1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë vetëdijësim ndaj ngrohjes globale

Christine Elsässer8 Maj 2007

Rreth 2000 pjesëmarrës, përfaqësues qeveritarë dhe ekspertë nga 160 vende të botës kanë nisur konsultimet në Bonn për hapat që duhet ndërrmarrë në të ardhmen për luftimin e ngrohjes globale.

https://p.dw.com/p/AqmH
Fotografi: AP Graphics

Nuk pritet ndonjë paraqitje personalitetesh që do të tërheqin vëmendjen e mediave. Në takimin e punës që do të zgjasë gati dy javë bëhet fjalë për organizimin e asaj për të cilën ndërkohë kanë mendim unik shumica e vendeve: pengimin sa më shumë të jetë e mundur të ndryshimit të klimës. Që për këtë qëllim duhet vënë të holla në dispozicion është vendosur që në vitin 2006 në samitin e klimës në Nairobi. Kjo temë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, sqaron Yvo de Boer, sekretare e përgjithshme e Konventës ndërkombëtare për klimën:

'Eshtë një fushë që po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje. Pjesërisht për shkak se njerëzit gjithnjë e më shumë janë më të vetdijshëm për ndryshimin e klimës dhe pjesërisht për shkak se vendet janë të vetëdijshme se do të ballafaqohen me pasojat e ndryshimit të klimës edhe nëse ne ndërrmarrim masat e domosdoshme. Pikërisht vendet e varëfra do të jenë ato që goditen më së shumti nga ndryshimi i klimës'.

Posaçërisht në Afrikë janë të dukshme pasojat e ndryshimit të klimës. Atje sa vijnë e zgjerohen shkretëtirat, reshjet e shiut mungojnë për një kohë të gjatë dhe pastaj shkaktojnë vërshime katastrofale dhe uji i pijshëm sa vjen e pakësohet. Në pesë vitet e ardhshme duhet të financohen rreth 400 milionë dollarë si ndihmë për vendet e goditura që të mënjanojnë pasojat e ndryshimit të klimës. Gjatë dy javëve në Bonn do të diskutohet se kush ka të drejtë të kërkojë ndihma nga ky fond, si do të ndahen prioritetet dhe si do të organizohet ndarja e tyre.

Një aspekt tjetër me të cilën do të merren ekspertët është çpyllëzimi i vendeve në zhvillim. Prerja e pyjeve nga njerëzit është përgjegjëse për shkaktimin e një të katërtës së gazërave serë në atmosferë. Andaj është e qartë se duhet ndaluar kjo tendencë, por jo edhe mënyra se si.

'A duhet zbuluar një mekanizëm i veçantë i cili do të shtynte vendet në zhvillim që të reagojnë ndaj çpyllëzimit pa u dhënë të drejtën e emetimit atyre që kryejnë këtë financim? Apo në të ardhmen duhet që prerja e pyjeve të futet nën administrim të kuadrit ligjor që pëcakton të drejtën e emetimit të gazërave në atmosferë? Atëherë do të kishte mundësi që të vihen në dispozicion para për zvogëlimin e shkallës së çpyllëzimit'.

Edhe pse në Bonn bëhet fjalë më shumë për hollësi teknike dhe organizative në sfond të gjitha diskutimeve qëndroin diçka tjetër. Javën e kaluar është publikuar pjesa e tretë e raportit të Kombeve të Bashkuara për klimën botërore i cili përkundër të gjitha përpjekjeve tërheq vëmendjen për një katastrofë të klimës.

Yvo de Boer: 'Të shtunën pres të zhvillohet një diskutim i madh në takimin e Këshillit për Klimën botërore. Të deleguarit do të kenë mjaft kohë që t'i kushtojnë vëmendje asaj që aktualisht na tregon shkenca', sqaron Yvo de Boer.

Në javën e dytë në rend të ditës do të jetë Protokolli i Kiotos. Për herë të tretë do të takohet grupi i tretë punës për të negociuar për një marrëveshje pasuese të mbrojtjes së klimës pas vitit 2012. Synim afatgjatë mbetet që kësaj marrëveshje t'i bashkangjiten edhe vendet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe India.