Lukashenko siguron përmes referendumit një periudhë të tretë në post | Evropa | DW | 18.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lukashenko siguron përmes referendumit një periudhë të tretë në post

Vëzhguesit: Farsë zgjedhore

Zgjedhjet parlamentare dhe referendumi në Bjellorusi

Zgjedhjet parlamentare dhe referendumi në Bjellorusi

Rezultati i farsës zgjedhore ishte i parashikueshëm; që në përgatitje skeptikët hamendësonin se në Bjellorusi nuk do të kishte aq shumë rëndësi se si do të zgjidhej, por se si do të numërohej. Numërimi u bë dje ashtu siç iu duk e drejtë presidentit dhe udhëheqjes politike të vendit. Rezultati është një triumf i mjerueshëm për Aleksandër Lukashenkon, despotin e fundit të Evropës.

Presidenti bëri që të drejtohej kushtetuta në favor të tij. Referendumi ishte një manovër në dukje demokratike për të mbuluar manipulimin. Aleksandër Lukashenko do të qëndrojë tani edhe për shumë vite të tjera në krye të Bjellorusisë dhe parlamenti i nënshtruar i zgjedhur njëkohësisht nuk do ti vendosë pengesa rrugës.

Me siguri me nocionin manipulim zgjedhjesh gjendja përshkruhet saktë. Kandidatët opozitarë u penguan në mënyrë masive, puna e medieve të pavarura u kufizua dhe u ndalua, shërbimi i fshehtë, që në Bjellorusi quhet ende KGB, ishte kudo i pranishëm. Në vend u përhap një klimë frike. Një dekadë e gjysmë pas shpërbërjes së BRSS-së në Bjellorusi mbretërojnë ende standarte sovjetike.

Një kryetar shteti, i cili festohet si babai i kombit, me një nomenklaturë si shtyllë mbajtëse e pushtetut të tij, një sistem politik jodemokratik, një ekonomi plani e zotëruar krejtësisht nga shteti dhe një popullsi, e cila e manipuluar politikisht nuk njeh alternativa dhe në pjesën më të madhe shpreson për qëndrueshmëri dhe siguri në kohë të pasigurta.

Përpjekjet e Bashkimit Evropian për ta izoluar politikisht regjimin despotik, për ta detyruar të kthejë presidentin me anë thirrjesh dhe ofertash, ishin të druajtura dhe mbetën pa rezultat. Sipas gjasave ndryshimi i raporteve politike në Bjellorusi mund të vijë vetëm nga brenda. Për këtë nevojiten kohë dhe durim, por edhe mbështetja e Perëndimit për një opozitë ende të dobët dhe një shoqëri civile tepër të gjallë.

Bashkimi Evropian duhet të vëzhgojë me vëmendje se çfarë ndodh midis Bjellorusisë dhe Rusisë, sepse tek fqinji i madh ka shenja që presidenti Vladimir Putin mund ta marë si shembull homologun e tij Lukashenko.

  • Data 18.10.2004
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG5
  • Data 18.10.2004
  • Autor Cornelia Rabitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG5