1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Lista Prodi" - Nën drejtimin e Presidentit të Komisionit Evropian themelohet aleanca elektorale në Itali

Jërg Seilzelberg15 Shkurt 2004

Partitë e mëdha të opozitës në Itali krijuan të shtunën në Romë aleancën elektorale. Ky formacion i ri politik drejtohet nga presidenti aktual i Komisionit Evropian, Romano Prodi.

https://p.dw.com/p/ArIQ
Aleanca elektorare zyrtarisht është emërtuar "Të bashkuar në aleancën pema e ullirt për Evropën". Por në medie si dhe për konkurrencën politike, madje edhe për vetë partitë pjesëmarrëse, kjo aleancë njihet si "Lista Prodi". Presidenti i Komisionit Evropian gjatë muajve të shkuar ka qenë ideatori i organiizmit të partive opozitare. Ai ka hartuar statutin dhe ditën e shtunë ishte referenti kryesor në konventën themeluese. I përshëndetur me entuziazëm e duartrokitje pafund Prodi deklaroi: "Eshtë kënaqësi të jem sërish këtu pranë jush. Eshtë kënaqësi që janë mbledhur kaq shumë vetë dhe që së bashku mund të rifillojmë nga puna." Për partitë e qendrës së majtë tradicionalisht të përcara në Itali kjo aleancë për zgjedhjet për Parlamentin Evropian është një kthesë historike. Në "Listën Prodi" bëjnë pjesë partitë më të mëdha të opozitës, ish-partia komuniste, sot parti si motër e socialdemokratëve dhe partia qytetare e majtë "Margarita". Përvec tyre në aleancë janë edhe socialistët si dhe partia e vogël republikane. Prodi: "Katër partitë e aleancës pema e ullirit i janë përgjigjur thirrjes për një projekt të përbashkët politik. Kjo listë është familja ime politike, e ndërsa të tjerët përcahen ne bashkohemi." Në bazë të sondazheve lista e re elektorale në Itali do të fitonte sot rreth 30% të votave duke dalë në këtë mënyrë si partia më e fortë. Prodi dëshrion që në zgjedhjet për Evropën në qershor të kandidojë për aleancën e re. Ai theksoi sërish, se deri në fund të mandatit të tij në nëntor do të vazhdojë të qëndrojë në postin e presidentit të Komisionit Evropian. Prodi do të drejtojë si president edhe aleancën e listës së re elektorale. Me prezantimin e tij ditën e shtunë presidenti i Komisionit Evropian bëri të qartë, se është i gatshëm të kthehet në skenën e politikës së brendëshme në Itali, gjë që e kërkojnë prej tij edhe partitë opozitare. Në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Itali ai do të jetë kandidati kryesor i qendrës së majtë kundrejt Silvio Berluskonit. Koalicioni qeveritar e ka kritikuar kthimin e Prodit në politikën e brendëshme. Roli i kreut mbipartiak të Komisionit Evropian nuk përputhet me pozicionin e tij si një udhëheqës virtual i opozitës në Itali, ka deklaruar Sandro Bondi, kryetari i partisë së Berluskonit "Forza Italia". Berluskoni e tregon veten si fitimtar. "Lista Prodi", sipas kryeministrit, nuk do të jetë në gjendje të fitojë as kundrejt koalicionit qeveritar dhe as në zgjedhjet për Evropën, thotë Berluskoni.