1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lutfi Haziri: Pritshmëri të mëdha për vitin 2007!

Bahri Cani2 Janar 2007

Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ministër i pushtetit lokal pret që në vitin 2007 të përfundojë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës

https://p.dw.com/p/Ara3

Viti 2006 do të mbahet mend për disa nga zhvillimet të rëndësishme për Kosovën: humbjen e presidentit Ibrahim Rugova, hapjen e procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe dështimin e negociatave shqiptaro - serbe në Vjenë. Udhëheqës i delegacionit të Kosovës në këto bisedime ishte zëvendëskryeministri, Lutfi Haziri flet për bilancin e vitit të kaluar dhe pritjet nga viti 2007.

Lidhur me zhvillimet e vitit 2006 dhe nëse ishin ato në harmoni me pritjet e kosovarëve, Lutfi Haziri thotë: Viti 2006 do të mbahet mend para së gjithash për shkak të hapjes së procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ishte ky një vit, kur u hapën negociatat teknike për ardhmërinë e Kosovës, të zhvilluara sipas sugjerimeve të zotit Ahtisari. Poashtu po punohet që përmes parlamentit të miratohen ligjet e duhura. Ky vit ishte shumë i rëndë edhe për shkak të humbjes së liderit më të madh, presidentit Ibrahim Rugova. Mirëpo u arrit të punohet në realizimin e prioriteteve dhe standardeve, që kanë të bëjnë me zgidhjen e statusit. Tani janë të njohura edhe katër "E"-të e qeverisë për përmirësimin e gjendjes në Kosovë.

Muajt e ardhshëm, pritet që Marti Ahtisari të shpallë propozimin e tij për statusin e Kosovës, Lutfi Haziri shprehet se pret që propozimi i zotit Ahtisari, të njohë vullnetin e shumicës së popullit kosovar.

Lidhur me prioritetet vitin e ardhshëm, Lutfi Haziri thekson, se "do të angazhohemi maksimalisht që plani ynë i për zhvillim që është përmbyllur me miratimin e pakos legjislative të fillojë të finalizohet."