1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojrat Olimpike në Kinë

(VFB)26 Korrik 2013

Në shtypin gjerman të së premtes gjen jehonë hapja e Lojrave Olimpike në Pekin.

https://p.dw.com/p/EsZD

Gazeta "Tagesspiegel" komenton: "Tani atletët do të dalin në fushë dhe është në dorën e tyre për të mbajtur më shumë qëndrim. Ata mund të ndërhyjnë si sportistja gjermane e skermës Brita Heideman (Britta Heidemann), që kërkon më shumë mirëkuptim për Kinën në ndryshim. Ata mund të demonstrojnë duke bojkotuar ceremoninë e hapjes, si kolegia e Heidemanit, Imke Duplitzer që sot do të bëjë të njëjtën gjë. Mendimi është i lirë, edhe sportistët janë të lirë. Pavarësisht nga imperativi i neutralitetit olimpik atletët mund të angazhohen për lirinë dhe ta përjetojnë atë. Një demonstrim i dukshëm mbarëbotëror për të drejtat themelore do të jepte të paktën një medalje simbolike të artë."

Në komentin e "Kölnische Rundschau" nënvizohet: "Bota tek Lojrat Olimpike nuk i ka drejtuar sytë vetëm tek ngjarja, por tek Pekini dhe i gjithë vendi. Në këtë valë lihet shumë në hije prej së shkuarës olimpike. Përpara se të jepet medalja e parë rekordet janë të llojeve nga më të ndryshmet. Kompaktësia mes mundimit të papërfytyrueshëm, reptësisë së rregullave dhe demonstrimit të fuqisë shtetërore të një diktature ka tërhequr vëmendjen mbarëbotërore si asnjëherë më parë. Por entuziazmi në vend dhe skepticizmi mbarëbotëror përplasen së bashku. Kjo do t´u bëjë ballë lojrave dhe do të hyjë në historinë e olimpiadës. Megjithë masat që të ngjallin frikë do të ketë rekorde të tjera. Kjo si në aspketin pozitiv edhe në atë negativ. Olimpiada nuk llogaritet më vetëm me kohë, lartësi dhe gjatësi, por në mënyrë dominuese me kuotat e teleshikuesve, të ardhurat, si dhe me përmasat e dopingut."

Një citat nga komenti i "Eßlinger Zeitung" : "Interesat ekonomike të sponsrizuesve të rëndësishëm bënë që Lojrat Olimpike t´i jepen Pekinit. Këtu firmat shpresojnë të kenë fitimet e së ardhmes dhe janë të gatshme të shpenzojnë rreth një miliardë euro për lojrat. Do të kish qenë më e ndershme sikur në këtë kontekst në vigjilje të lojrave të flitej hapur, në vend të mburrjeve të shefit të Komitetit ndërkombëtar Olimpik, Zhak Rozhe (Jaques Rogge) për naivitetin dhe idealizmin e organizatave sponsorizuese. E kundërta është e vërtetë: më ashpër se Komiteti Ndërkombëtar Olimpik nuk vepron askush, kur është fjala për para sponsorizuesish dhe ruajtje kontratash."