Ligji për Shërbimet e fshehta ngjall debate | Ballkani | DW | 17.03.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ligji për Shërbimet e fshehta ngjall debate

Opozita i kërkon kryemnistrit Berisha të tërheqë projektligjin për shërbimet sekrete. Ai cënon pavarësinë nga politika e merr përgjegjësi të reja brenda vendit. Qeveria thotë:ligji rrit pavarësinë dhe transparencën.

Parlamenti pritet të miratojë ndryshimet

Parlamenti pritet të miratojë ndryshimet

Kronologjia e ndryshimeve të ligjit

Ligji për shërbimet sekrete të Shqipërisë u hartua në vitin 1998, në të njëjtin vit me miratimin e Kushtetës, por para tij. Miratimi i tij ishte një prioritet në Shqipërinë e sapodalë nga trazirat e pranverës 1997 dhe shpërbërja e shtetit. Me ndryshimin e emrit nga Shërbimi Informativ Kombëtar ose SHIK në Shërbimin Informativ Shtetëror ose SHISH, ligji synonte edhe të linte pas reputacionin famëkeq të SHIK-ut në ato trazira. Shtatë vjet më pas, në vitin 2005, ligjit për shërbimet sekrete iu bë ndryshimi i parë. Ai kishte të bënte me përcaktimin e statusit të punonjësit të shërbimeve sekrete dhe kishte për qëllim të krijonte raporte të drejta mes nevojës për sigurimin e informacionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ndryshimet e miratuara dje përbëjnë ndërhyrjen e dytë në ligjin për shërbimet sekrete që nga miratimi i tij në vitin 1998.

Kundërshtim nga opozita, SHBA dhe Komiteti shqiptar i Helsinkit

Ato kanë të bëjnë me çertifikimin e personave dhe hetimin e kategorive të punonjësve që mbajnë pozicione delikate në administratë, rritja e përgjegjësive brenda vendit në mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe marrja në parim e miratimit të kryeministrit për bashkëpunimin e SHISH me shërbimet sekrete të vendeve të tjera. Këto ndryshimet të miratuara në Komisionin e Sigurisë Kombëtare pa votën e opozitës u vlerësuan nga kreu i këtij Komisioni Leonard Demi shumë të rëndësishme Ato forcojnë më tej pavarësinë e shërbimeve sekrete, standartet demokratike, transparencën, në përputhje me kërkesat e vendeve të NATO-s,”tha ai.

Leonard Demi, kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare

Leonard Demi, kryetar i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare

Por kryetari i opozitës së majtë dhe i PS, Edi Rama i stigmatizoi ato si ndryshime që krijojnë terren të favorshëm për t'u kthyer tek e kaluara famëkeqe e SHIK-ut.

" I bëj thirrje kryemnistrit Berisha të tërheqë pa humbur as edhe një ditë projektin e turpshëm të kthimit të SHISH në SHIK-un famëkeq, që përgjonte dhe përndiqte kundërshtarët e pushtetit , në politikë,media dhe shoqërinë civile.”reagoi Edi Rama menjëherë pas miratimit.

Departamenti Amerikan i Shtetit pati reaguar kundër këtyre ndryshimeve, pak dite me miratimit të tyre. Ambasadori amerikan në Tiranë John Withers, në një deklarim publik i cilësoi ato të tilla që "cënojnë profesionalizmin, pavarësine dhe lirinë e SHISH nga ndërhyrja e politikës. Ato i japin SHISH brenda vendit përgjegjesi të reja, të cilat janë shqetësuese"

Të njëjtin opinion ka edhe Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, juristja e njohur Vjollca Meçaj. Ajo thotë se me përgjegjësitë e reja SHISH- i dublon policinë e shtetit dhe rrezikon të drejtat e njeriut.

" Me ndryshimet e sapomirartuara SHISH mbron sigurinë kombëtare. Ta mbrosh nënkupton jo vetëm të grumbullosh informacion,por edhe të bësh veprime ekzekutive Nga ligji bazë i vitit 1998 nuk rezulton që SHISH të jetë ngritur për të bërë veprime aktive. Ndryshimi dublon policinë e shtetit kur SHISH dhe policia janë dy organe me natyrë dhe qëllime krejt të ndryshme” thotë Meçaj.

Një ndryshim tjetër i kundërshtuar nga Vjollca Meçaj janë kompetencat që merr SHISH në çertifikimin e personave. " Ligji nuk shpjegon nëse çertifikimi do të bëhet në bazë të kërkesës së vetë personit apo të personave të tjerë për dikë tjetër. Nuk shpjegohet se çfarë përmban ky çertifikim. Kjo duhet të përcaktohej në mënyrë transparente në ligj. Flitet për jetën e një njeriu. Si organizatë e mbrojtjes së të drejtavete njeriut kam të drejtë të dyshoj për shkeljen e këtyre të drejtave."

Parlamenti pritet të miratojë ndryshimet

Cënim të pavarësisë ajo sheh edhe tek neni 3, që përcakton miratimin në parim nga kryemnistri për bashkëpunimin e SHISH me shërbimet homologe të vendeve të tjera ."Termi në parim është kaq i përgjithshëm sa lë shteg për keqinterpretime dhe përdorim të liogjit në bazë të konjukturave, interesave pragmatike. Ligji nuk duhet të jetë ekuivok për një organizëm si SHISH që punon në fshehtësi dhe jo në dritën e diellit."

Ndryshimet në projektligjin për shërbimet sekrete do të paraqiten për miratim në Parlament, në seancën e nesërme plenare, më 18 mars. Kryeministri Berisha nuk mori parasysh thirrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, që projektligji para miratimit në Parlament të shihej nga një grup ekspertësh ligjorë ndërkombëtarë. Këtë kërkesë DASH e përligji me qënien e Shqipërisë anëtare e NATO-s.

Autor: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 17.03.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/MVTz
  • Data 17.03.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/MVTz
Reklamë