Liria e Gjermanisë mbrohet edhe në Hindukush | Studimi në Gjermani | DW | 29.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Liria e Gjermanisë mbrohet edhe në Hindukush

Vendimi i parlamentit gjerman për zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjerman në Afganistan & Politika e jashtme gjermane

Ushtar i Bundewehrit në Hunduz-Afganistan

Ushtar i Bundewehrit në Hunduz-Afganistan


Liria e Gjermanisë mbrohet edhe në Hindukush

Pas vendimit të parlamentit gjerman për zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë në Afganistan, kjo temë trajtohet gjerësisht në shtypin e sotëm gjerman. Në lidhje me këtë në gazetën Manheimer Morgen, lexojmë:
Komandantët e njësive gjermane do të kenë nevojë për shumë taktikë dhe nuhatje për t`ju shmangur konflikteve me zotërit e luftës. Rrezik përbëjnë edhe njësitë e milicëve talibanë. Askush, përveç të majtëve nuk dyshon në radhët e Bundestagut të ri gjerman, se liria e Gjermanisë mbrohet edhe 600 kilometra larg saj, në Hindukushin e largët, sikurse e pati formuluar dikur Ministri i Mbrojtjes, Peter Struck. Por pas rutinës profesionale, me të cilën zgjatet çdo vit mandati i Bundeswehrit për Afganistanin, qëndrojnë shumë fate personale. Deri tani në Afganistan kanë gjetur vdekjen 17 ushtarë gjermanë. Të tjerët e kryejnë shërbimin në kushte shumë të vështira, të shoqëruara me rreziqe. Mandati i ri i Bundestagut nuk do ta bëjë më të lehtë punën e tyre.

Gazeta Tagespiegel, që botohet në Berlin, e merr vendimin e sipërm të Bundestagut si shkak për të analizuar politikën e jashtme të Gjermanisë. Citojmë: Reputacioni i Gjermanisë në mbarë botën, u rrit pas rezistencës së Schröderit ndaj luftës së Irakut. Këtë duhet ta pranojë edhe qeveria e re. Përmes qeverisjes së socialdemokratëve dhe të ekologjistëve, Gjermania u shndërrua në një faktor të mëvetësishëm të politikës globale. Prandaj nuk mund të ketë kthim në botën e dikurshme të politikës së përkëdheljeve transatlantike.

Po për të njëjtën temë në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung lexojmë:
Demokristianët do të fillojnë të përdornin një ton tjetër kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk do të linin asnjë pikë dyshimi se Gjermania është besnike, megjithatë sa i përket politikës së Berlinit ndaj Irakut dhe konfliktit për programin bërthamor të Iranit, nuk do të ndryshojë shumë. Madje faktikisht edhe në një nga temat më kontradiktore, kërkesës së Turqisë për t`ju bashkuar Bashkimit Evropian ndoshta një herë për një herë nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Demokristianët dhe socialdemokratët kanë në këtë pikë mendime krejtësisht të kundërta, por për shkak se bisedimet me Turqinë do të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe do të shoqërohen ndoshta me të papritura të tjera, mosmarrëveshjet në këtë pikë fillimisht do të lihen përkohësisht mënjanë. Dhe bashkë më këtë edhe topat e drejtuara kundër anëtarësimit të Turqisë nuk do të jenë më në plan të parë.

Në gazetën e Hamburgut, Die Zeit, lëxojmë nga një ese rreth zgjedhjeve të 18 shtatorit në Gjermani:
Zgjedhjet e 18 shtatorit dërguan edhe një sinjal të mëtejshëm. Konservatorët e vërtetë janë minoritet absolut. Shtatë vjetët e qeverisjes së socialdemokratëve dhe të ekologjistëve kanë lënë gjurmë të qarta. Shoqëria gjermane është bërë më e hapur dhe më tolerante. Edhe Merkeli me ekipin e saj nuk ka ndër mend ta prekin ligjin e ri të emigrimit apo ligjin mbi martesat e homoseksualëve. Malli për kohën e artë të viteve pesëdhjetë, kur shoqëria nuk i kishte niveluar ende të gjitha dallimet kulturore, kur burri vazhdonte të ishte burrë, gruaja grua, dhe fëmijët të sjellshëm e të edukuar, e thonin të lutem e më fal, ndjehet vetëm në rreshtat e disa fejtonistëve dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Në kuadrin e bisedimeve paraprake për krijimin e një koalicioni të madh mes socialdemokratëve dhe të demokristianëve në gazetën Stuttgarter Zeitung lexojmë:

Sot duket se çështja e krijimit të një koalicioni mes demokristianëve, liberalëve dhe ekologjistëve nuk është më në rend të ditës. Megjithatë ka disa gjëra që flasin për faktin se aleanca të tilla do të jenë të shpeshta në të ardhmen nëqoftëse do të duam që të heqim dorë ndonjëherë prej një republike të qeverisur vazhdimisht prej demokristianëve dhe socialdemokratëve. Shoqërisë dhe debatit politik do t`i bënte shumë mirë nëqoftëse partitë do t`i sheshonin ca hendeqet emocionale dhe ideologjike që i ndajnë dhe do të përqëndroheshin më tepër në diskutimet objektive. Në vende të tjera të Europës ka kohë që krijohen aleanca qeveritare të papritura prej askujt. Natyrisht që stabiliteti është një gjë tepër e vlefshme, qytetarët duan qartësi dhe qëndrueshmëri, sidomos gjermanët. Por përse koalicionet treshe nuk do të jenë në gjendje që të rezistojnë një periudhë të tërë legjislative nëqoftëse përpara krijimit të tyre palët kanë biseduar qartë me njëra tjetrën dhe kanë rënë dakort për një program katërvjeçar të arsyeshëm si dhe për një partneritet të qëndrueshëm.

  • Data 29.09.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arta
  • Data 29.09.2005
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arta