Londër: Disa të plagosur nga një sulm terrorist | Evropa | DW | 29.11.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Londër: Disa të plagosur nga një sulm terrorist

Si pasojë e një sulmi me thikë në mes të Londrës janë plagosur disa vetë, njoftoi Scotland Yard. Atentatori i pandehur u qëllua prej forcave të rendit. Kjo ngjarje u klasifikua si sulm terrorist.

Në London Bridge në qendër të kryeqytetit britanik policia qëlloi një person i pandehur si autori i sulmit me thikë ndaj disa vetëve. Këtë e vuri në dukje një zëdhënës i Scotland Yard. Gjatë sulmit me thikë u plagosën disa persona. Ky rast u klasifikua si sulm terrorist.

Sipas një reporteri të BBC-së, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, disa vetë po përpiqeshin të bllokonin duke e mbajtur të shtrirë në tokë një person. Pas kësaj u dëgjuan të shtëna. Në një video, që qarkullon në rrjetet sociale, shihej se si disa policë drejtuan armët ndaj një personi të strukur në tokë.

Kryeministri Boris Johnson komunikoi përmes Twitter-it, se do të informohet në vazhdimësi rreth ngjarjes duke falenderuar forcat e rendit për "reagimin e menjëhershëm". Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe udhëheqësi i opozitës Jeremy Corbyn në Twitter. Më 12 dhjetor në Britaninë e Madhe zhvillohen zgjedhjet.

Ura dhe zona përreth u bllokuan. Kalimtarëve iu bë thirrje të ndjekin udhëzimet e forcave të rendit. Në video në internet shihet se si shumë njerëz në panik përpiqeshin të largoheshin nga ura. London Bridge është një aks i rëndësishëm i qarkullimit me një stacion treni mjaft të frekuentuar.

Në qershor 2017 në kryeqytetin britanik gjetën vdekjen tetë vetë, pasi terroristët me një kamion shkelën fillimisht tre vetë dhe më pas sulmuan me thikë pesë vetë të tjerë në Borough Market. Atëherë policët i qëlluan atentatorët.

stu/hk (dpa, afp, rtr)