Lutja e Ratzingerit bashkë me vëllezërit myslimanë është pjesë e historisë | Studimi në Gjermani | DW | 03.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Lutja e Ratzingerit bashkë me vëllezërit myslimanë është pjesë e historisë

Vizita e Papës Bendekti i XVI në Turqi gjatë javës së kaluar si edhe samiti i NATO-së në Riga ishin në qendër të gazetave evropiane të javës që sapo kaloi.

default

Vizita e Papës në Turqi la mbresa të thella sidomos për shkak të vizitës së tij krejt të papritur në Xhaminë Blu të Stambollit. Ky gjest u vlersua nga gazetat turke. Madje HÜRRIET shkruajti se Papa u drejtua në xhami drejt Mekës dhe se u lut si një mysliman i vërtetë.

Gazeta LA REPUBBLICA nga Roma komenton:

"Pamja e Ratzinger-it se si u drejtua së bashku me vëllezërit e tij myslimanë drejt të vetmit Zot dhe u lut për paqe dhe dashuri, është që tani një pjesë e historisë. Disa do të ankohen ndoshta se ky gjest u krye nga Papa si një vepër oportuniste e tij, për të mos i bërë armiq 1.3 miliardë simpatizantët e Muhamedit. Por ata që e mendojnë këtë nuk e njohin as kishën e as Ratzingerin."

Gazeta hollandeze TROUW shkruan mbi një "mrekulli të vogël" që bëri Papa në Turqi:

"Pas fjalëve të urta e pajtuese që përdori Papa, mund të themi se ai është i gatshëm tashmë të shohë në Evropë më shumë se vetëm disa organizata kristiane. Kjo është një fitore shumë e madhe."

Ndërkohë gazeta NEW YORK TIMES kërkon nga Turqia që të kujdeset më shumë për të drejtat e pakicave fetare në vend:

"Në rast se Papa i mbështet hapur të drejtat e të krishterëve në Turqi dhe në vende të tjera myslimane, atëherë ai duhet ta ketë të qartë se fjalët e tij do të kishin më shumë peshë, në rast se ai ngul këmbë që Perëndimi ka ende një rrugë të gjatë përpara për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Turqia duhet të inkuadrohet në debatin që po zhvillon Perëndimi mbi pakicat dhe të drejtat fetare."

Temë tjetër.

Samiti i NATO-s në Riga vendosi ta mbështesë në mënyrë më afatgjatë financiarisht Afganistanin, ndërkohë që kërkesa e këtij vendi për më shumë trupa ndërkombëtare në luftën kundër milicëve të Talibanit, sidomos në jug të vendit, nuk u pranua nga shumë shtete antare të kësaj organizate. As Gjermania, as Franca e as Italia janë të gatshme të dërgojnë më shumë ushtarë atje.

Gazeta DAILY TELEGRAPH nga Londra shprehet e alarmuar:

"Gjatë këtij samiti u arritën disa kompromise të suksesshme. Por NATO nuk është e gatshme t´u vërë në dispozicion trupave ushtarake më shumë helikopterë apo të dërgojë 2.200 ushtarë të tjerë në Afganistan, ndonëse trupat atje kanë deklaruar se kanë nevojë për to. E gjithë barra e luftimeve në provincat jugore po mbahet edhe më tej nga Amerika, Britania e Madhe dhe Kanadaja mbi supe."

Edhe gazeta amerikane WALL STREET JOURNAL komenton:

"Lufta e NATO-s kundër Talibanit në jug të Afganistanit na kujton zaptimin e Normandisë. Aty po vdesin sërish vetëm kanadezë, britanikë dhe amerikanë. Shumica e vendeve të Evropës nuk do të marrë pjesë në këtë angazhim. Të njejtët partnerë të NATO-s që nuk pranojnë të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan, deklarojnë se dështimi i misionit në Afganistan nuk është një opcion i pranueshëm për ta. Në rast se do t´ja lejojmë Talibanit që ta kthejë Afganistanin sërish në qendrën ndërkombëtare të Xhihadit, atëherë Evropa do të vuajë më shumë se SHBA-s apo Kanadaja."

Dhe së fundi në gazetën spanjolle EL PAÍS lexojmë:

"Disa shtete si Gjermania, Franca apo Spanja duan që ta kufizojnë ku të munden numrin e ushtarëve të tyre në Afganistan dhe që ata ushtarë që janë aty, të konfrontohen sa më pak me luftimet e përgjakshme ndërkohë në jug të vendit. Për këto shtete është më e rëndësishme që të qëndrojën në zona më të qeta dhe që të merren më shumë me çështje humanitare. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka të drejtë kur kërkon më shumë solidaritet nga shtetet antare të NATO-s. Në Afganistan nuk janë ndërkohë në lojë vetëm imazhi dhe besueshmëria tek organizata e NATO-s por edhe koncepti i përgjithshëm i sigurisë globale."

  • Data 03.12.2006
  • Autor Herbert Peckmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armh
  • Data 03.12.2006
  • Autor Herbert Peckmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Armh