1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëvizja protestuese në Iran vazhdon- demokratizimi ende larg

17 Shkurt 2011

Pas përleshjeve pjesërisht të dhunshme të hënën në Iran, disa parlamentarë kërkuan atje dënim me vdekje për udhëheqësit e opozitës. Shkaku: manifestimet nuk kanë pasur leje zyrtare.

https://p.dw.com/p/10I8T
Nga protesta e së hënës në Iran
Nga protesta e së hënës në IranFotografi: picture alliance/dpa

"Vdekje Musavit, Karubit dhe Katamit" kërkojnë deputetë iranianë në parlament. Opozita e drejtuar nga ish-kryeministri Mir Husein Musavi dhe nga ish-presidenti i Parlamentit Mahdi Karubi donte të demonstronte paqësisht për më shumë demokraci. Regjimi i mullave vërtet që e mbështet opozitën në vendet arabe, por nuk duron demonstrata në vendin e vet. Policia u ka dhënë fund me dhunë demonstratave.

Lëvizjet e Egjiptit dhe Tunizisë shqetësojnë pushtetmbajtësit iranianë

Që prej zgjedhjeve presidenciale në verë 2009, e ashtuquajtura lëvizje protestuese "e gjelbër" është në gojën e të gjithëve. Ajo është në frymën e demokracisë perëndimore. Por asaj iu desh të pranonte shumë goditje. Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad shfrytëzon çdo shans për t'i shtypur drejtuesit e opozitës. Kërkesa e sotme për vdekjen e tyre në parlament, tregon se demonstratat më të fundit u kanë futur frikën pushtetmbajtësve, thotë Fateme Govarai. Aktivistja politike jeton në Teheran:

"Unë mendoj se demonstratat e së hënës i kanë lënë pa gjumë pushtetmbajtësit. Në parlament u themelua një komision, i cili diskuton çështje të tilla. Kësaj i shtohen edhe përpjekjet për frikësim dhe shtypje kundër udhëheqësve të opozitës. Por unë nuk besoj se kundër tyre do të ndërmerren masa ndëshkimore. Sepse ato do të kishin pasoja të pakëndshme për pushtetmbajtësit."

Irani është rast i veçantë

Struktura e pushtetit dhe rrethanat sociale në Iran si dhe marrëdhëniet e tensionuara me Perëndimin e bëjnë Iranin dhe lëvizjen e tij protestuese një rast të veçantë. E ardhmja e kësaj lëvizjeje demokratike tani është objekt i një diskutimi të gjerë. Sipas Mehran Baratit, ekspertit për Iranin që jeton në Berlin, protestat e qytetarëve iranianë do të vazhdojnë, derisa të zbatohen reformat politike.

"Kjo lëvizje nuk do të marrë fund. Iranianët pritën 30 vjet dhe tani ka ardhur koha e tyre. Njerëzit duan të drejtat e tyre. Dhe për to bëhet fjalë. Dhe nëse regjimi ua kundërshton atyre këto të drejta, atëherë lëvizja do të vazhdojë. Çështja është vetëm se kur: për 2 ose 3 muaj, pas 6 muajsh apo 2 javësh: kjo nuk mund të parashikohet."

Njerëzit në Iran me një moshë mesatare 26 vjeç i kanë ndjekur në mënyrë intensive zhvillimet e javëve të fundit në shtetet arabe. Por një reformë sipas modeleve të Egjiptit dhe Tunizisë, në Iran do të ishte e vështirë, meqenëse qeveria dhe forcat e armatosura janë të nënshtruara ndaj kreut fetar.

Në javët dhe muaj e fundit, në qeverinë Ahmadinexhad vërtet u kryen ndryshime në personel. Por ato nuk mund të interpretohen si kurs i ri reformash. Kundër lëvizjeve protestuese ushtarakët dhe gardat e revolucionit veprojnë me ashpërsinë më të madhe.

Autor: Shahram Ahadi / Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti