Luftë për pushtet në Venezuela - BE nuk e njeh formalisht Guaidon | Bota | DW | 24.01.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Luftë për pushtet në Venezuela - BE nuk e njeh formalisht Guaidon

Presidenti i parlamentit të Venezuelës, Juan Guaido u vetëshpall president i vendit. Por Nicolas Maduro nën presion të madh mund të shpresojë tek ndihma e ushtrisë. BE mbështet Guaidon, por nuk e njeh formalisht.

Kriza qeveritare në Venezuela është ashpërsuar më shumë pas deklaratës së presidentit të parlamentit, Juan Guaido se ai është edhe president i vendit, duke i shpallur kështu luftë hapur presidentit Maduro. Pak minuta më vonë presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh, se ai e njeh Guaidon si president legjitim të vendit. Qeveria amerikane i bëri thirrje Maduros të sigurojë një dorëzim paqësor të pushtetit ndryshe socialistët do të përballen me pasoja. "Të gjitha opcionet janë në tavolinë", theksoi Trump. Presidenti amerikan u bëri thirrje vendeve perëndimore të njohin Juan Guaidon si president të përkohshëm.

Maduro i zemëruar

Kreu socialist i vendit, Nicolas Maduro reagoi menjëherë duke vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. "Qeveria imperialiste e SHBA dëshiron të vendosë një qeveri marionetë në Venezuela", akuzoi Maduro SHBA. Personeli diplomatik i SHBA duhet të largohet brenda 72 orëve nga vendi kërkoi presidenti Maduro. Replika nga SHBA nuk mungoi: "Shtetet e Bashkuara nuk e njohin regjimin e Maduros si qeveri të Venezuelës", deklaroi sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo. "Si pasojë, SHBA nuk janë të mendimit, se presidenti i mëparshëm, Nicolas Maduro ka kompetencën ligjore për të ndërprerë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të deklarojë diplomatët tanë si persona të padëshiruar."

Ushtria - faktor pushteti

Maduro megjithatë e ka edhe një kartë në dorë - ushtrinë. Gjeneralët e fuqishëm të ushtrisë janë në postet më kyçe të vendit të sfilitur nga korrupsioni dhe varfëria. Ata kontrollojnë biznesin e naftës, importin e artikujve ushqimorë, bankat dhe minierat. Ministri venezuelian i Mbrojtjes, Vladimir Padrino i siguroi Maduros mbështetjen. "Ushtarët e atdheut nuk pranojnë asnjë president të vendosur nga fuqi të errëta, dhe që jashtë ligjit e shpall veten president" shkroi Padrino në twitter.

Guaido nga ana e tij u bëri thirrje forcave të armatosura të dalin në krah të kundërshtarëve të qeverisë. Mjaft ka vuajtur populli nën "diktaturën katastrofale" të Maduros, tha Guaido.

Pas SHBA e njohën Guaidon si president të përkohshëm të vendit edhe Brazili, Paraguaji, Kolumbia, Kili, Peruja, Argjentina, Guatemala, Kosta-Rika, Ekuadori. Edhe Kanadaja u shpreh e mbështet Guaidon. Meksika, Bolivia dhe Kuba i mbeten besnik Maduros. Shqipëria u shpreh pro njohjes së presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido. Kryeministri Rama, edhe ministër i Jashtëm shkroi në twitter se Shqipëria e njeh Guaidon si kreun e shtetit të Venezuelës. Rama i uroi sukses venezuelianëve në "zhdukjen e paligjshmërisë".

BE pozicionohet

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini ka bërë thirrje për zgjedhje të reja në Venezuela dhe ka siguruar mbështetjen për opozitën në parlament. "Bashkimi Europian thekson thirrjen për fillimin e një procesi politik, që çon në zgjedhje të lira e të besueshme në përputhje me kushtetutën", tha Mogherini. BE mbështet Asamblenë e Përgjithshme të drejtuar nga presidenti i vetëshpallur Juan Guaido "si institucion demokratik të zgjedhur, kompetencat e saj duhen respektuar dhe rivënë në vend", deklaroi më tej Mogherini. Por Mogherini nuk bëri njohjen formale të Guaidos si president. Ajo kërkoi që të respektohen të drejtat qytetare, liria dhe siguria e Guaidos. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në kuadër të vizitës në Uashington u shpreh, se situata "është kritike" por "ne të gjithë nuk duam të japim kontribut në shkallëzimin e mëtejshëm të saj."

Venezuela Nicolas Maduro in Caracas (picture-alliance/dpa/A. Cubillos)

Maduro përshëndet përkrahësit e tij në Karakas, 23.01.2019

Të mërkurën (23.02) dhjetëra mijëra venezuelianë dolën në rrugë duke ndjekur thirrjen e opozitës kundër qeverisë socialiste. Edhe përkrahësit e Maduros dolën në rrugë për të treguar solidaritetin me qeverinë.

 

 

 

la/qu/stu (dpa, afp, rtr)