1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lista e dëshirave e de Maiziere për 2017-ën

4 Janar 2017

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière prezanton "Direktivat për një shtet të fortë në kohë të vështira". Shumë gjëra nuk janë të reja.

https://p.dw.com/p/2VDbx
Bundesinnenminister Thomas de Maizière
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Sa e sigurtë është Gjermania? Pas atentatit terrorist ndaj një tregu Krishtlindjesh në Berlin, ndjenja e rrezikimit është shtuar dukshëm. Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière mendon se Gjermania duhet të përgatitet "edhe më mirë" për kohë të vështira.

Kështu shprehet politikani kristiandemokrat në një artikull prej një faqeje të publikuar të martën në gazetën kombëtare gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Në të De Maiziere hedh dritë në arkitekturën nacionale dhe atë evropiane të sigurisë - dhe konkludon: "janë të nevojshme" rregullime të reja. Në thelb ai kërkon më shumë kompetenca për federatën në kurriz të landeve. Shumë herë ndesh formulime të tilla si "menaxhim qendror operativ i krizave" ose "kompetencë drejtuese mbi të gjitha autoritetet e sigurisë".

Kërkesat ekzistonin edhe para atentatit në tregun e Krishtlindjeve

Atentati më i rëndë terrorist në Gjermani megjithatë nuk ishte shkaktar i reflektimeve të De Maizière, por vetëm një shkas për t'i paraqitur kërkesat të përmbledhura në një katalog kërkesash.

Për Gjermaninë, de Maizière e përfytyron që organet e Mbrojtjes së Kushtetutës, shërbimet inteligjente të zhvendosen krejtësisht dhe vetëm në federatë. Kjo do të thoshte faktikisht mbyllje e 10 zyrave rajonale të Mbrojtjes së Kushtetutës. Asnjë kundërshtar i kushtetutës nuk përpiqet ta mënjanojë rendin shtetëror "vetëm në një land federal të Gjermanisë", shkruan De Maiziere. Por në detyrat e Shërbimit të Fshehtë të brendshëm bën pjesë, veç mbrojtjes nga terrorizmi, edhe konstatimi i rreziqeve të ekstremeve të majta dhe të djathta ose të aktiviteteve të spiunazhit. Të gjitha së bashku janë kaq komplekse dhe të ndryshme në rajone, sa kjo dëshirë e ministrit të Brendshëm do të jetë e vështirë të plotësohet nga kolegët e tij në lande.

Përpjekje tjetër për angazhimin e ushtrisë gjermane brenda vendit

Bundeswehri, ushtria gjermane është kompetente për mbrojtjen e vendit në rast lufte dhe në raste përjashtim mund të angazhohet edhe brenda vendit. Në katastrofat natyrore, si në përmbytjet, ushtria gjermane është angazhuar edhe brenda vendit. Por ministri kërkon më shumë. Kur policia arrin në kufijtë e kapaciteteve të saj, ushtarët duhet të ndihmojnë, për shembull "në rastin e mbrojtjes së armatosur të objekteve", shkruan ministri de Maizière. Edhe për këtë duhet të ndryshohet kushtetuta gjermane, gjë që është e mundur vetëm me të paktën dy të tretat e votave si të Bundestagut, ashtu edhe të Bundesrat-it, të Dhomës së Landeve.

Një "mekanizëm i vërshimit masiv" për refugjatët

De Maiziere kërkon më tej një "kompetencë qendrore përndjekjeje dhe hetimore" për policinë federale" për konstatimin konsekuent të qendrimeve pa leje në Gjermani". Në vështrim të parë kjo dëshirë duket se mund të gjejë më tepër mbështetje se të tjerat. Ajo mban parasysh në radhë të parë refugjatët dhe azilkërkuesit e refuzuar. Shumë prej tyre e ndryshojnë shpesh vendin e banimit ose kalojnë krejtësisht në ilegalitet, siç bëri edhe atentatori i Berlinit, Anis Amri. Prandaj ministri Federal i Brendshëm kërkon "një kompetencë plotësuese ekzekutuese për përfundimin e qendrimit". Me fjalë të tjera: në vend të landeve të veçanta, duhet të jetë vetëm Federata ajo që t'i organizojë dhe zbatojë dëbimet.

Lista e De Maiziere është e gjatë. Dy javë pas atentatit në tregun e Krishtlindjeve të Berlinit ka rëndësi më shumë se kurrë që në temën e sigurisë së brendshme të tregohet forcë dhe vendosmëri.

 

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore