Ligji për OJQ-të mbyllje gojës për shoqërinë civile në Rusi | Bota | DW | 23.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ligji për OJQ-të mbyllje gojës për shoqërinë civile në Rusi

Duma ruse aprovon ligjin për një kontroll më të fortë të organizatave joqeveritare (OJQ). Pavarësisht nga protestat ndërkombëtare Rusia iu përmbajt planeve të saj.

Duma, parlamenti në Moskë

Duma, parlamenti në Moskë

Parlamenti në Moskë në mes të mërkurën në një raund të dytë diskutimesh miratoi një projektligj, i cili edhe pse me disa ndryshime zbutëse, parashikon kufizimin deri edhe ndalimin e aktivitetit të organizatave joqeveritare. Shumë vëzhgues këtë vendim e konsiderojnë si një masë për t´u hequr të drejtën e fjalës këtyre organizatave. Veprimtaria e tyre mund të ndalohet në rast, se ato cënojnë integritetin territorial, unitetin kombëtar dhe prejardhjen e tij, si dhe trashëgiminë kulturore apo interesat kombëtare. Përveç kësaj organizatat joqeveritare duhet të paraqesin rregullisht raporte të detajuara mbi burimet financiare.

Presidenti rus Vladimir Putin e pati me nxitim: në fillim të vitit të ardhshëm Rusia do të jetë kryesuese e radhës në grupin e vendeve të industrializuara G8, e për këtë arësye ai nuk dëshiron të bjerë në sy për keq. Ndërsa në vitin 2007 janë zgjedhjet parlamentare në Rusi, dhe në vitin 2008 zgjedhjet presidenciale - as këtu Putini nuk dëshiron të papritura të pakëndshme.

Ligji i ri për OJQ-të "arbitrar dhe selektiv"

Si rjedhojë versioni i dytë i projektligjit të diskutueshëm mbi veprimtarinë e organizatave joqeveritare, që dështoi në formën fillestare, mundi të kalojë nga Duma në formë të ndryshuar. Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2006. Pas kritikave të ashpra nga brenda dhe jashtë vendit, Putin të mërkurën i paraqiti Dumës, parlamentit rus, versionin e ndryshuar të projektligjit. Por as modifikimet e bëra nuk e zbusin ligjin, vë në dukje Jurij Xhibladse nga qendra për nxitjen e demkracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut: "Koncepti bazë i këtij projekti nuk ka ndryshuar. Ai i përmbahet ndërhyrjes së shtetit në punën e organizatave të pavarura, si në çështjet përmbajtësore ashtu edhe sa ka të bëjë me kontrollet financiare. Rreziku më i madh konsiston në atë, që ligji u jep nëpunësve kompetenca të mëdha. Qëllimi i proklamuar nga presidenti, që të ndalohen veprimtaritë politike të financuara nga jashtë, as që përmendet në ligj. Kështu e interpretojnë nëpunësit këtë synim jo mbi bazën ligjore, por në mënyrë arbitrare dhe selektive."

Mendohet se jo të gjithë në Kremlin e kanë qenë pro këtij ligji që u zë frymën organizatave joqeveritare. Fakti që ligji u projektua me iniciativën e shefit të shërbimit sekret, dhe që u aprovua në këtë formë, sipas vëzhguesve dëshmon, se ish-punonjësit e sigurimit, "siloviki", vartës të ish shefit të KGB-së, Vladimir Putin, vazhdojnë të kenë influencë të fortë. Ndërhyrje në vend të pritjes, reptësi në vend të tolerancës - kjo është motoja e tyre në Moskë.


Mbyllje gojës për shoqërinë civile

Komenti: Përse ky ligj u miratua me kaq nxitim, për këtë askush nga qarqet e udhqëheqjes ruse nuk të jep përgjigje bindëse. E qartë është megjithatë, se organizatat e pavarura nga qeveria në Rusi këtej e tutje do ta kenë të vështirë. Atyre do t´u mbyllet goja, do të jënë të survejuara dhe do t´u vështirësohet puna.

Njerëzit që përpiqen për forcimin e strukturave demokratike, për të mbeturit jetimë nga Sida, për kujtimin ndaj viktimave të stalinizmit apo për ruajtjen e mjedisit, në të ardhmen do të jenën nën kontrollin e shtetit dhe do të dekurajohen prej burokracisë së tij. Shoqërisë civile të sapoformuar po i vihen prangat dhe duma, parlamenti, pra përfaqësimi i popullit, ka dhënë kontributin e vet për këtë. Për këtë nuk duhet të mashtrohemi as nga fakti, që pas protetstës masive ndërkombëtare, tashmë janë përmirësuar kapituj të veçantë të ligjit, prej të cilave përfitojnë vetëm organizatat e huaja.

Argumentimi zyrtar është, se synohet që Rusia të mbrohet prej ideologjive nga jashtë që shkelin dinjitetin njerëzor dhe synohet gjithashtu të veprohet kundër atyre që nën mantelin e organizatës joqeveritare planifikojnë aktivitete terroriste, apo kryejnë larje parashë. Për të gjitha këto në fakt ekzistojnë ligjet përkatëse, por ato duhen zbatuar.

Ndaj duket se kanë pasur të drejtë ata që frikësoheshin, se me këtë synohet asgjësimi i virusit të revolusionit. Kremlini e bashkë me të edhe pjesa më e madhe e elitave ruse prej kohësh besojnë, se organizatat e pavarura nga qeveria me ndihmën e parave të ardhura nga jashtë kanë mbështetur rëzimin e qeverive në Gjerogji, Kirgizi e në radhë të parë në Ukrainë, gjë që nuk është pa bazë. Sot flitet sërish hapur për "kundërrevolucion". Rusia duhet të ruhet prej ndërhyrjeve nga jashtë - mënyrë kjo e përfytyrimit për armikun që njihet qysh nga koha e sovjetikëve. Nëse ndjek këtë linjë të menduari, atëherë s´ke përse të vrasësh mendjen më për manipulim të zgjedhjeve, korrupsion dhe regjime autoritare në bashkësinë e shteteve të pavarura.

Shteti rus, duket, se nuk ka frikë vetëm nga idetë dhe paratë perëndimore, por ka frikë edhe nga qytetarët e vet. Nevoja për një kontroll më të zgjeruar shoqëror dhe politik ka dalë jashtë kontrollit. Pa masë por me konseguencë presidenti Putin përpiqet të verë nën hyqmin e pushtetit qendror gjithnjë e më shumë sektorë.

Ajo që të bën më shumë përshtypje në të gjithë këtë është mungesa e protetstës shoqërore brenda vendit. Zërat kritikë nuk kanë më forum. Influenca e shtetit ndaj medieve në vend është rritur frikshëm, prej kohësh u është mbylur goja zërave alternativë, opozita demokratike është margjinalizuar dhe shumica mbetet pasive, duket se është shumë e madhe nevoja për një burrë të fortë. E këtë dëshirë e përmbush me kënaqësi presidenti Putin.

  • Data 23.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMs
  • Data 23.12.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMs
Reklamë