Lufta kundër terrorizmit mbledh Ministrat e BE-së në Bruksel | Evropa | DW | 02.12.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lufta kundër terrorizmit mbledh Ministrat e BE-së në Bruksel

Bashkimi Europian ka ftuar në këtë mbledhje edhe ministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, përkatësisht të Shqipërisë, Bosnjës, Federatës serbo - malazeze, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Megjithatë takimi i sotëm mund të konsiderohet vetëm si përgatitor, pasi ai do të përgatisë një Plan Aksioni të BE-së kundër terrorizmit, plan që do t'i paraqitet kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së gjatë samitit europian të 17 dhjetorit. Parandalimi i sulmeve terroriste, por po ashtu edhe përgjigja ndaj një sulmi të mundshëm terrorist, janë çështjet kryesore që do debatohen gjatë 2 ditëve sa do të zgjasë takimi i ministrave të rendit dhe drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së. Ndër masat e bëra të njohura deri më tani parashihet krijimi i një rrjeti të gatishmërisë së lartë i pagëzuar "Argus" që do të kujdeset për ruajtjen e objekteve strategjike ndaj një sulmi bërthamor, radiologjik, bakteriologjik apo me lëndë kimike, si dhe ngritja po ashtu e një qëndre krize pranë Komisionit Europian që do të bashkërendojë veprimet e policive të 25 vendeve anëtare të BE-së. Njëkohësisht është hedhur ideja e caktimit të datës 11 mars si ditë përkujtimore e viktimave të terrrorizmit si dhe e ruajtjes së lirive qytetare. Hartimi i listave të personave, grupeve dhe organizatave terroriste, si dhe të atyre që propagandojnë veprime që bien në kundërshtim me vlerat dhe sigurinë e shteteve perëndimore, si dhe një bashkërendim dhe qarkullim më i shpejtë i informacionit ndërmjet policive europiane me Europolin - janë po ashtu ndër masat që priten të hyjnë në fuqi më 17 dhjetor. Menjëherë pasi ministrat europianë të kenë përfunduar së shqyrtuari këto çështje, ata do të ftojnë në këtë takim, rreth orës 16 të ditës së sotme, edhe ministrat e rendit dhe të drejtësisë nga Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Federata serbo - malazeze dhe Kroacia për të diskutuar me ta problemet që kanë të bëjnë me shtrirjen dhe përhapjen e krimit të organizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pasojat e tij në vendet e BE-së. Por përveç problemeve që lidhen me krimin e organizuar si dhe me trafiqet e drogës, armëve dhe njerëzve që kanë prejardhjen apo tranzitojnë nëpër Ballkan, Bashkimi Europian po i ndruhet tani edhe një forcimi të mundshëm të ndikimit islamik në disa rajone të Ballkanit. Prandaj edhe masat që duhet të marrin këto vende për të luftuar përhapjen dhe shtrirjen e rrjeteve terroriste islamike, është një nga temat që do të diskutohet sot pasdite në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel.



  • Data 02.12.2004
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFf
  • Data 02.12.2004
  • Autor Viron Gjymshana
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFf