1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lojra gjeopolitike në Sofje? - Putini përfundon vizitën në Bullgari

Aleksander Andreew19 Janar 2008

Presidenti rus të premten i dha fund vizitës dyditore në Bullgari. Në Sofje u arritën disa marrëveshje bilaterale, por u nënshkruan edhe kontrata për energjinë, rëndësia e të cilave i kalon kufijtë bullgarë.

https://p.dw.com/p/Culb
Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu bullgar Georgi Parvanov, 18 janar 2008, SofjeFotografi: AP

"Ashtu si pula që nuk është zog, edhe Bullgaria nuk është botë e jashtme." Kjo shprehje, që ka rimë në rusisht i takon kohës së ndarjes në blloqe, por kur është fjala për raportet mes Rusisë dhe Bullgarisë ajo edhe sot ka peshë. Disa politikanë në Moskë e trajtojnë Bullgarinë si pjesë të influencës së fuqishme ruse. Prandaj shumë shtresa të popullit bullgar kanë frikë nga varësia e sërishme. Natyrisht jo varësia politike, sepse Bullgaria është anëtare e plotëfuqishme e NATO-s dhe e BE-së, por varësia ekonomike dhe në veçanti ajo energjetike.


Pikërisht marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së Putinit kanë bërë që vizita e tij në Bullgari të ketë edhe rëndësi ndërkombëtare. Projekti 10 miliardësh "South Streem" për kalimin e gazit përmes Bullgarisë deri tek vendet e tjera anëtare të BE-së, konsiderohet si konkurrencë e drejtëpërdrejtë e projektit evropian Nabuko për sjelljen e naftës nga Azia Qendrore. Edhe projekti nën detin e Zi, përmes së cilit duhet të transportohet gazi rus deri në Greqi kalon përmes Bullgarisë, ndaj ajo është bërë një vend qendror ballkanik për kalimin e gazit natyror.

"Putin go home", protetsta të opozitës bullgare

BG Proteste Putin
Protetsta kundër vizitës së Putinit në SofjeFotografi: George Papakotchev


Ndërkohë që projekti në vlerë prej katër miliardë për ndërtimin buzë Danubit të një Centrali atomik, premton fitime afatmesme nga shitja e energjisë elektrike, por kritikohet ashpër prej ekologjistëve dhe ekspertëve evopianë të energjisë atomike. Vëzhguesit flasin për një lojë të madhe gjeopolitike ruse, për blerjen e Bullgarisë përmes taksave të larta të transferimit të gazit dhe energji relativisht të lirë, me qëllim që ajo të kundërshtojë vendet tjera anëtare të BE-së. Prandaj opozita dhe demonstruesit dolën në rrugë me parullat "Putin go home". Anëtarësimi në BE për shumë bullgarë është arritja më e madhe prej ndryshimeve politike të vitit 1989 - 1990.

Qeveria e tanishme në Sofje e përbërë prej ish - komunistëve dhe presidenti Georgi Parvanov si ish- shef i tyre janë miqë tradicionalë të Rusisë. Opozita ka frikë nga vazhdimi i evropianizimit të vendit, sepse gjatë vizitës së Putinit në Sofje është shpallur në mënyrë festive edhe i ashtuquajturi viti i Rusisë.

Eshtë e vërtetë që Bullgaria ka arritur pavarësinë para 130 vitesh, pas luftës ruso-turke. Lidhjet e tyre historike, kulturore dhe gjuhësore, si për shembull shkrimi i përbashkët cirilik, janë të pakontestueshme. Mirëpo as sot Rusia nuk e trajton këtë vend të vogël ballkanik si mik dhe partner, por instrument në një lojë të madhe gjeopolitike.

Rusia kthehet në Ballkan, përmes miqve tradicionalë

Pipeline in Kasachstan
Linjë gazsjellëse në KazakistanFotografi: Stefano Grazioli


Putin dhe qeveria bullgare folën për ndarjen e rrugëve të gazit në Evropë. Por varësia e Bullgarisë nga Rusia do ta dobësojë edhe BE-në, ndonëse nga marrëveshjet e nënshkruara në Sofje do të përfitojnë edhe vendet tjera evropiane: Greqia, Italia, Austria etj. Si përfundim: Bullgaria e ka shitur pjesërisht luajalitetin e saj ndaj BE-së me një çmim të lartë, ndërsa Rusia është kthyer në Ballkan, përmes miqve tradicionalë. Prandaj nuk është rastësi, që Vlladimir Putin gjatë vizitës në Bullgari kundërshtoi edhe një herë shumë qartë pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që nikoqirët nuk u përcaktuan qartë.