1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Ukrainë: Rusia përdor shumë drone vetëasgjësuese

3 Janar 2023

Rusia po terrorizon popullsinë civile ukrainase me dronë luftarakë të ndërtuar thjeshtë. Mbrojtja është veçanërisht një çështje çmimi.

https://p.dw.com/p/4LhCj
Dronat Shahed 136 dhe Shahed 131
Dronat Shahed 136 dhe Shahed 131Fotografi: irdiplomacy.ir

Shumicën e herëve ata vijnë natën. Banorët e qyteteve të Ukrainës i dëgjojnë rregullisht sulmet e droneve vetëasgjësues rusë. Kjo në një kohë kur termi është në fakt jo i saktë: sulmet vetëasgjësuese, të njohura si sulme me kamikace ishin sulme të pilotëve të rinj japonezë, të cilët rrëzoheshim me avionët e tyre në anije kundërshtare, në mënyrë që të shkaktonin sa më shumë dëme. Vdekja e pilotit ishte pjesë e konceptit. Por dronët nuk kanë pilotë. Mund të flitet madje për drone me një përdorim, sepse dronet shkatërrohen gjatë sulmit - ndryshe nga droni turk Bayraktar, për shembull, i cili kthehet nga bombardimet dhe fluturimet e zbulimit.

Droni vetëasgjësues i përdorur në Ukrainë është zakonisht një dron luftarak iranian Shahed-136 - megjithëse Rusia dhe Irani deri tani e kanë mohuar blerjen e tij. Shahed-136 është rreth 3.5 metra i gjatë dhe ka krahë delta me një hapësirë ​​prej rreth 2.5 metra. Ai mund të mbajë rreth 50 kilogramë eksploziv. Droni vihet në lëvizje nga një helikë shtytëse në pjesën e pasme me një motor benzine. Prandaj është i zhurmshëm dhe shpejtësia e tij prej më pak 200 km/orë është mjaft e ulët. Megjithatë, rrezja e veprimit të tij vlerësohet në 2000 km. Edhe nëse këto janë të dhëna të prodhuesit iranian të tyre dhe rrezja e goditjes të jetë në realitet pak më e ulët, në krahasim me dronët e tjerë vetëasgjësues ajo është jashtëzakonisht e lartë. Nga Rusia, Shahed-136 mund të arrijë në çdo qytet të Ukrainës.

Drone iraniane e rrezuar ne Kiev
Fotografi: Ukrainian military's Strategic Communications Directorate/AP/picture alliance

Switchblade përballë Shahed

Shahed-136, megjithatë, është ndërtuar shumë thjesht. Ndryshe nga dronet amerikane Switchblade , për shembull, te Schahedi përcaktohet paraprakisht një objektiv, i cili duhet të jetë patjetër i palëvizshëm, dhe droni më pas lëviz automatikisht drejt tij. Pasi caktimit të objektivit, ai nuk mund të ndikohet më.

Dronët vetëasgjësues quhen gjithashtu "armë sorrollatëse" (loitering weapons). Ndryshe nga shahedët, sisteme të tjera si switchblade së pari rrijnë pezull mbi një zonë ndërhyrjeje përpara se një operator tokësor t'u caktojë me lidhje të dhënash një objektiv, i cili mund të jetë edhe i lëvizshëm. Droni fluturon drejt atij objektivi, duke u shkatërruar edhe vetë.

Një vendim i vështirë për të marrë: a ia vlen rrëzimi?

Shahed nuk ka asnjë shans kundër sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore. Sipas mendimit të ekspertëve ushtarakë, droni nuk është i përshtatshëm as për t'u përdorur në front. Por ky nuk duket të jetë qëllimi i ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë. Taktika e përdorimit të droneve është me sa duket e ndryshme: synimi është të goditen objektiva civilë si instalimet e furnizimit dhe banesat dhe të përhapet terror në popullatë.

Duke qenë se droni është relativisht i lirë, me një çmim prej rreth 20.000 dollarësh amerikanë për copë dhe përbërësit e tij mund të gjenden lehtë për t'i blerë, mbrojtësit shpesh ndodhen para vendimit të vështirë nëse ia vlen të përdoren kundër tyre predha kundër ajrore moderne, kur secila prej tyre mund të kushtojë disa herë më shumë se çmimi i një droni vetëasgjësues. Aq më tepër kur Rusia shpesh përdor në Ukrainë koloni të tëra shahedësh, disa prej të cilave sigurisht që kapen, por të tjerët e arrijnë objektivin e tyre. Përveç kësaj, mbrojtja nga dronët mobilizon forcat ushtarake dhe të mbrojtjes ajrore ukrainase në të gjithë vendin, të cilat më pas mungojnë në vijat e frontit. Edhe kjo duket të jetë një llogaritje ruse.

Ekspertët ushtarakë perëndimorë supozojnë gjithashtu se dronët vetëasgjësues po përdoren për të zëvendësuar raketat me koka shpërthyese të kryqëzorëve, gjithashtu shumë më të shtrenjta, të cilat me sa duket kanë filluar të mbarojnë në Rusi.

Dronët e thjeshtë dhe të lirë vetëasgjësues nuk luajnë pothuajse asnjë rol në fushën e betejës. Por Rusia padyshim është përqendruar edhe te efekti psikologjik i tyre: të demoralizojë popullsinë civile.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare