1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Luftë civile në Juglindje të Turqisë

Thomas Borman23 Janar 2016

Në juglindjen kurde të Turqisë ka shpërthyer që prej verës një luftë e pashpallur civile midis ushtrisë turke dhe ushtarëve të PKK. Sipas të dhënave të organizatës Human Rights Watch kanë humbur jetën 200 civilë.

https://p.dw.com/p/1HiZ6
Türkei Sirnak Zerstörung nach Militäroffensive gegen Kurden
Shkatërrim në Sirnak pas ofensivës turkeFotografi: picture-alliance/AA/abaca

Ende mijëra banorë në qytetin e Turqisë jugore Cizre rrijnë të strukur në bodrume. Kanë vetëm bukë të vjetër, të tharë; mbledhin ujë shiu në shishe plastike, sepse nuk mund të dalin në rrugë e të marrin ujë të pijshëm. Sepse atje, në rrugët e banimit patrullojnë tanke të ushtrisë turke, të cilat hapin zjarr kundër luftëtarëve të PKK, të cilët fshihen në apartamente. Në Cizre kjo gjendje vazhdon e tillë që prej pesë javësh, ditën dhe natën. "I lutemi Zotit që ta shuajë këtë zjarr. Ne duam paqe. Gjakderdhja të marë fund", thotë një grua e vjetër kurde.

Para pak ditësh, një i ri 16 vjeçar rrinte i plagosur rëndë në rrugë. Ai kishte marrë një plagë me armë zjarri, por askush nuk e ndihmoi dhe ai vdiq nga gjakderdhja. Familja e tij kërkoi me dëshpërim që të shkonte për ndihmë një ambulancë, por asnjë ambulancë nuk i vajti. Ky për të fat të keq nuk është rast i veçuar, thotë Emma Sinclair-Webb nga Organizata Human Rights Watch. "Kur dikush plagoset, banorët e kanë shumë të vështirë të sigurojnë një ambulancë. Policia pengon herë pas here që ambulancat të marrin persona të plagosur."

Emma Sinclair-Webb ka folur me shumë qytetarë në zonat e izoluara dhe ka studiuar shumë nga rastet e vdekjeve. Veç ushtarëve dhe luftëtarëve, jetën e kanë humbur edhe rreth 200 civilë, midis tyre edhe fëmijë të vegjël. Një luftë në kurriz të qytetarëve të pafajshëm. "Si organet shtetërore, ushtria dhe policia, ashtu edhe grupet e afërta me PKK e kërcënojnë në maksimum sigurinë e njerëzve që jetojnë këtu, kur luftojnë në qendër të qytetit."

Türkei Diyarbakir Militäroffensive gegen Kurden
Diyarbakir - ofensiva turke kundër kurdëve (11.01.2016)Fotografi: picture-alliance/abaca/M. Coban

Kurdët e humbasin besimin te shteti turk

Zemërimi i banorëve drejtohet më pak kundër Partisë Punëtore Kurde, PKK se sa kundër shtetit, i cili bën bashkëpërgjegjës të gjithë njerëzit, bëjnë të ditur gazetarë që kanë pasur mundësinë t'i vizitojnë qytetet e përfshira në luftime.

Por kjo mënyrë veprimi bën që të humbasë edhe elementi i fundit i besimit, që kanë pasur qytetarët kurdë te shteti. Më shumë se njëqind mijë banorë të qyteteve të luftimeve në juglindje të Turqisë kanë marrë arratinë - tek të afërmit e tyre në rrethinat pranë ose në qytete të mëdha si Stambolli; disa duan të largohen nga Turqia dhe të shkojnë jashtë vendit. Shumë do të vijnë në Gjermani, paralajmërojnë politikanë opozitarë turq. Lufta civile e viteve 1990 është kthyer sërish, thotë Emma Sinclair- Webb e Human Rights Watch. "Gjendja të kujton situatën para njëzet vjetësh, kur banorët i dëbonin nga fshatrat e tyre. Tani i dëbojnë nga qytetet."

Emma Sinclair- Webb kërkon që policia t'u japë fund menjëherë ndalimeve të qarkullimit, në mënyrë që qytetarët e izoluar të kenë sërish mundësi të marrin ujë të pijshëm, ushqime dhe ndihma mjekësore. Palët e konfliktit duhet të rikthehen në tryezën e bisedimeve.