1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lulëzim i industrisë së lojërave të fatit në Shqipëri

3 Prill 2010

Në Shqipëri funksionojnë më shumë se 1500 kazino. Një pjesë e mirë e tyre punojnë në të zeze dhe kryejne evazion fiskal. Rritja së fundmi e taksave synon të çojë drejt falimentimit të një pjese të mirë të tyre.

https://p.dw.com/p/MmfE
Ruleta që krijon iluzionin e parasë që fitohet shpejtFotografi: AP

Rritja e konsiderueshme e taksave për kazinotë dhe lojërat e fatit ndodhi para disa muajsh kur Parlamenti shqiptar miratoi një ligj të ri për to. Burime nga Ministria e Finnacave pohojnë për DW, se rritja e taksave ishte një mjet jo vetëm për të mbushur arkën e shtetit, por edhe për të sjellë falimentimin e disa prej kompanive të këtij biznesi, uljen e numrit të njerëzve që qindarkën e tyre të fundit e hedhin në ruletën e kazinozë. Në Shqipëri ka rreth 1500 kazino dhe lojëra fati një numër ky i konsiderueshëm në raport me popullsinë.

Kazinotë tërheqin njerëz me strese psikologjike dhe sociale

Sociologu, Kosta Bajraba, pedagog në Universitetin e Tiranës thotë se Shqipëria kaloi një tranzicion të vështirë. Pas 20 vitesh tranzicion shumë njerëz janë të dëshpëruar, pasi nuk kanë realizuar gjithë sa prisnin: punë, të ardhura, jetë më të mirë.“

Studenten der Universität Tirana
Të zhgënjyerit nga tranzicioni mund të bien pre e lojërave të fatitFotografi: Arben Muka / DW

Papunësia e lartë dhe varfëria, nga pikëpamja sociologjike, krijon një lloj stresi psikologjik dhe social, që i çon ata drejt kërkimit të alternativave që mund t'i nxjerrin nga kjo situatë. Një arsye tjetër është stresi që u krijohet nga situatat e ndezura politike që kanë karakterizuar rotacionin politik në këto 20 vite të fundit. Tranzicioni në Shqipëri ka prodhuar periudha tensioni dhe konflikti të lartë politik, që sjell tek njerëzit stres social, psikologjik të përditshëm. Dhe njerëzit kërkojnë të relaksohen duke iu drejtuar lojërave të fatit.”

Industria e lojërave te fatit vepron ne baze te parimit kërkese- ofertë. Numtri i madh i kazinove, basteve i përgjigjet kërkeses se tregut. Por nga ana tjeter tregon se njerëzve qe frekuentojnë lojërat e fatit u mungojnë alternativat e tjera, rrjeti i shërbimeve, mundësi të tjera argëtimi. Do të mjaftonte si ilustrim fakti që në Tiranë ka vetëm dy kinema dhe qindra kazino. “Qeveria duhet të dekurajojë qytetarët që t'u drejtohen kazinove dhe lojrave të fatit duke iu ofruar njerëzve alternative të tjera, që ata të mos kenë arësye të përfundojnë në rrjetin e kazinove dhe lojrave të fatit” thotë sociologiu Kosta Bajraba.

Casino Butterfly in Tirana Albanien
Pamje nga një kazino në TiranëFotografi: DW

Industri parazitare, punë në të zezë

Industria e lojërave të fatit është për sociologun Bajraba, një industri që nuk kontribuon në progresin e shoqërisë. “Është një industri parazitare. Jo thjesht se u merr paratë të varfërve dhe të dëshpëruarve por dhe të pasurve pasi klientët e lojrave të fatit i përkasin një spektri të gjerë të shoqërisë, duke filluar nga niveli i shtresave të poshtme të shoqërisë: të varfërit, të dëshpëruarit, të papunët, të pashpresët , ata që nuk kanë vizion dhe nuk gjejnë alternativë deri tek shtresat më të larta të shoqërisë” thotë ai.

Një pjesë e kësaj industrie punon në të zezë, nuk paguan taksat, dëmton konkurrencën e ndershme në treg. Fran Rica Fran Rica, drejtor i Departamentit të Luftës kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit sjell shifra që tregojnë një tendencë në rritje të evazionit fiskal. “Ka një rritje të ndjeshme të veprave penale që lidhen me zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në vitin 2009 pati 214 raste nga 113 në vitin 2008. Vetëm gjatë një operacioni policor, strukturat e policisë së shtetit u sekuestruan rreth 400 ambiente që mbaheshin për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit. U sekuestruan sasira të mëdha të kompjuterave që përdoreshin në mënyrë të paligjshme.”

Zgjidhjen nga varësia e lojërave të fatit, sociologu Kosta Bajraba e sheh tek veprimi me dorë të hekurt i ligjit i shoqëruar me ofrimin për qytetarët te alternativave të shërbimit, të argëtimit dhe kalimit të kohës së lirë. Kështu do të vinte edhe zvogëlimi i kësaj industrie në Shqipëri.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi