Luftë e nevojshme anti-terror apo masa të tepruara? | Gjermania | DW | 01.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Luftë e nevojshme anti-terror apo masa të tepruara?

Miratohet ligji plotësues kundër terrorizmit. Të dhënat mbi personat e dyshuar do të ruhen në bankën e të dhënave anti-terror të entit federal të kriminalistikës

Bankë të dhënash biometrie

Bankë të dhënash biometrie

Parlamenti gjerman miratoi sot me votat e bashkimit CDU/CSU dhe ato të socialdemokratëve bankën e të dhënave anti-terror, e diskutueshme kjo për vite me radhë. Nga java e ardhshme të dhënat mbi personat e dyshuar do të ruhen në mënyrë qendrore. Fraksionet parlamentare, opozitare: liberalët, të majtët dhe të gjelbërit e refuzojnë këtë bankë të dhënash siç refuzojnë edhe zgjatjen e ligjeve ekzistuese anti-terror, të cilat u miratuan gjithashtu.

Ministri i brendshëm, kristiandemokrati Wolfgang Schäuble, është i kënaqur. Megjithëse disa mbrojtës të të dhënave personale dhe disa ekspertë ligjorë shprehën rezerva në parlament gjatë seancës dëgjimore, shumica e deputetëve ishte në favor të bankës së të dhënave anti-terror, e cila do të vendoset në entin federal të kriminalistikës.

Të drejtë të hyjnë në të do të kenë 38 organe të sigurisë, të federatës dhe të landeve: policia, zyrat e kriminalistikës, mbrojtja kushtetuese, shërbimi i fshehtë ushtarak, shërbimi informativ federal dhe zyra e kriminalitetit doganor. Të gjitha këto janë të detyruara të kontribuojnë me njohuritë e tyre. Përjashtim përbëjnë ato raste kur shërbimet e fshehta konsiderojnë të rrezikuar mbrojtjen e informatorëve të tyre.

Kundërshtarët e grumbullimit qëndror të të dhënave dhe të aksesit të shumëllojshëm kritikojnë faktin që në Gjermani shfuqizohet detyrimi i ndarjes së punës së policisë nga ajo e shërbimit të fshehtë dhe që kufizohen të drejtat e shtetasve.

Ministri i brendshëm Schäuble e konsideron jo të saktë këtë akuzë: "Në qoftë se duam të ruajmë rendin e lirive të vendit tonë, për çka shpresoj se pajtohemi të gjithë, atëherë ky shtet ligjor duhet të jetë në gjendje që t'u garantojë shtetasve të vetë siguri në masë të mjaftueshme. Përndryshe shkatërrohet rendi i lirive."

Por pikërisht kjo po praktikohet hap pas hapi, mendon eksperti për politikën e brendshme i fraksionit të majtë, Jan Korte, dhe tregon nga informacionet e mundshme që lejohet të ruhen në bankën e të dhënave anti-terror: përveç armëmbajtjes dhe përkatësisë në organizata terroriste këtu bëjnë pjesë edhe të dhënat mbi profesionin, mbi udhëtimet, të dhënat bankare dhe të telekomunikacionit, mbi personat me të cilët mbahen lidhje; dhe ajo çka e indinjon veçanërisht deputetin Korte: përkatësia fetare.

"Ç'do të thotë kjo; ç'punë ka përkatësia fetare atje? Natyrisht që kjo që po bëhet është përsëri një stigmatizim i ri. Dhe si gjithnjë në luftën kundër terrorizmit kjo prek në radhë të parë migrantët në këtë vend. Prandaj ne e refuzojmë."

Eksperti i të gjelbërve për politikën e brendshme, Wolfgang Wieland, i trembet aksesit të pakontrolluar tek të dhënat e grumbulluara. Fjala është në fakt për një të ashtuquajtur bankë me të dhëna të pakta për identifikimin e personave të dyshimtë. Në raste të jashtëzakonshme vlejnë rregulla urgjence. Informacionet e tjera mund të shihen vetëm pas kërkese. Praktikisht kjo është një skedë me tekst të plotë, mendon Wieland.

Por pavarësisht këtyre masave planet për atentate, si të të ashtuquajturve atentatorë me bomba në valixhe në verë të këtij viti nuk mund të shmanges as në të ardhmen: "Atentati i Këlnit, të cilin e pengoi vetëm rastësia, pasi vetëm transmetimi i gabuar i planeve të ndërtimit nga interneti në realitet bëri që Këlni të mos përmendet sot në një radhë me atentatet e Madridit dhe Londrës, nuk mund të ishte evituar as prej bankës së të dhënave anti-terror."

Edhe përfaqësues të franksioneve qeveritare CDU/CSU dhe SPD pranuan, se siguri njëqind për qind nuk mund të ketë. Por, tha socialdemokrati Dieter Wiefelspütz, terrorizmi përbën rrezik akut në Gjermani: "Prandaj kemi detyrimin të bëjmë maksimumin për të përmirësuar sigurinë e vendit tonë."

Këtë vlerësim e pranon edhe politikani liberal i njohur me politikën e rendit Max Stadler, por ai mbërrin në përfundime të tjera. Ndër të tjera në përfundimin se ligjet anti-terror duhen verifikuar nga këndvështrimi i qytetarëve të përfshirë prej tyre. Deri tani ministria e brendshme i vlerëson vetë ligjet e saj.

  • Data 01.12.2006
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyS
  • Data 01.12.2006
  • Autor Marcel Fürstenau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyS