Ligji për punësimin e parë në përputhje me kushtetutën | Evropa | DW | 31.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ligji për punësimin e parë në përputhje me kushtetutën

Pas vendimit të Këshillit Kushtetues francez pritet vendimi i presidentit Zhak Shirak

Të rinjtë në Francë protestojnë kundër kontratës së punësimit të parë

Të rinjtë në Francë protestojnë kundër kontratës së punësimit të parë

Këshilli Kushtetues francez ka shpallur dje ligjërisht të drejtë kontratën e punësimit të parë, të kundërshtuar me forcë prej disa javësh nga nxënësit dhe studentët francezë. Elementi i polemizuar i reformës së tregut të punës, të iniciiuar nga kryeministri francez, Dominique de Villepin, nuk bie ndesh me kushtetutën, ka deklaruar Këshilli në mbrëmje në Paris. Socialistët kishin kërkuar mbjedhjen e këtij Këshilli. Ata vënë në dukje se ligji i miratuar tashmë me shumicë konservatore nga parlamenti, trajton në mënyrë të pabarabartë të rinjtë: kontrata e punësimit të parë parashikon heqjen e mbrojtjes nga pushimi nga puna për të rinjtë deri në 26 vjeç. Veç kësaj koha e provës prej dy vjetësh e parashikuar në ligj, sipas deputetëve socialistëve, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të punës. Këshilli Kushtetues e ka vlerësuar ndryshe ligjin dhe nuk ka patur vërejtje.

Këshilli Kushtetues francez ka dhënë dje dritën e gjelbër për ligjin e kontestuar të tregut të punës për të rinjtë. "Nëntë të urtët" e këtij Këshilli kanë kaluar ligjin pa asnjë kufizim. Ministri francez i arsimit, Gilles de Robien është i kënaqur dhe nuk e përmban dot një ironi të lehtë: "Ligji ka tashmë bekimin e Këshillit Kushtetues dhe kjo falë opozitës, e cila kërkoi mbledhjen e tij. Tani nuk kemi më asnjë dyshim se ligji është vërtet në përputhje me kushtetutën."

Kështu topi i kalon Zhak Shirak-ut. Pasi tashmë është në dorë të presidentit francez të shpallë ligjin për zbutjen e mbrojtjes prej pushimit nga puna ose t'ia rikthejë atë parlamentit. Shirak do të shprehet sot në mbrëmje për këtë, por nga qarqet qeveritare bëhet që tani e ditur se presidenti dëshiron që ligji të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe mund ta lidhë këtë madje me një samit social: një ftesë drejtuar të gjithë partnerëve socialë për t'u ulur në tryezën e bisedimeve dhe për t'u këshilluar rreth përmirësimeve që mund të zëvendësonin më pas kontratën e polemizuar të punësimit të parë.

"Grenelle sociale" e quajnë komentuesit këtë duke iu referuar trazirave të studentëve të majit 1968, të cilat morën fund pas një marrëveshjeje sociale në rrugën Grenelle, zyrën e ministrit të punës. Kritika vjen në rradhë të parë nga opozita socialiste dhe nga shoqatat e studentëve. Një prej liderëve të studentëve Bruno Zhilard: "Nëse presidenti Shirak do të shpallë shpejt këtë ligj kjo do të ishte një shenjë injorimi e shumicës së demonstruesve dhe gjithashtu një akt papërgjegjshmërie. Ne nuk e dimë se si do të reagojnë demonstruesit, të cilët që tani janë tejet të inatosur."

Zëdhënësi i socialistëve Zhulien Dray flet gjithashtu për një matje të re forcash: "Nëse Shirak fut shpejt në fuqi ligjin ai zgjedh rrugën e konfrontimit, imponon një ligj të kundërshtuar kundër vullnetit të shumicës."

Protestat ndërkohë vazhdojnë. Studentët dhe nxënësit bllokuan për orë të tëra stacionin e trenave Gare de Lyon në Paris dhe pushtuan kryqëzimet rrugore. Në Marsejë dhe Tuluzë policia ka përdorur gazin lotësjellës. 500 shkolla dhe 58 universitete në gjithë Francën vazhdojnë të jenë plotësisht ose pjesërisht të bllokuar. Për të martën e ardhshme, 4 Prill, sindikatat kanë paralajmëruar një ditë të re grevash dhe demonstratash.

  • Data 31.03.2006
  • Autor Angela Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBX
  • Data 31.03.2006
  • Autor Angela Ulrich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArBX