Luftë e ashpër deri në ditën e votimeve - Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 2 nëntorit në SHBA mund vendoset në Ohajo | Bota | DW | 17.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Luftë e ashpër deri në ditën e votimeve - Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 2 nëntorit në SHBA mund vendoset në Ohajo

Sistemi elektoral i SHBA parashikon që zgjedhjet presidenciale të vendosen në të 50 shtetet federale. Sipas numrit të popullsisë nëpër shtete zgjidhet një numër i caktuar të ngarkuarish për zgjedhjet, të cilët zgjedhin presidentin. Fitues konsiderohet kandidati që fiton të paktën 270 votat e të ngarkuarve për zgjedhjet. Një ndër shtetet kyc ku po zhvillohet një luftë e ashpër elektorale është Ohajo, që ka fituar një peshë të vecantë me 20 të ngarkuarit për zgjedhjet.

Xhon Kerri dhe Xhorxh Bush

Xhon Kerri dhe Xhorxh Bush

Të dy partitë e kanë organizuar luftën e tyre elektorale më intensive se cdo herë tjetër. Partia republikane ka mobilizuar 70.000 ndihmës vullnetarë për fushatën elektorale. Robert Benet është kryetar i degës së partisë në shtetin Ohajo: "Rezultati është i ngushtë. Por mendoj, se amerikanët zakonisht kanë nevojë të kenë një arësye për të mos e zgjedhur presidentin që është në post, në rast të kundërt ai rizgjidhet për një mandat të dytë. Ka edhe zgjedhës që drejtohen tek rivali i presidentit e simpatizojnë atë dhe janë të gatshëm t´i japin votën. Por tek e fundit e ndryshojnë mendimin dhe thonë, më mirë po ia japim votën presidentit që njohim. Ndaj besoj, se presidenti Bush do të fitojë një shumicë komode në Ohajo."

Edhe në kampin e demokratëve janë optimistë. 500.000 zgjedhës të rinj të regjistruar në Ohajo janë vetëm për Xhejms Ruvolo, drejtues i fushatës së Kerrit në Ohajo. Kjo është një shenjë e qartë, se shtresa të gjera të elektoratit që deri dje nuk kanë marrë pjesë në procesin politik, janë tani të pakënaqur me Bushin dhe duan kthesën: "Presidenti Bush ka polarizuar. Ai po i përcan njerëzit në vend që t´i bashkojë ata. Ndaj fushata është e ashpër. Por njerëzit e qendrës duan një ndryshim dhe pikërisht për këtë republikanët duan që ata të mos shkojnë në votime. Zgjedhësit e pavendosur në fund të fundit do të votojnë kundër Bushit, me kusht që ata të shohin një alternativë të vërtetë tek rivali i tij. Xhon Kerri u dëshmua si një tillë në debatin televiziv."

Ndryhsim skene. Në "Universitetin Case Western" në Cleveland një natë përpara dualit televiziv të kandidatëve për zëvendëspresident Cenej dhe Eduards studentët organizuan një samit debatesh me pjesëmarrje nga të gjitha anët e SHBA. Në debat u tematizua kryesisht lufta e Irakut dhe reziku për rivendosjen e shërbimit të detyruar ushtarak në SHA, tema këto që u krijojnë shqetësime të rinjve. Collen Gaydos studjon sociologji dhe është në semestrin e tretë, ja se ç´mendon ajo: "Për ne studentët është një temë e rëndësishme studimi i paguar universitar. Xhon Kerri ka një plan, që cdo student që do të shkojë në kolegj duhet të ketë mundësi edhe ta financojë atë. Temë tjetër ishte Iraku. Grupmosha e 18 dhe 24 vjecarëve mban barrën kryesore të luftës dhe ne duam të sigurohemi që presidenti ynë t´i peshojë të gjitha mundësitë e të mos na dërgojë pa qenë nevoja në ndonjë luftë të papërgjegjshme."

Ohajo në periudhën e parë të presidencës së Bushit ka humbur 235.000 vende pune, 6,3% është kuota e papunësisë, mbi mesataren në SHBA. E rëndësishme në këtë shtet është industria e çelikut dhe në këtë sektor gjatë viteve të fundit kanë humbur shumë vende pune.

Firma Timken qysh prej brezash prodhon kushineta në qytezën Kanton në kufi me Pensilvaninë. Deri më sot kjo firme ishte punëdhënësi më i madh në këtë rajon. Por ndërkaq 11.000 të punësuar të firmës kanë shkuar jashtë vendit dhe të tjerë do të pasojnë, sepse punishtet e Kantonit do të zhvendoset në zona me kosto më të favorshme. Imazhi negativ që kanë krijuar SHBA nën presidentin Bush, nuk është aspak faktor shqetësues në këtë rast. Firmat me zhvendosjen e tyre kanë parasysh vetëm avantazhin e kostove thotë shefi i saj Xhejms Grifith: "Presidenti Bush dhe veprimet e tij në Irak nuk e kanë influencuar biznesin tonë. Biznesmenët vendosin sipas kritereve ekonomike. Atje ku prodhimi është i arësyeshëm ne kemi edhe aksesin në treg, asgjë tjetër." Se kë do të zgjedhë, kjo është çështje private, thotë shefi i firmës. Ndryshe mendon Mark Granakis. Bosi lokal i sindikatës në ISG Steel Mills, Kleveland, fabrika e vetme e çelikut që ka mbetur, e cila pasi u mbyll përkohësisht u rihap përpara një viti thotë: "Përpara dy vjet e gjysmë, pra në periudhën e mandatit të këtij presidenti, fabrika jonë u mbyll. Kudo në SHBA u mbyllën fabrikat e çelikut. Bushi i injoroi problemet e industrisë së çelikut. Rezultati është që disa mijëra vetë të punësuar në këtë degë kanë mbetur pa sigurim shëndetësor dhe pa pension nga ndërmarrja."

  • Data 17.10.2004
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRv
  • Data 17.10.2004
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArRv
Reklamë