimin demokratik.

Kësaj pakënaqësie i shtohet edhe frika ndaj të huajve dhe kulturave të tjera. Shumë njerëz kanë frikë se për shkak të refugjatëve humbasin përfitime të mundshme dhe në këtë mes luan rol të madh fenomeni i kokës së turkut, sepse faji kërkohet tek të tjerët, thotë profesor Elmar Brähler.

Deutschland Pegida-Demo in Dresden - GEGEN-Demo
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Killing

Myslimanët si i kokë turku

Momentalisht e gjithë pakënaqësia dhe urrejtja drejtohet ndaj myslimanëve, por ka pasur edhe kohë kur drejtohej kundër italianëve apo grekëve apo kundër gjermanëve që riatdhesoheshin nga Rusia. Para dy tri-vjetësh në fokus të armiqësisë ishin sintit dhe romët. Po ashtu sipas studimit të fundit vihet re edhe një refuzim i madh dhe mungesë tolerance ndaj homoseksualitetit. 

Pegida Demonstration in Dresden
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Një aspekt tjetër është se në familjet dhe traditat në Gjermani vazhdon të ketë ide dhe përfytyrime ekstremiste të djathta, ksenofobe dhe antisemike. Por megjithatë ka edhe një pjesë të madhe të popullsisë që ka besim tek shteti dhe angazhohet për shtetin. Por opinioni publik dominohet për fat të keq me forcë prej demonstratave dhe brohorimave. Mirë do të ishte sipas ekspertëve që institucionet të veprojnë më me vendosmëri kundër veprimeve me sfond ekstremist të djathtë dhe që përndjekja penale e tyre të jetë më e qartë.