1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligj i kontestuar - Pronarët shqiptarë kundërshtojnë dhënien me qira nga shteti të tokave të papunuara

14 Prill 2010

Në Shqipëri pronarët po kundërshtojnë një ligj të sapomiratuar nga Parlamenti vetëm me votat e maxhorancës. Sipas këtij ligji shteti ka të drejtë t’u marrë pronarëve tokat që ata nuk i punojnë dhe t’i japë ato me qira.

https://p.dw.com/p/MwC5
Fotografi: DW

Shifrat zyrtare tregojnë se në Shqipëri rreth 50 mijë hektarë tokë bujqësore, në 700 mijë hektarë që ka gjithsej Shqipëria të regjistruar në kadastër, janë djerrë. Arsyet kryesore janë emigrimi menjëherë pas rënies së regjimit komunist, kryesisht në Greqi dhe në Itali e brezit të ri të pronarëve të saj dhe migrimi i brendshëm, braktisja e fshatit dhe dyndja e popullsisë rurale drejt zonave urbane, qyteteve të mëdha, në kërkim të një jete më të mirë. Fjala është për 440 mijë familje që morën tokë në vitin 1992 dhe 1995 në bazë të ligjit të ndarjes së pasurisë në ish-kooperativat bujqësore dhe ish fermat shtetërore.

Çfarë synon ligji i ri?

Ligji i sapomiratuar me votat e maxhorancës kërkon të ndryshojë këtë situatë. Në bazë të tij, shteti gëzon të drejtën që tokën e papunuar t'ia marrë pronarit dhe t' ia japë me qira, fillimisht me një kontratë pesëvjeçare të rinovueshme, një personi tjetër që ta punojë.

Jemin Gjana
Jemin Gjana, Kryetar i Komisionit Parlamentar për bujqësinëFotografi: DW

Jemin Gjana, deputet i PD dhe kryetar i komisionit parlamentar për bujqësinë, e vlerëson si një hap të mençur dhe në kohën e duhur miratimin e këtij ligji. Gjana: “Qëllimi i tij është futja në qarkullimin ekonomik të rreth 10% të tokave që figurojnë në kadastër si toka bujqësore dhe që janë të ndarë në pronësi private, dhe për t'i mbjellë ato me kultura të ndryshme bujqësore. Interesi i ligjit është të inkurajojë vënien e këtyre tokave në qarkullim ekonomik.”

Procesi i dhënies me qira të tokave djerrë do të fillojë me evidentimin e tyre nga bashkitë dhe komunat. Më pas tokat e papunuara do të nxirren në ankand dhe do të jepen me qira. Ligji parashikon që pas përfundimit të kontratës toka mund t'i kthehet pronarit nëse ai e punon ose të vazhdojë të jepet me qira përmes rinovimit të kontratës. Sipas tij, 80% e parave të dhënies së tokës me qira do t'i marrë pronari i saj kursë pjesën tjetër pushteti lokal.

Reagime nga shoqatat e pronarëve

Miratimi i ligjit që u merr pronarëve tokat e papunuara dhe ia jep me qira një pale të tretë është pritur me kundërshtim nga pronarët. AgimToro, Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës, ”Pronësi me drejtësi", vlerëson ligjin si: “Një veprim të dhunshëm nga shteti, të pamoralshëm, antikushtues që ndërhyn në të drejtat e atyre njerëzve që ai i ka quajtur pronarë dhe që pronat e tyre janë të regjistruara në zyrat e pasurive të paluajtshme. Në bazë të Kodit civil, vetëm pronari është ai që ka të drejta reale mbi një pronë, për ta shitur apo dhënë me qira. Mënyra sesi shteti do t'ua marrë tokat djerrë pronarëve duke shkelur këtë të drejtë, duke vendosur vetë shteti normat e qirasë nuk bën gjë tjetër veçse shkel dhunshëm të drejtat e individit në kuptimin e pronësisë.”

Agim Toro
Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës, ”Pronësi me drejtësi"Fotografi: DW

Pro dhe kundër: Pronarët e tokave dhe përfaqësuesit e shtetit

Jemin Gjana i kundërshton pretendimet e pronarëve. ”Ligji nuk prek titujt e pronësisë. Këta tituj vazhdojnë t'i kenë familjet që kanë marrë tokë me ligjin 7501,në bazë të të cilit u nda toka në kooperativat bujqësore dhe me ligjin e vitit 1995, që ndau mbi 150 mijë hektarë të tokave të ish-ndërrmarjeve dhe fermave bujqësore.” thotë ai,

Por për AgimToron nga shoqata “ Pronësi me drejtësi” është pikërisht ligji 7501 në bazë të kaosit dhe dhunimit të së drejtës së pronës në Shqipëri. Ky ligj e ndau tokën e ish-kooperativave bujqësore sipas parimit ”Toka i takon atij që e punon” dhe jo në bazë të pronësisë së ligjshme. Ai mendon se edhe ligji i sapomiratuar i marrjes së tokave djerrë nga pronarët, të cilëve vetë shteti u dha tituj pronësie dhe i dhënies së tyre me qira është pasojë e ligjit 7501. Sipas tij ky ligj nuk mund të veprojë në tokat e papunuara të minoritetit grek në Dropull apo kudo ku ai nuk është zbatuar, pasi fshatarët e kanë tokën të trashëguar dhe jo të dhënë nga shteti.

“Shoqata “ Pronësi me Drejtësi” ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë këtë ligj duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj individë të caktuar do të orientohen për të ndjekur këtë çështje në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg” thotë AgimToro. Rruga më e mirë për të mos lënë tokat bujqësore djerrë sipas tij, është përdorimi i taksave nga shteti, ulja e tyre për ata që e punojnë dhe ngritja për ata që nuk i punojnë ato.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi