Londra përgënjeshtron shtyrjen e votimit për Brexitin | Evropa | DW | 10.12.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Londra përgënjeshtron shtyrjen e votimit për Brexitin

Qeveria britanike i ka hedhur poshtë raportimet për një shtyrje të votimit për Brexitin në parlament. Përgjithësisht pritet që kryeministrja May të pësojë disfatë në votimin në Parlament.

Zyra e kryeministres britanike, Theresa May kundërshtoi spekullimet për një shtyrje të mundshme të votimit për Brexitin në parlamentin britanik. "Votimi do të mbahet të martën", tha një zëdhënës i Downing Street për agjencinë britanike të lajmeve PA.

Më parë mediet patën njoftuar se May dëshiron ta shtyjë votimin, përballë disfatës që e kërcënon. Me shtyrjen ajo do të përpiqej të fitonte kohë, ku me një "moment të çantës së dorës", ajo do të përpiqej të negocionte kushte të reja. Sipas të dhënave të "Sunday Times", May dëshironte të pengonte me këtë rrëzimin e mundshëm të qeverisë së saj.

Me "momentin e çantës së dorës" kuptohet dalja e ish-kryeministes britanike Margaret Thatcher, e cila në takimin e nivelit të lartë të vitit 1984 në Francë arriti lëshime më të mëdha në kontribute për Britaninë e Madhe. Në diskutim e sipër ajo e vendosi disa herë herë në mënyrë demonstrative çantën e saj të dorës mbi tavolinë.

Kërcënimi me shefin e laburistëve Corbyn

Në një intervistë me "Daily Mail", May i paralajmëroi anëtarët e partisë së saj që të mos votojnë kundër marrëveshjes për Brexitin. Një Jo do t'i sillte pasiguri të mëdha vendit dhe rrezikun që Britania e Madhe të mos largohet nga BE.

"Po ta doni Brexitin, atëherë merreni, dhe për këtë bëhet fjalë në këtë marrëveshje", tha ajo. Drejtuesi i opozitës Jeremy Corbyn vetëm pret sa të organizojë me çdo çmim zgjedhje të reja, tha May."Unë besoj se Jeremy Corbyn në pushtet është një rrezik që nuk mund ta përballojmë".

 Amber Rudd

Amber Rudd

Për momentin konsiderohet pa gjasa, që parlamenti të martën e ardhshme të votojë në Londër pro marrëveshjes së Brexitit, për të cilën May ka negociuar në Bruksel. Alternativat do të ishin një dalje e çrregullt nga BE ose ndoshta edhe fare jo Brexit. Sipas "Sunday Times", disa ministra po thurrin plane për një referendum të dytë.

Ministrja e Punës, Amber Rudd është shprehur tashmë për modelin Norvegji-Plus ose për një referendum të dytë si alternativa për planet e tanishme të Brexitit. Nëse marrëveshja për daljen nga BE për të cilën është rënë dakord nuk miratohet, modeli Norvegji-Plus mund të ishte plani B, i tha Rudd stacionit BBC dhe gazetës "The Times". Asnjë ministër tjetër nuk është shprehur më parë kaq publikisht për këtë model.

Në rastin e modelit Norvegji-Plus, Britania e Madhe do të qëndronte në tregun e brendshëm dhe në bashkimin doganor. Ky model mund të marrë një shumicë tej kufijve të grupeve parlamentare në Parlamentin britanik. Norvegjia është anëtare e Hapësirës Ekonomike Evropiane, por jo anëtare e BE. Britania e Madhe mund të binte dakord për një bashkim doganor shtesë me Brukselin - pra Norvegji Plus. Kritikët nuk e pëlqejnë këtë zgjidhje, sepse e quajnë Brexit tepër të butë. Ata kanë frikë, se thuajse gjithçka do të mbetet si ka qenë, edhe liria e lëvizjes së personave.

Ruddi tha se e mbështet edhe më tej marrëveshjen. Por një dalje nga BE pa marrëveshje, mund të shkaktonte një kaos në Britaninë e Madhe, i tha ministrja BBC. Prandaj duhet vrarë mendja për alternativa. Këtu bën pjesë edhe një referendum i dytë. Ajo vetë do të votonte në një rast të tilllë për të qendruar në BE.